2010 viti me i nxehte ne toke

'2010' viti me i nxehte ne toke
Agjencia amerikane e hapësirës NASA tha se ky vit ka qenë më i nxehti në Tokë në 131 vitet e fundit. Një studim i ri për motin e nxehtë i publikuar në SHBA nga Federata Kombëtare e Jetës së Gjallë parashikon se temperaturat e larta do të jenë të zakonshme në vitet 2050. Kjo organizatë private që studion ambjentin thotë se ngrohja e planetit, do të sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe thatësira anembanë botës. Por jo të gjithë shkencëtarët janë në një mendje për ndikimin e ngrohjes globale, apo për një zgjidhje të pasojave të saj. Nga temperaturat e larta në Rusi, tek shirat e rrëmbyer në Pakistan e tek rrëshqitjet shkatërrimtare të dheut në Kinë, mjaft shkencëtarë parashikojnë se do të ketë më tepër raste të motit ekstrem, pasi klima në Tokë po ngrohet.

"Me ngrohjen e planetit, atmosfera mund të mbajë më shumë ujë, ndaj kjo do të sjellë rënien e shirave më të rrëmbyeshëm dhe kjo do të ketë pasoja shkatërrimtare", thotë meterologia Amanda Staudt e Federatës Kombëtare për Faunën dhe Florën, me qendër në SHBA. Amanda është bashkëautore e një raporti të vitit 2010-të kësaj organizate mbi të nxehtit ekstrem në SHBA. Ajo ka gjetur me statistika, se mjaft qytete përgjatë brigjeve lindore amerikane, krahasuar me temperaturat mesatare, kanë dyfishin e ditëve me temperatura 32 gradë celcius . Ajo njofton se kjo nxehtësi ekstreme do të bëhet shumë shpejt diçka e zakonshme.

"Ajo që më befasoi në këtë studim ishte se viti 2010 ndoshta do të konsiderohet një vit me klimë të butë në vitin 2050, ose të paktën do shihet si një vit i zakonshëm, duke patur parasysh ngrohjen globale dhe hapat me të cilat do të ecë ky fenomen në të ardhmen".

Zonja Staudt dhe shumë shkencëtarë të tjerë thonë se për shkak të ndotjes, do të shohet sasia e dioksidit të karbonit në atmosferë, që do të shoqërohet me temperatura të larta dhe do të shkaktojë ngrohjen globale. Por klimatologu Patrik Michaels i Institutit Cato thotë se problemi po ekzagjerohet.

"Këto qytete kanë temperatura të larta dhe do të kenë klimë më të ngrohtë me ose pa dioksidin e karbonit në atmosferë", thotë ai. Studjuesi Michaels thotë se betonimi i qyteteve e shkakton më shumë nxehtësinë se sa dioksidi i karbonit. Ai fajëson më shumë për të nxehtin ekstrem në bregun lindor të SHBA këtë vit, një cikël klimatik që u quajt La Nina.

Studjuesja Amanda Staudt thonë se moti ekstrem që vazhdon për një periudhë të gjatë mund të ketë ndikime negative- si probleme të shëndetit nga shtimi i alergjive, apo pakësimin e ushqimit, nga pakësimi i prodhimit, për shkak të të nxehtit. Këtë verë, thatësira dhe zjarret në Rusi kanë pakësuar ndjeshëm furnizimin e botës me grurë. Amanda Staudt thotë se një zgjidhje afatgjatë është që të përdoren forma të tjera të energjisë. "Ne duhet të fillojmë të heqim dorë nga varësia ndaj qymurgurit, naftës apo gazit dhe të kalojmë tek përdorimi i energjinsë së pastër, si energjia diellore apo ajo e erës, në kërkim të mënyrave për t'u bërë më efiçentë në përdorimin energjisë".

Por Patrik Michels thotë se këto nuk janë zgjidhje realiste. "Energjia e diellit nuk mund të përdoret gjerësisht, dhe nga ana tjetër energjia e erës nuk mund të jetë shumë e fuqishme". Michaels thotë se njerëzit gjithmonë u janë përshtatur ndryshimeve të mjedisit dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. " Kjo teori nuk është shumë e ndryshme nga teoritë e tjera apokaliptike, të cilat kanë qarkulluar në shoqërinë njerëzore në vite, si dhe për kërcënimet e tjera, ndaj të cilave jemi përshtatur".

Pavarësisht nga debati mbi ndryshimet e klimës, shkencëtarët bien dakord se qytetet do të vazhdojnë të ngrohen më shumë, ndërsa vazhdojnë të zgjerohen me më tepër ndërtesa dhe rrugë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama