Ditën e sotme është përkujtuar 2-vjetori i rënies në krye të detyrës gjatë një misioni në Afganistan, i “Dëshmorit të Atdheut”, Feti Vogli. Kapiteni i ndjerë është përkujtuar përmes një ceremonie të organizuar në mjediset e batalionit të Forcave Speciale në Zall Herr, me praninë edhe të ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli . Ministrja Kodheli vlerësoi lart kontributin e Voglin, ndërsa theksoi se nderimi për të është nderim për atdheun, lirinë dhe vlerat e saj.
Kapiten Feti Vogli u vra në 20 shkurt të vitit 2012 gjatë një misioni në Afganistan, ku u plagos dhe efektivi tjetër i forcave tona ushtarake, Aleksandër Peçi i cili fatmirësisht arriti t’u mbijetonte plagëve. Vogli ishte dekoruar disa herë me medalje të ndryshme si: Medalja e Karrierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar; Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007; Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.