2012 ja cfare pritet te ndodhe

2012, ja cfare pritet te ndodhe
Po lëmë pas një vit të trazuar e plot me ngjarje historike. Protagonistët kryesorë të 2011-s kanë qenë kriza ekonomike, vdekja e Bin Ladenit, Muamar Gedafit, pranvera arabe apo protestat e të indinjuarve në SHBA dhe disa vende të tjera. Por ndërsa troket 2012-a, çfarë mund të presim tjetër përgjatë 12 muajve të ardhshëm?

Opinionistë ndërkombëtarë kanë hartuar një listë me ngjarjet e pritshme për vitin 2012.

Franca socialiste

Nuk është e vështirë të kuptohet se diçka e rëndësishme do të ndodhë në politikën franceze. Në zgjedhjet e prilli të ardhshëm, figura e presidenti Sarkozi shikohet më në disavantazh sesa ajo e rivalit socialiste François Hollande. Pra, pritet që Franca të marrë kthesën majtas në aspektin politik.

Kriza kineze

Jo një krizë ekonomike, por politike. Interneti, rrjetet sociale dhe shembujt që vijnë nga Afrika veriore dhe Lindja e Mesme rrezikojnë të minojnë pushtetin dominues të qeverisë kineze. Një opsion për vitin e ardhshëm mbetet evolucioni i shpejtë demokratik në këtë vend.

Revolucioni në Siri

Po përpiqet ta mbajë pushtetin me çdo mënyrë, por e ardhmja e Bashar al Asadit në Siri duket se ëshë përcaktuar tashmë. Vala e gjatë e pranverës arabe duket se do të përfshijë edhe qeverinë siriane dhe në 2012 priten momente decizive.

Lamtumira e Ahmadinexhadit?

Është një ndër çështjet tek të cilat mund të vihen baste, por duket se viti i ardhshëm do të jetë viti i largimit të Mahmud Ahmedinexhadit nga pushteti. Ndërsa ai përpiqet ta zhvendosë vëmendjen e popullit të tij drejt armikut historik, SHBA-së, tensioni dhe zemërimi në Iran po rritet. Nuk përjashtohet mundësi që njeriu i fortë i Teheranit të jetë i detyruar të lërë pushtetin.

Ekstremizmi islamik

Një tjetër front mund të hapet për Amerikën në luftën kundër terrorizmit islamik. Nigeria dhe e gjithë zona subsahariane janë përfshirë nga trazirat. Zgjerimi i qeverive islamike dhe rritja e influencës së Al Kaedës në këtë rajon mund t’i shtyjë Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i përqendrojnë aty jo vetëm përpjekjet politike, por edhe ato ushtarake.

Forcimi i eurozonës

Pas krizës së 2011-s, viti i ardhshëm mund të jetë viti i rilindjes së kontinentit të vjetër. Me dëshirën e tyre apo jo, vendet e Eurozonës duhet të ndërtojnë një sistem ekonomik, fiskal e politik më të fortë e ta bashkuar, gjë që do të çojë drejt një Europe vërtet të bashkuar.

Dy tiranë drejt fundit

Nuk do të largohen për shkak të revolucionit popullor, por për shkaqe fizike. Do të jetë natyra ajo që do të fitojë betejën ndaj Fidel Kastros dhe Hugo Çavezit, dy udhëheqësit e fortë të Amerikës Latine. Kuba dhe Venezuela, të bashkuara nga lidhja e fortë e dy diktatorëve që i udhëheqin, mund të  përballen me humbjen e dy simboleve të komunizmit.

Fitorja e hakerëve

Kanë dhënë shpesh prova të aftësisë së tyre, por mesa duket piratët kompjuterikë janë gati për goditjen e madhe ndaj sigurisë së institucioneve politike dhe ekonomike. Analistët janë të bindur se në vitin 2012, sistemet kompjuterike të vendeve të rëndësishme, bankave dhe bursave do të  goditen rëndë nga hakerët.
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama