20-Vjetori i Fondit Shqiptaro-Amerikan 110 milione dollare ne 77 investime ne 40 shoqeri

ROL_6582 lowTIRANE, 8 Tetor/ATSH/- Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve (AAEF) ka kremtuar mbrëmjen e djeshme në Tiranë 20-vjetorin e themelimit të tij në Shqipëri.

Në ceremoninë gala të zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave, kanë marrë pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Ambasadës Amerikane në Tiranë, bordi drejtues i Fondit, partnerë etj. Kjo ceremoni ka mbledhur për herë të parë së bashku të gjithë ish-Presidentët dhe ish-Kryeministrat e Shqipërisë.

Në këto 20 vjet, AAEF ka investuar në një rrjet të gjerë ndërmarrjesh private, vazhdon të përhapë njohuri dhe qasje perëndimore në biznes dhe, sipas rastit, propozon ndryshime në politikat qeveritare që ndikojnë tek biznesi. Përveç kësaj, AAEF ofron për investimet e veta edhe trajnime për të ngritur praktikat më të mira të biznesit, të cilat përfshijnë standarde të pranueshme të raportimit financiar.

Një fokus i veçantë i aktivitetit të Fondit është rritja e aftësive menaxhuese, rekrutimi i personelit të aftë dhe planifikimi strategjik për institucionet shqiptare.

Fjala e hapjes në ceremoninë e djeshme u mbajt nga Kryetari i Bordit të AAEF, Michael D. Granoff, i cili u shpreh: "Ne u pritëm në Shqipëri 20 vit më parë me krahë të hapur, nga çdo qeveri, opozitë dhe mbi të gjitha populli shqiptar. Detyrë e zhvillimit ekonomik dhe politik nuk mbaron asnjë herë. Të gjithë i kuptojmë sfidat e mëdha me të cilat përballet Shqipëria. Zhvillimi sigurisht është një udhëtim, jo një pikë mbërritjeje. Dhe tani që e dimë se mund të bëjmë progres, përgjegjësia jonë për të ardhmen është shumë më e rëndësishme. Qeveritë në Shqipëri në besojnë ne jo sepse kemi qëllime të mira, por sepse e dinë që ne dorëzojmë. E njëjta vlen edhe për partnerët tanë. Ne bëjmë atë që themi. Ne zbatojmë dhe nuk ka asnjë dyshim për integritetin tonë".

Ceremonia gala e zhvilluar mbrëmë në Tiranë pati mbështetjen maksimale edhe të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm fizikisht në ceremoni, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry ka dërguar një përshëndetje të veçantë për të gjithë shqiptarët.

"Në një fazë ku pengesat kanë qenë jo pak të vogla, AAEF arriti që një grant fillestar prej 30 milionë dollarësh ta përdorë për zhvillimin e një game të gjerë projektesh gjatë dy dekadave. Këto projekte përfshijnë çdo gjë, nga ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Shqipërisë, tek krijimi i dokumenteve të identifikimit biometrikë që kanë ndihmuar Tiranën për të organizuar dhe kryer zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Megjithatë është e qartë se sfida ka ende, dhe në fund progresi varet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë përmirësimin e mjedisit të biznesit, luftën kundër korrupsionit, dhe zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian",- tha Sekretari Kerry. Ai shprehu bindjen e tij se, me mbështetjen e miqve të tillë si AAEF, populli i Shqipërisë dhe përfaqësuesit që ata kanë zgjedhur do të vazhdojnë në rrugën drejtë për një të ardhme më të begatë dhe demokratike.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ambasadori Lu, u shpreh për të pranishmit "Sonte dua të vlerësoj vizionin e një grupi njerëzish në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan, të cilët 20 vite më parë morën një risk me të vetmen shpresë se një investim i vogël do të niste transformimin e Shqipërisë. Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhur 20 vite më pas, se si një investim i vogël po vazhdon të rritet dhe lulëzojë në Shqipëri".

Ambasadori Lu lexoi për të pranishmit edhe një letër përshëndetëse të dërguar nga Presidenti Obama enkas për ceremoninë e AAEF.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh: "Jam i sigurt që askush këtu ka dyshim që ne të gjithë e duam Fondin Shqiptaro-Amerikan dhe nuk ndryshojmë mendim për njëri-tjetrin kur bëhet fjalë për dashurinë e të gjithëve këtu ndaj jush, ndaj të gjithëve ju këtu dhe për gjithë sa keni bërë".

Një mesazh i veçantë ka ardhur përmes videos edhe nga njeriu që krijoi Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, ish-Presidenti Amerikan, Bill Clinton. "Ndihem krenar që në kohën kur isha President arrita të krijoj Fondin, për të ndihmuar miqtë tanë në Shqipëri që të bëjnë një tranzicion të suksesshëm në një vend të lirë dhe demokratik. Sot, dy dekada më vonë, jam krenar që, në sajë të bashkëpunimit të shumë partnerëve në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fondi ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Fondi fillestar, me vlerë prej 30milionë dollarët, është rivlerësuar edhe tashmë i tejkalon të 200 milionë dollarët. Ka krijuar më shumë se 7,000 vende pune dhe ka gjeneruar më shumë se 2 miliardë dollarë duke kontribuar kështu edhe në PBB-në e Shqipërisë",- u shpreh Presidenti Clinton.

Gjatë ceremonisë u shpërndanë edhe disa çmime për partnerët e AAEF. Menaxherët dhe kompanitë e vlerësuara ishin: Rolf Castro, CEO, Tirana International Airport; Jean - Alain Jouan, CEO, ALEAT, Avni Ponari, CEO, Sigal Group; Samir Mane, CEO, Balfin Group; Dionis Teqja, CEO, Teqja International; Genc Vaqarri, Maxi Marble; Refik Halili, Halili Group; Z. Eshref Jakupi, Miqësia dhe Z. Arjan Musa, Opel Noshi.

Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve (AAEF) është një organizatë amerikane jofitimprurëse, jopolitike, e themeluar në pajtim me Aktin e vitit 1989 mbi Ndihmën për Demokracinë në Evropën Lindore (SEED Act).

AAEF është themeluar në vitin 1995 dhe ka zyra në Nju Jork dhe Tiranë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë 30 milionë dollarë si kapital fillestar përmes një granti nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Arritjet dhe profili i Fondit kanë shkuar përtej burimeve modeste financiare të fillimit. Me një bazë kapitali prej 30 milionë dollarësh, AAEF ka kryer investime të drejtpërdrejta në masën 110 milionë dollarë në 77 investime në 40 shoqëri. Mbi 7.000 vende të reja pune janë krijuar dhe 2 miliardë dollarë janë kontribuar në PBB-në e Shqipërisë nga shoqëritë e tanishme dhe të mëparshme të portofolit të investimeve të Fondit. Gjatë kohës që Fondi kishte në pronësi Bankën Amerikane të Shqipërisë, 977 milionë dollarë financime janë dhënë për shoqëritë në Shqipëri, të cilat kontribuan 2,2 miliardë për PBB-në e Shqipërisë.

Fondi vepron në mënyrë të pavarur nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe menaxhohet nga drejtues profesionistë nën udhëheqjen e Bordit Drejtues. Anëtarët e parë të Bordit në AAEF u emëruan nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2009 Fondi krijoi organizatën e vet të trashëgimisë, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Misioni i Fondacionit është të ndihmojë për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme të sektorit privat dhe të një shoqërie demokratike në Shqipëri dhe të kontribuojë në stabilitetin e Evropës Juglindore. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama