Lidhja e vetme mes fëmijëve dhe keqbërësve është pikërisht kjo hapësirë, ku kushdo mund të jetë një person tjetër dhe ku fëmijët janë preja më e lehtë për t'u kapur. Aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile herë pas here ngrenë shqetësimin për këtë botë të re ku përfshihen fëmijët. Një botë pa kontrollin prindëror dhe me rrezikun e përhershëm në derën e shtëpisë. Një botë ku fëmijët janë tërësisht të lirë, të komunikojnë, të njihen, të luajnë e të krijojnë lidhje. Në këtë pikë, prindërit nuk kanë shumë kontroll mbi fëmijët e tyre, pasi, siç pohojnë rreth 55% e fëmijëve, që telefonojnë në linjën e këshillimit ALO 116, "Prindërit e tyre nuk dinë të përdorin kompjuterin".
Sipas të dhënave të CRCA Albania, rreth 70% e fëmijëve që kontaktojnë me këtë zyrë janë përdorues të rregullt të internetit. Por çfarë i josh fëmijët në këtë botë paralele dhe çfarë sakrifikojnë ata për të kaluar më shumë orë on-line. Jashtë syrit të prindërve dhe me aparatet e fjalës së fundit teknologjike ja se çfarë ndodh në jetët virtuale të adoleshentëve të sotëm kryeqytetas... Dita fillon me përdorimin e teknologjisë. Zilja e zgjimit nuk vjen më nga një orë me kurdisje, pranë shtratit, por nga kënga më e dëgjuar e momentin që del nga telefoni. Më tej kompjuterin, MP4 (MP3 është modë e vjetër tashmë) fëmijët i përdorin për të dëgjuar muzikë, për të marrë vesh të rejat më të fundit nga miqtë apo faqet e internetit, për të shkëmbyer mesazhe dhe për t'u zbavitur.
Mes nxënësve kryeqytetas dhe teknologjisë duket se ekziston një marrëdhënie natyrale dhe intensive. Një marrëdhënie kjo që sikundër pohojnë edhe disa prej tyre shpesh mund të shndërrohet në një lidhje të tepruar dhe totalitare. Bojana, 16 vjeç, tregon si nisi lidhja e saj me botën elektronike. "Jam ulur për herë të parë para kompjuterit kur isha 7 vjeç. Gjithçka më dukej e çuditshme. Madje, arriti një moment kur harrova dhe kukullat për të lundruar në kompjuter. Doja të zbuloja diçka më shumë. Doja të imitoja prindërit e mi.
Në fakt sa herë shikoja të ulej ndonjë në kompjuter i shkoja afër për të parë se çfarë bënte. Më pas përpiqesha të bëja të njëjtën gjë", - thotë ajo.
Xheni, 15 vjeç, pranon që mund të kishte kaluar më pak kohë pranë kompjuterit, por ja që e vërteta është ndryshe, nuk ia del dot të rrijë larg tij. "Jam rritur me videolojëra, kam luajtur shumë playstation. Kam një IPod dhe tani ëndërroj për IPhone".
Ai tregon se për të ndenjur para kompjuterit i vjedh kohën aktivitetet të tjera, si sportit, studimit e leximit të librave. E të gjithë vëmendjen ia kushton komunikimit në Facebook, shpesh duke folur në një gjuhë të çuditshme që lind shqipja, por që shndërrohet në një kod që vetëm ai dhe miqtë e tij mund ta kuptojnë.
Ka nga ata adoleshentë, të cilët e kalojnë edha cakun e një bisedë normale virtuale. Duke "ngacmuar" vajzat e klasës me adresa false, duke u hequr si persona të tjerë, me moshë më të madhe. "Ka nga ata që marrin fotot e vajzave dhe hapin adresa te reja facebook-u me to, duke u vënë epitete nofka të ndryshme", tregon 16 vjeçari Eno.
Rubeni, 18 vjeç, ka një tjetër perspektivë të jetës on-line. Ai na tregon historinë e lidhjes së mikut të tij. "Vajza jeton në jug të Shqipërisë, kurse shoku im në Tiranë. Ata jetojnë të ndarë dhe përpiqen të afrohen nëpërmjet teknologjisë". Thuajse çdo ditë nis me mesazhe (sms). "Gjes si u çove? Fjete mirë? Sot do të jetë një ditë e bukur? Më ka marrë malli. Dhe në fund një buzëqeshje elektronike :).
Por mes argëtimit dhe komunikimit epoka teknologjike duket se ka krijuar konfuzion tek të rinjtë e ditëve të sotme. Të gjendur përpara revolucionit teknologjik të mijëvjeçarit të tretë, ka nga ata që ngrenë pikëpyetje mbi mekanizmin e institucioneve të edukimit. Konkretisht shkollës.
Një kontrast i madh ekziston mes programit strikt të saj (i cili ndryshon një herë në pesë vjet) dhe informacionit të pafundmë që ekziston në internet. Informacion ky që ndryshon çdo sekondë. Ana më të drejtë pyet: "Si mund të na përgatisë shkolla për të ardhmen kur ajo i përket endë së kaluarës?"
Për Benin, 18 vjeç, teknologji do të thotë të izolohesh për të hyrë në botën e muzikës dhe të filmave aksion të Hollivudit. "Në ditën time iPodi dhe televizioni janë dy elementë që nuk mungojnë kurrë. Më pak është i pranishëm kompjuteri. Ai më duhet vetëm për të shkarkuar filma dhe muzikë".
Mungesën e interesat ndaj kompjuterit ai e sheh edhe si një gjë të çuditshme. "Shumë moshatarë të m'i kalojnë orë të tarë duke biseduar në rrjete të ndryshme sociale. Kurse mua më pëlqen më shumë të mbyllem në botën time të muzikës, ku mund të qetësohem, pasi në kompjuter jeta ime private është e ndarë me të tjerë, madje shpesh edhe me njerëz të panjohur. Gjë që mua s'më pëlqen shumë", - thotë ai.
Por rrjetet sociale ku komunikohet, ndahen foto e video apo luhet nuk janë të vetmet kurthe të internetit.
Për Egin, në botë ekziston një sëmundje e re, të cilën ajo e quan "Wikipediko". "Duke hyrë në enciklopedinë më të madhe on-line "Wikipedia", nuk i dihet se ku përfundon. Nis më kërkimin e një të dhënë për X autor, pastaj kalon te një faqe që flet për historinë e Meksikës.
Duke klikuar tek fjalët blu në fund të faqes çoroditesh dhe si përfundim humbet fillin, me të cilin ke nisur kërkimin. Në këtë mënyrë nuk mund të kryhet si duhet një kërkim mbi një temë të caktuar", - argumenton ajo. Ndonëse kalojnë një pjesë të madhe të lidhur me aparatet teknologjie, jashtë vëmendjes së prindërve adoleshentët e sotëm e kuptojnë rrallë e kuptojnë rrezikun që vjen nga interneti dhe shumë pak prej tyre arrijnë të besojnë se "diçka e keqe" mund të vijë nga faqet e preferuara on-line.
Në Shqipërinë që po përqafon shumë shpejt botën e internetit, abuzimi on-line është një fenomen që ende nuk ka marrë përmasa gjigante. Në këtë pikë është më mirë të parandalohet, sesa të luftohet për të gjetur një kurë pasi dukuria të ketë marrë dhjetra jetë fëmijësh.
Këshilla për prindërit
Informohuni për rreziqet që mund t'ju vijnë fëmijëve gjatë përdorimit të internetit, në veçanti për sulmet seksuale nëpërmjet internetit
Komunikoni dhe bisedoni me fëmijën tuaj rreth rreziqeve të mundshme që mund t'ju vijnë nga përdorimi i internetit
Kaloni një kohë të caktuar së bashku me fëmijët tuaj duke eksploruar në internet. Bëni të mundur që ata t'ju tregojnë rreth gjërave të pëlqyeshme dhe faqeve të vizituara vazhdimisht prej tyre
Vendoseni kompjuterin në dhomën tuaj të ndenjes dhe jo në dhomën e fëmijëve
Krijoni në kompjuter "përdorues të veçantë" për fëmijët tuaj, duke përcaktuar dhe kufij përdorimi
Instaloni në kompjuterët tuaj programe të posaçme të cilat kryejnë filtrimin e faqeve që kërkojnë akses në internet
Tregojuni fëmijëve tuaj se informacioni që ata marrin nga interneti mund të jetë ose jo i vërtetë
Bëni kujdes që fëmija juaj të mos frekuentojë "Internet Kafe" pa praninë e një personi të rritur
Këshilla për fëmijët
Mos lini takim me asnjë person, me të cilin jeni njohur nëpërmjet internetit
Mos postoni fotografi personale për persona që nuk i njihni
Mos u jepni informacion rreth adresës së shtëpisë, shkollës apo numra telefoni, personave të panjohur ose atyre të njohur nëpërmjet internetit
Mos shkarkoni foto ose video të dërguara nga adresa ose njerëz të panjohur ose persona të njohur nëpërmjet internetit
Mos iu përgjigjni asnjëherë mesazheve apo postimeve nga persona të panjohur
Lajmëroni prindërit në rast se merrni mesazhe me përmbajtje të papërshtatshme për moshën e tyre
Rrjetet sociale
Sipas statistikave, gjysma e të rinjve në botë janë përdorues të rregullt të rrjeteve sociale
Aty fëmijët ngarkojnë të dhënat e tyre personale dhe fotot shumë lehtë pa marrë parasysh rreziqet
Më shumë se 300 milionë njerëz në të gjithë botën janë përdorues aktivë të rrjeteve sociale
Numri më i madh i përdoruesve rreth 48% përket moshës mes 18-24 vjeç
15% i përkasin moshës 16-17 vjeç
19% moshës 25-34 vjeç
12% moshës 13-15 vjeç
1% moshës 55- 64vjeç
Një përdorues ka mesatarisht 130 miq në faqe
Më shumë se 2 miliard foto dhe 14 milionë video ngarkohen çdo muaj në internet
Prania e fëmijëve në internet
70% e fëmijëve tregojnë se gjatë kohës që kalojnë në internet janë të pashoqëruar nga prindërit
55% e fëmijëve tregojnë se prindërit e tyre nuk dinë ta përdorin kompjuterin
20% e fëmijëve ankohen se në profilet e tyre janë postuar publikime, foto apo video me përmbajtje ofenduese dhe banale
5% e tyre janë ankuar se fjalëkalimi i faqes së tyre është vjedhur dhe profili apo të dhënat e tyre janë përdorur nga dikush tjetër