2012 nje vit (jo dhe aq) i brishte

2012, nje vit (jo dhe aq) i brishte
Një 2012 e pasur me ngjarje që kanë përfshirë mbarë botën dhe opinionin e saj. Nga fundi i një epoke (ajo e Nicolas Sarkozy në Francë), tek fillimi i një epoke të re, shumë më larg se aq, në territoret palestineze, të cilat do të njiheshin nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në fund të nëntorit. E pastaj, rizgjedhja e Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë për një madat tjetër 4-vjeçar; katastrofa e shkaktuar nga uragani Sandy që u përplas mbi New York, dhe vrasja e ambasadorit amerikan në Bengasi, në Libi, në vazhdën e protestave anti-amerikane kundër filmit që fyente islamin. Më tej akoma, psikoza-Maya, që është shpërhapur në çdo cep të planetit duke shtuar përditë e më shumë numrin e atyre që ankthshëm besojnë se botës do t’i vijë fundi më 21 dhjetor.

1. 2012-ta është shënjuar nga transformimi i Pranverës arabe në Siri, nga një luftë e mirëfilltë civile e cila mbolli më shumë se 40 mijë viktima. Tentativat për të arritur në një zgjidhje të mundshme nga ana e OKB-së janë refuzuar për tre herë radhazi brenda Këshillit të Sigurisë në Pallatin e Qelqtë nga ana e Rusisë dhe Kinës.
2. Qyteti i mrekullueshëm Aleppo, një  prej trashëgimive më të çmuara të Njerëzimit, është katandisur në një grumbull rrënojash nga betejat e ashpra të zhvilluara mes grupeve qeverisëse të Bashar al Assad dhe rebelëve që kundërshtojnë regjimin. Pasojat e pallogaritshme nuk kursyen as fëmijët e as gratë. Rrugët e Damaskut, dikur kryeqytet i njëmijë e një netëve janë katandisur në një fushëbeteja.

3. Në fillim të majit në Francë përfundon edhe epoka e Nicolas Sarkozy. Presidenti konservator dështoi kësaj radhe në përmbushjen e objektivit të tij për një mandat të dytë dhe largohet për ta lënë Pallatin Elize në duart e socialistit François Hollande, përmes së cilit e Majta kthehet në krye të vendit pas 17 vjet mungese.

4. Qysh prej fillimit të këtij viti bota mbarë filloi të dridhej. Kishte shpërthyer psikoza-Maya dhe nuk ishin të paktë ata që nisën të besojnë se më 21 dhjetor historisë së Tokës do t’i vijë fundi. Në Rusi madje duhet të ndërhyjë qeveria për të qetësuar shpirtrat e tronditur si dhe për të frenuar disi garën e ethshme për rezervat në ushqime dhe lëndë djegëse. Por, nga ana e tyre, shkencëtarët në këtë çështje, lajmërojnë se kanë bërë një gabim në llogaritje: bota nuk do të marrë fund në 2012, por dy muaj më vonë, në shkurt 2013. Ndërkaq, nuk janë të pakët ata që kanë nisur të pasurohen duke shitur kite mbijetese për Apokalipsin e ardhshëm.

5. Më 11 shtator 2012 sulmohet konsullata amerikane në Bengazi, ku mbetet i vrarë ambasadori i SHBA-ve Chris Stevens. Fillimisht mendohet se protestat anti-SHBA janë shkaktuar nga faktorë krejt të rastit dhe se vdekja e diplomatit ishte një aksident i dhimbshëm. Por më pas zbulohet se, me rastin e përvjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, grupe terroristësh kanë planifikuar me gjakftohtësi vrasjen e Stevens, në vazhdën e zemërimit popullor që shpërtheu për shkak të filmit anti-islamik “Pafajësia e myslimanëve”.

6. Në të gjithë botën islamike shpërthen zemërimi kundër SHBA-ve për filmin me titull “Pafajësia e myslimanëve”, i cili ofendon figurën e profetit Muhamed. Sekretarja e amerikane e Shtetit, Hillary clonton, e cilëson filmin “të neveritshëm” dhe të njëjtat tone përdoren edhe nga presidenti Barck Obama që, në kulmin e fushatës së tij elektorale, druhet se ndoshta kjo mund të ndikojë në dështimin e  rizgjedhjes së tij në krye të  Amerikës.

7. Në fund të tetorit Karaibet dhe bregu lindor i Shteteve të Bashkuara goditen nga uragani Sandy, i cili do ta lërë New York-un në errësirë dhe ujë për disa ditë. Goditja do të paralizojë Wall Street dhe metronë e Big Apple. Llogaritet që dëmet materiale të shkaktuara nga Sandy vërtiten rreth 65.6 miliardë dollarë.

8. Më 6 nëntor Barack Obama rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë, ku do të qëndrojë kështu edhe katër vite të tjerë. Ai mposht bindshëm sfidantin Republikan, Mitt Romney, pavarësisht se parashikimet e para kanë bërë të besohet se do të jetë një garë e ashpër deri në minutën e fundit.

9. Në gjysmën e dytë të nëntorit Izraeli nis një seri të re sulmesh në Rripin e Gazës, si reagim ndaj sulmit të raketave të rëna në territorin e tij në javët e fundit. Shumë druhen se është duke u shkuar drejt një lufte si ajo e fundit të 2007-ës që mbolli viktima të panumërta. Të tjerë besojnë se bombat janë në të vërtetë një ndërhyrje elektorale e kryeministrit konservator Benjamin Netanyahu. Në janar 2013 në Izrael do të hapen kutitë e votimit.

10. Më 30 nëntor Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i njeh Palestinës statusin e Shtetit dhe dekreton lindjen e tij. Shqipëria do të abstenonte në votim, ndërsa thuhet se Palestina zyrtare u shpreh se priste në fakt një votë Pro prej nesh. Megjithatë, pak rëndësi kishte. Në të gjithë Lindjen e Mesme kanë shpërthyer festimet. Për palestinezët ky është fillimi i një epoke të re.

11. Në dhjetor, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian gjenden në Stokholm për të tërhequr Çmimin Nobel për Paqen, që për këtë vit iu akordua Europës së Bashkuar për kontributin e saj në mbajtjen e paqes që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, si edhe për mbështetjen e promovimit të Të Drejtave të Njeriut në botë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama