Mirëpo, NASA ka ofruar dëshmi se 21.12.2012 do të jetë vetëm një ditë tjetër:
1. Fundi i botës: Kalendari i Maja përfundon më 21.12.2012
Sipas ekspertëve të NASA-s, kalendari i lashtë nuk përfundon më 21 dhjetor, porse në këtë datë fillon cikli i ri kohor, ngjashëm sikur që cikli aktual përfundon më 31 dhjetor dhe i riu fillon më 1 janar.
2. Goditja e Tokës me planetin misterioz Nibiru
Një nga mitet e përmendura është edhe ai rreth planetit Nibiru, ekzistimi i të cilit nuk është dëshmuar asnjëherë. Sipas mitit, planeti në fjalë do të afrohet dhe do të përplaset me Tokën në muajin dhjetor.
“Nëse ndonjë planet do t’i afrohej tonit, ne do ta kishim vërejtur shumë kohë më parë. Mijëra astronomë çdo ditë e vështrojnë qiellin dhe nuk kanë vërejtur diçka të ngjashme. Ndërsa nëse planeti do të ishte i padukshëm, sidoqoftë do të kishim vërejtur efektet e gravitacionit të tij në planetët përreth”, thonë ekspertët e NASA-s.
3. Stuhia diellore që do ta shuajë jetën në Tokë
Mbështetësit e paragjykimeve për shkatërrimin e botës, po ashtu kanë frikë nga stuhitë diellore që, sipas tyre, mund të rezultojnë me vdekjen masive të njerëzve. Shkencëtarët thonë se stuhi të tilla diellore ekzistojnë, porse rrezatimi që shkaktojnë nuk është i dëmshëm për shëndet.
“Dy stuhi të mëdha diellore kanë ndodhur para disa ditësh, mirëpo ato janë pjesë e ciklit normal 11-vjeçar të diellit”, sqarojnë shkencëtarët.
4. Shkatërrimi i botës për shkak të nivelimit të planetëve
Skenari tjetër i shkatërrimit të botës përfshinë edhe një valë të madhe të përmbytjeve që do të shkaktojë, siç thuhet, nivelimi i planetëve.
Mirëpo, shkencëtarët pohojnë se në dhjetor planetët nuk do të ndodhen në të njëjtin nivel, madje edhe nëse kjo ndodh, nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në valën e përmbytjeve, sepse në to nuk ndikojnë planetët.
5. Çrregullimi i rotacionit të Tokës dhe fushës magnetike
“Boshti i rrotullimit në asnjë rast nuk mund të ndryshojë, sepse e stabilizon orbita e hënës rreth Tokës”, shpjegojnë ekspertët, duke mohuar mitin se më 21 dhjetor do të çrregullohet rotacioni i planetit tonë.
Sa i përket fushës magnetike, shkencëtarët thonë se ndryshimi ndodh çdo gjysmë milion vjet, mirëpo nuk ka fakte se do të ndodhë në dhjetor. Mirëpo, edhe nëse ndodh, nuk do të ketë kurrfarë pasoje mbi ekzistencën e jetës në Tokë.