2013-a fundi i kartemonedhave

2013-a, fundi i kartemonedhave
Portofoli do të dalë në pension. Për të paguar do të mjaftojë afrimi i dy aparateve celularë. Gjithçka do të jetë e mundur falë teknologjisë “Near Field Communication”

Pas pak kohësh paratë do të bëhen pjesë e fjalorit, duke ndryshuar përgjithmonë zakonet tona. Bëhet fjalë për teknologjinë NCF (Near Field Communication) që mendohet se do të ndryshojë përgjithmonë sektorin e pagesave të vogla. Kjo lloj teknologjie lejon dialogimin e dy aparateve elektronikë, thjesht duke i afruar. Ky revolucion do të nxjerrë në pension portofolat, bankomatet, madje edhe kartat e kreditit, të cilat do të zëvendësohen nga celularët, ose më saktë nga “smartphone”.

Në vitin 2014, sipas gjigantit “Google”, 50 për qind e telefonave do të jenë NFC dhe transaksionet e paguara me një celular NFC do të arrijnë në 50 miliardë dollarë. Duke iu referuar të dhënave të “Juniper research”, kjo shifër do të arrijë në vlerën 670 miliardë dollarë, vetëm një vit më vonë, pra më 2015-n. Por si funksionon teknologjia NFC? Kjo është një mënyrë më e thjeshtë pagese. Do të jetë udhëzuesi telefonik që do të identifikojë përdoruesin. Pagesa do të vijë në llogarinë bankare ose në faturat telefonike. Markat “Samsung”, “LG”, “Nokia” janë prodhuesit e parë të “smartphone”-ve që kanë prezantuar modelin NFC. Së fundmi nga interneti qarkullojnë zëra se edhe “iPhone 5” do ta përqafojë këtë teknologji të re. Teknologjisë NFC i janë përgjigjur edhe kompanitë “Paypal”, “Google”, “Visa”, “American Express”.

Nëse e ardhmja e pagesave të vogla do të jetë pikërisht kjo, atëherë për të arritur aty janë të nevojshëm disa hapa ndërmjetës. Për momentin njerëzit kanë vetëm dy mundësi në dispozicion: nga njëra janë kartat e kreditit, që në pjesën më të madhe të rasteve janë bosh, nga ana tjetër përdorimi i mesazheve për të bërë disa lloje pagesash. Ndërkohë po bëhen shumë prova për futjen e teknologjisë së re. Njëqind persona janë bërë pjesë e këtij eksperimenti dhe sot, bëjnë abonime mujore nga telefoni.

Po në Europë a është e pranishme një risi e tillë? Një projekt që ka lidhje me kompanitë celulare në Spanjë ka dhënë shifra shumë inkurajuese. 90 për qind e përdoruesve të “smartphone”-ve përdorin celularët për të paguar blerjet e tyre. Gjithashtu projekti bën të ditur se kur është e nevojshme, mund të përdoret edhe një sistem tjetër i quajtur “contactless” dhe është shumë herë më i besueshëm sesa një kartë krediti për të bërë “blerje elektronike”.

Në Lindje pagesat e këtij lloji janë bërë prej kohësh pjesë e realitetit. Në Japoni përdoruesit e teknologjisë NFC arrijnë mbi 100 milionë (tashmë blerjet me telefon janë bërë rutinë), në Hong-Kong një kartë që ka lindur më 1997-n për të paguar mjetet publike, sot është bërë fenomen i masës, aq sa pranohet edhe si dokument identifikimi. “Octopus card”, që gjendet në portofolat e 95 për qind të qytetarëve, përdoret thuajse kudo, edhe nëpër firmat e mëdha “McDonald’s”, “Starbucks” dhe “7-Eleven”.

Në Shtetet e Bashkuara aktorët kryesorë mbajnë emrat “Paypal”, “Visa” dhe “Google”. Ky i fundit në veçanti është përfolur shumë kohët e fundit për një sistem pagese “Google wallet” që nuk mbështetet vetëm në teknologjinë NFC për të zëvendësuar kartën e kreditit, por ka si qëllim të ripërtërijë vetë eksperiencën e të bërit pazar, duke shfrytëzuar gjeo-vendndodhjen, në bazë të së cilës mund të na informojë mbi ofertat më interesante që ndodhen në dyqanet rreth e rrotull nesh. Edhe për uljet mund të informohemi në mënyrë elektronike, ashtu siç ndodh përtej oqeanit, gjë që tashmë është kthyer në një tendencë.

Tashmë më shumë se sa një sistem me pagesë, jemi përballë një ekosistemi të vërtetë, një sistem virtual për të thjeshtëzuar eksperiencën e blerjeve, sidomos në vende ku është e pamundur kjo gjë. Duke qenë se gjiganti i madh “Google” nuk njeh kufij, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim se cila do të jetë çudia e radhës. Beteja për “portofolin tonë elektronik” sapo ka filluar.

E ardhmja në tri letra

Teknologjia NFC (Near Field Communication) u lejon dy aparateve celularë “të komunikojnë” me njëri-tjetrin thjesht duke i afruar. E vendosur në një mikroçip brenda një celulari, kjo teknologji bën të mundur blerjet e ndryshme. Do të mjaftojë afrimi i celularit pranë regjistratorit të shtëpisë (me çip NFC) në mënyrë që transaksioni të ketë vend dhe nuk do të jetë më e nevojshme të nxirrni nga xhepi portofolin ose kartën e kreditit. Do të jetë telefoni që do të identifikojë në mënyrë të pangatërrueshme përdoruesin. Të gjitha objektet në të ardhmen do të kenë një çip NFC dhe mund t’i tregojnë karakteristikat e tyre vetëm duke i afruar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama