Një tjetër kafshë që zuri rreshtat e parë të gazetave gjatë vitit 2009 ishte Ida, folisi 47 milionë vjeçar i një gjitari primitiv. Emrin e mori nga vajza 6-vjeçare e shkencëtarit të Universitetit të Oslos, që e bleu fosilin nga një koleksionist privat. Ida u konsiderua nga shkencëtarët si "hallka e munguar" mes shkallës së primatëve që evoluuan në majmun dhe vetë njeriut e kafshëve të tjera. Për këtë u bë edhe një dokumentar i veçantë, në të cilin u pasqyrua edhe rindërtimi fizik i mundshëm i këtij gjitari të lashtë e primitiv, që sipas kompjuterit duhet të ishte shumë i gjatë. Megjithatë, studime të mëvonshme, të bëra po gjatë vitit 2009, hodhën dyshime mbi famën e Idës dhe faktin që asaj i duhej kushtuar një vëmendje kaq e madhe. Sipas disa shkencëtarëve, edhe pse bëhej fjalë për një specie shumë interesante, ky fosil ishte mbetja e një krijese që i përkiste një specieje që nuk kishte të bënte me paraardhësen tonë dhe për më tepër nuk mund kurrsesi që të karakterizohej si "hallka e munguar", sepse kjo nuk ishte e vërtetë. Një tjetër çështje shkencore që vazhdoi të dominonte shtypin në vitin 2009 ishte ajo e qelizave staminale. Kështu, gjatë këtij viti disa shkencëtarë në disa vende të ndryshme morën licenca të posaçme për t‘i zhvilluar dhe përdorur këto qeliza në kuimine disasë jundjeve. Sigurisht që kjo ka qenë një çështje shumë e debatuar në lidhje me etikën e një veprimi të tillë.
Edhe gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdojë lufta për këtë çështje. Ndërkohë, shkencëtarët kinezë kanë treguar se mund të jetë e mundur vonesa e menopauzës te femrat me transferimin e qelizave staminale që shndërrohen në vezë të pjekura. Shkencëtarët britanikë kanë lajmëruar gjithashtu se kanë shpresë që t‘i përdorin qelizat staminale në prodhimin e sasive të konsiderueshme të gjakut industrial, ose gjakut që do të prodhohet në fabrikë. Ai do të jetë një lloj gjaku sintetik, që do të përdoret për të furnizuar të sëmurët nëpër spitale.
Për sa i përket qiellit dhe vëzhgimeve të hapësirës, viti 2009 ka qenë një vit i karakterizuar nga shumë zbulime të rëndësishme, të tilla si prezenca e ujit në Hënë. Shkencëtarët e NASA-s kanë analizuar të dhënat nga satelitët e dërguar në disa kratere hënorë dhe veçanërisht nga sateliti "Cabeus" që u përplas qëllimshëm në sipërfaqen e satelitit tonë për të analizuar më mirë copëzat përbërëse të sipërfaqes së saj. Pikërisht nga kjo përplasje janë gjetur gjurmët e ujit në Polin Jugor të Hënës. Kjo mundëson ndërtimin në të ardhmen të një stacioni të përhershëm në Hënë, ku do të qëndrojnë njerëz për të studiuar Hënën dhe hapësirën rreth saj. Ndërkohë, një tjetër grup studiuesish të NASA-s kanë bërë të ditur se kanë zbuluar sasi të konsiderueshme metani në Mars. Studime të mëtejshme kanë përjashtuar mundësinë që metani vjen nga burime vullkanike, duke sugjeruar që ekziston vetëm një mundësi për këtë zbulim: ekzistenca e jetës nëntokësore.
Por, historia shkencore e vërtetë e vitit 2009 ishte vazhdimi i studimit për klimën në Tokë. Sipas disa studimeve, ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike po zhvillohen në Tokë me një hap më të shpejtë nga sa parashikohej në të shkuarën. Në vitin 2009, është botuar edhe një raport i hollësishëm dhe shumë i specializuar për gjeo-inxhinierinë, ose manipulimin artificial të klimës. Ky raport është publikuar për të kundërshtuar ata që deklarojnë se ngrohja e klimës është pasojë e emetimit të lartë të dyoksidit të karbonit dhe gazeve të tjerë të dëmshëm në atmosferë.