Vrasja e Nikës pa autor, vazhdon hetimi për Burgajn, Kuliçajn dhe dhunën policore
Në përvjetorin e katërt të ngjarjeve para, gjatë dhe pas demonstratës së 21 janarit 2011, ku u vranë me armë zjarri katër persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën apo u torturuan, prokuroria shqiptare ka ende të hapura tre procedime penale. Asnjë person nuk është në qeli, megjithëse hetimet filluan për vrasje, plagosje apo dhunë ndaj protestuesve. Drejtësia ka dhënë dy dënime qesharake, ku ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, u dënua nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg, ndërsa ish-vartësi i tij, Agim Llupo, me kohën e paraburgimit. Çështja ka kaluar në dy shkallë, ndërsa pritet verdikti i Gjykatës Supreme, para se të kalojë ndoshta në Gjykatën Kushtetuese apo edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, prokuroria thotë se ka ende tre procedime të hapura, por sërish asnjë i pandehur, por vetëm me persona nën hetim. Një nga pyetjet që ngrihet ende nga prokuroria është se nga cila armë është qëlluar plumbi që preku në kokë demonstruesin lezhjan, Aleks Nika. Megjithëse ka dyshime konkrete, ende nuk është provuar shkencërisht se pistoleta e Ndrea Prendit qëlloi mbi Nikën. Ndërkohë është faktuar se Ziver Veizi është qëlluar nga arma e Agim Llupos, ndërsa Faik Myrtaj është qëlluar nga pistoleta e Ndrea Prendit. Por, në të dyja rastet, ekspertët paraqitën në prokurori e gjykatë raporte shkencore që flisnin se plumbat kanë qenë rikoshet! Ndërkohë, pa autor mbetet edhe vrasja e Hekuran Dedës, pasi në gjykatë nuk u provua të jetë qëlluar nga Agim Llupo.
Vrasja e Nikës
Prokuroria pranon zyrtarisht se kjo çështje është ende nën hetim, ku herë pas herë mblidhen prova. Gjatë hetimit të çështjes “21 Janari” në Prokurorinë e Tiranës, kishte dyshime se ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, u dyshua edhe për këtë vrasje. Ai ka qëlluar 11 fishekë ditën e demonstratës së 21 janarit dhe një nga predhat e qitura nga pistoleta e punës preku trupin e pajetë të Faik Myrtajt. Për këtë vrasje, ai u dënua nga Apeli, ndërsa vrasja e Aleks Nikës nga Lezha vijon të mbetet mister. Kohë më parë, kreu i akuzës, Adriatik Llalla, pohoi se ngjarja “është pranë zbardhjes dhe shumë shpejt do të ketë një autor”. Por, kanë kaluar dy vite që nga koha kur zoti Llalla mori detyrën dhe sërish nuk ka asnjë autor. Nisur nga një verifikim i kërkesës zyrtare për gjykim të prokurorisë, rezulton se për këtë vrasje dyshohet pikërisht Ndrea Prendi, megjithëse nga hetimet e mëparshme nuk u gjetën prova për fajësinë e tij. Madje, drejtuesit e mëparshëm të prokurorisë, kanë bërë edhe krahasime mes vrasjes së Myrtajt dhe Nikës. Janë gjetur edhe disa prova të përbashkëta, por dëmtimi i predhës që është gjetur në trupin e lezhjanit e ka bërë të pamundur zbulimin e armës dhe për rrjedhojë të autorit.
“Urdhrat e ndalimit”
Në muajin shtator 2014, prokuroria tha se ka marrë nën hetim dy ish-krerët e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj për shpërdorim detyre. Ata akuzohen se nuk kanë zbatuar vendimet e grupit hetimor të çështjes “21 Janari” për të arrestuar “grupin e zjarrit”. Pas kallëzimit të SHKB-së, prokuroria regjistroi fillimisht procedimin penal dhe pas verifikimeve procedurale, konstatoi se kallëzimi kishte elemente të veprës penale. Burgaj dhe Kuliçaj, janë persona nën hetim, ku ish-drejtori i Policisë së Shtetit është pezulluar nga detyra, ndërsa ish-zëvendësi i tij, është i punësuar si këshilltar në Partinë Demokratike. Kallëzimi i SHKB-së është regjistruar në prokurori në mes të muajit korrik 2014. Janë gjetur shkelje të rënda të këtyre oficerëve për moszbatimin e urdhrave të prokurorisë për ndalimin e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, të cilët dyshoheshin se kishin urdhëruar të qëllonin me armë zjarri në drejtim të turmës. Urdhrat e ndalimit janë prerë në orët e para të 23 janarit 2011, ku shkresa e firmosur nga prokurori Genci Qana i shkoi në zyrë Hysni Burgajt. Por, këto urdhra nuk u zbatuan. Akuza thotë se ka prova se këta dy ish-drejtues madhorë të policisë kanë urdhëruar që të mos ekzekutoheshin, ndërsa akuza thotë se kërkon të gjitha letërkëmbimet mes prokurorisë dhe policisë në atë kohë.
Dhuna policore
Një vit me parë, prokuroria trumbetoi se kishte nisur një hetim të gjerë për veprimet e policisë. Kishte dyshime se oficerë madhorë të policisë, në detyrë apo të shkarkuar pas reformës, kishin urdhëruar vartësit që të shoqërojnë me forcë demonstruesit. Gjatë shoqërimit, në automjetet e policisë, apo edhe në komisariate, dhjetëra persona u dhunuan dhe u torturuan. Hetimet 12-mujore janë ndalur te sekuestrimi i planit të masave dhe identifikimit e marrjes në pyetje të gjithë agjentëve civilë, punonjësit e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe oficerëve të Drejtorisë së Policisë dhe Komisariateve të angazhuar dhe fiksuar nga kamerat e mediave të ndryshme, pasditen e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Madje u morën edhe mbi 116 kallëzime penale, nga demonstrues, qytetarë të rastësishëm dhe gazetarë që kanë denoncuar dhunën ndaj policisë. Pjesë e dosjeve hetimore, u bënë edhe raportet e Mjekësisë Ligjore. Megjithatë, sërish hetimet kanë mbetur në vendnumëro, ku policia dhe prokuroria kanë vetëm letërkëmbime, pa ndonjë person të hetuar apo proceduar. S. Çobo
Të vrarë
Ziver Veizi
Hekuran Deda
Faik Myrtaj
Aleks Nika
Të plagosur
Fatos Mahmutaj
Erald Bisha
Sokrat Gode
Artes Dybeli
Ilia Qesko
Ilia Papa