Po na bien sipër!
Si fillim duhet të sqarojmë diçka: nuk ka asgjë të veçantë në faktin se ndonjëherë Toka goditet nga një meteor (siç përcaktohet një asteroid që bie në Tokë). “Objekte të largëta jashtëtokësore të gjerë disa metra godasin planetin tonë, të paktën një herë në gjashtë muaj, por në shumicën e rasteve copëtohen në atmosferë, duke i dhënë jetë bolidëve pak më të shndritshëm se yjet që bien, të cilat shkaktohen nga objekte edhe më të vogla”, thotë një astronom, i cili është edhe ekspert në këtë fushë. “Ndërsa objektet më të mëdha, rreth 10 metra, godasin Tokën një herë në 2 vjet”. Në të kaluarën këto ngjarje kaloheshin në pjesën më të madhe të rasteve pa u vënë re, ndërsa sot shumë sy janë drejtuar nga qielli dhe shkencëtarët janë më të prirur t’i studiojnë këto fenomene, sigurisht me rezultate të rëndësishme edhe për sigurinë tonë.
Publicitet i gabuar
Rasti që ka tërhequr më shumë vëmendjen e mediave ishte ai i kraterit të gjetur në pranë Mazsalacas, në Letoni më 26 tetor të 2009-s. Ishte i gjerë disa dhjetëra metra dhe i thellë 5 metra. “Por kishte një formë të ‘dyshimtë’”, shpjegon astronomi. “Së pari, ishte një njollë e errët shumë e thellë që të kujtonte shenjën e lënë nga shpërthimet e forta të një eksplozivi si tritoli, me temperaturë disa mijëra gradë dhe e aftë për të djegur terrenin. Së dyti, përreth kraterit nuk ishte e pranishme një material i veçantë, tipike e kratereve. Dhe për ta mbyllur, ishte shumë dyshues fakti që nuk u gjet asnjë meteor”.
Në fakt, në harkun kohor të pak orëve u zbulua se në të vërtetë bëhej fjalë për një fushatë publicitare të kompanisë telefonike suedeze “Tele2”, një iniciativë që autoritetet letoneze vendosën menjëherë ta gjobisnin me 17 mijë euro.
Si tri bomba
Ndërsa krateri i sajuar në Letoni tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës, një ngjarje më e rëndësishme kaloi pa u vënë re: më 8 tetor të vitit 2009, në orën 11.00, një bolid shpërtheu 20 kilometra mbi ishullin e Sulawesi-n, në Indonezi, duke lënë gojëhapur popullin. NASA konfirmoi menjëherë ngjarjen, duke shpjeguar: “Mendohet se krateri ‘Chicxulub’ i detyrohet një asteroidi të vogël me diametër disa dhjetëra metra, që për shkak të bashkëveprimit të shpejtë me atmosferën, ka shpërthyer duke çliruar një energji rreth 50 tonë”. Kjo mund të krahasohet me tri bomba si “Little Boy” që shpërtheu në Hiroshima në vitin 1945. Shpërthimi është regjistruar në 18 kilometra distancë (pothuajse gjysma e perimetrit të tokës) nga sensorët e infratingujve të instaluar për të paralajmëruar për shpërthimet e mundshme bërthamore. “Është pikërisht ky rreziku më i madh i episodeve të tilla”, thotë astronomi. “Nëse do të verifikohej një fakt i ngjashëm në një zonë të nxehtë të planetit, si në Indi, Pakistan ose Lindjen e Mesme, mund të ngatërrohet me një shpërthim atomik të rrezikshëm dhe të shkaktojë një reprezalje bërthamore”.
Rrezik ndërkombëtar
Mënyra më radikale për të ndaluar këto rreziqe është vëzhgimi i kujdesshëm i qiellit në kërkim të ndonjë rreziku të madh; dhe duke llogaritur, në rast përplasje me Tokën, vendin ku do të bjerë asteroidi.
Ka ndodhur pikërisht kjo më 6 tetor të vitit 2008, kur asteroidi i vogël 8TA9D69, i riemërtuar më pas 2008 TC3, u dallua nga “Catalina Sky Survey”. Në këtë pikë u aktivizua një sistem alarmi në shkallë globale, që në harkun kohor të pak orëve arriti të llogariste ekzaktësisht vendin dhe momentin e përplasjes me planetin tonë.
Gjetja
Andrea Milani, një matematikan nga Universiteti i Pizës dhe babai i programit “Clomon 2”, tregon se si ka funksionuar ky mekanizëm.
“Sa herë që zbulohet një asteroid i ri, të dhënat relative astronomike dërgohen në qendrën ‘Minor Planet Center’ të Harvardit (SHBA) dhe përdoren për të llogaritur probabilitetin e një përplasjeje gjatë një shekulli. Llogaritjet kryhen nga programe të pavarura në Shtetet e Bashkuara (‘Sentry’, përdorur nga laboratori i NASA-s ‘Jet Propulsion Laboratory’ në Pasadena, Kaliforni) dhe Europë (‘Colmon 2’ që rrotullohet në dy versione të ndryshme në Valadolid, Spanjë dhe në Pizë). Në rastin e asteroidit 2008 TC3, sistemi regjistroi automatikisht pamjet e asteroidit dhe parashikoi një përplasje brenda 24 orëve me një probabilitet 99.8 për qind: si pasojë u dërgoi një e-mail alarmues të gjithë specialistëve të interesuar”.
Kështu, lajmi filloi të qarkullonte mes ekspertëve, ndërkohë që një program tjetër në laboratorin “Jet Propulsion Laboratory” llogariste vendin e përplasjes, që rezultoi të ishte në veri të Sudanit. Pas dy muajsh u organizua një ekspeditë, e koordinuar nga Peter Jenniskens, astronom i qendrës së kërkimeve SETI (“Search for Extra Terrestrial Intelligence”) në Kaliforni. “Në atë vend u gjetën 47 meteorë”, komenton astronomi.
Verifikimet e arritura
Nga pikëpamja shkencore ishte një ngjarje historike: për herë të parë u zbulua një asteroid dhe u parashikuan si vendi ashtu edhe ora e përplasjes. Më pas shkencëtarët morën copat e meteorëve për të bërë studime të mëtejshme. Në këtë rast u zbulua se bëhej fjalë për një meteor të rrallë. Gjithashtu kjo ngjarje pati edhe një vlerë tjetër: “Verifikuam që sistemi i alarmit funksionoi për mrekulli dhe se jemi në gjendje të japim alarm edhe në një kohë shumë të shkurtër, pra brenda 24 orëve”, shpjegon astronomi. “Megjithatë kemi ende shumë punë për të bërë, para se të arrijmë të kemi një sistem të dobishëm në nivel botëror, sepse rreziku i përplasjes me një trup qiellor shkatërrues, si ai 5 megaton që u verifikua në zonën e Tunguskas, Siberi, në vitin 1908, mund të ndodhë nga çasti në çast. “Teorikisht një trup qiellor më i madh duhet shikuar më parë, por askush nuk mund të garantojë që është kështu”, thotë astronomi. Kështu, për të parandaluar ndonjë katastrofë të mundshme është e nevojshme të fuqizohet rrjeti pamor dhe të përcaktohet një protokoll ndërkombëtar, për të vendosur se kur duhet të ndizet alarmi, kush duhet ta japë lajmin dhe si të bëhet evakuimi.
Rreziku tjetër
Ajo që dimë sot është se asteroidi që ka shumë mundësi ta godasë Tokën në vitin 2018, ose 2027, quhet 2009 WM1 dhe është i gjerë rreth 300 metra. Ky asteroid do të ishte i aftë të shkatërronte komplet një hapësirë të madhe sa Franca. Llogaritjet e fundit tregojnë se tepër i rrezikshëm është edhe asteroidi “99942 Apophis”, ku ishte përqendruar edhe vëmendja e mediave në të kaluarën, i cili ka shumë mundësi të përplaset me Tokën në vitin 2036 ose 2028. Megjithatë, asteroidi “2009 WM1” ka një probabilitet përplasjeje 20 herë më të madhe, pra e barabartë me 0,01% (si të fitosh një lotari me 10 mijë pjesëmarrës) dhe një energji më të madhe përplasje të parashikuar.
Gjithsesi, tani për tani është e kotë të alarmohemi, pasi do të jenë të nevojshme vëzhgime të tjera për të kuptuar nëse rreziku është real. Ndërkohë, shpresojmë që të mos zbulojmë ndonjë asteroid me përmasa të njëjta si ai që goditi Tokën në Chicxulub (Meksikë) 65 milionë vjet më parë, duke çliruar një energji prej 190 mijë gigaton (miliona herë më shumë se një bombë me hidrogjen) dhe duke shkaktuar, sipas shumë hipotezave, zhdukjen e dinozaurëve.
Shtresa munguese
Sipas indianit Sankar Chatterjee, paleontolog në Universitetin Teknologjik të Teksasit (SHBA), ajo që i zhduku dinozaurët nuk ishte vetëm një përplasje, por dy (kjo e fundit ndodhi pas tri shekujsh). Chatterjee është i bindur, sepse ka zbuluar një krater të gjerë 500 kilometra, më shumë se dyfishi i Chicxulub, në Perëndim të Indisë. Megjithatë shumë shkencëtarë janë skeptikë. Christian Koeberl, docent në Universitetin e Vjenës dhe një nga ekspertët më të mëdhenj të kësaj fushe, thotë: “Nuk ka prova që e mbështesin këtë hipotezë. Nëse do të ishte e vërtetë, e gjithë bota do të mbulohej nga një shtresë e madhe pluhuri, por në fakt nuk është kështu. E vetmja shtresë e asaj epoke është ajo që i përket kraterit të Chicxulub”.
Nëse një asteroid kaq i madh do t’i drejtohej Tokës, një rrugë shpëtimi mund të gjendej. Por, në fakt, një asteroid i madh është i lehtë për t’u identifikuar: mund të parashikohet përpara nëse bëhet fjalë për një kërcënim real dhe, duke vepruar me shpejtësi të madhe mund të parandalohet. Si? Duke i ndryshuar trajektoren, për shembull duke i vënë para një sondë për ta spostuar, ose duke e tërhequr me një “traktor hapësinor”. Teknologjia mund të zhvillohet, por është e nevojshme edhe një politikë e mirë dhe kooperimi ndërkombëtar. Ky është momenti që të fillojmë t’u bëjmë ballë rreziqeve.