Kur dëgjon për herë të parë këtë shifër, të rrallë janë ata që nuk impresionohen. Breza të tërë violinistësh shqiptarë kanë vendosur të ndërtojnë karrierën e tyre jashtë vendit dhe kanë gjetur atje suksesin. Personazhi i parë dhe më i famshëm në Shqipëri por dhe në botë për suksesin e tij është padyshim Tedi Papavrami, i cili jeton e punon në Zvicër aktualisht. Historia e tij e largimit në fund të viteve 80 së bashku me familjen drejt Francës tronditi realitetin shqiptar dhe u fol gjatë në media. Ai ishte violinisti i parë që u largua përfundimisht nga Shqipëria për të jetuar dhe punuar si artist në një shtet perëndimor. Ndërsa sot historia më e fundit e një largimi të tillë i përket spalës së orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Suela Piciri. Një talent absolut i skenës tonë, ajo ka fituar së fundmi një ndër konkurset më të rëndësishëm ndërkombëtarë në violinë dhe është vendosur në një vend me traditë në muzikën klasike si Italia. Dhe historitë e tyre janë vetëm skajet e këtij zinxhiri talentesh.
Tradita e violinës në Shqipëri
Në fillmin e viteve 70 të shekullit të kaluar shteti komunist shqiptar vendosi ti jepte një përparësi të madhe zhvillimit të artit dhe kultivimit të talentve në vend. Ky u kthye në një sektor të privilegjuar për të bërë një karrierë të sukseshme, ku u dyfishuan financimet dhe filloi të kishte investime të mëdha. U hapën shkolla të mesme artistike në 8 qytete të vendit, e shumë shkolla tetëvjeçare filluan të kishin profilizim muzikor. Të gjitha këto u mbështetën me mësues e specialistë të dalë nga shkollat tona, bazë materiale, literaturë e cila u mbështet edhe me krijimin e një shtëpie botuese qe u vu në dispozicion të materialeve muzikore. Shteti nga ana e tij nisi të organizonte së bashku me shkollat e muzikës konkurse nëpër rrethe për gjetjen e talenteve të rinj, që vinin nga gjiri i klasës punëtore. Talenti për fat të mirë ishte kriteri bazë për përzgjedhjen në këtë mënyrë të fëmijëve që merreshin që në klasë të parë fillore.
( Vlen të përmendet ketu rasti i një artisti shumë të talentuar, zbuluar në mënyrë të tillë, violinistit Arben Spahiu që sot është koncert master në Statsopera të Mynihut në Gjermani) Duhet pohuar që në këtë moment shkollat dhe trupat pedagogjike e justifikuan plotësisht veten e tyre në përgatitjen e talenteve. Ishte kaq e vërtetë sa në kohën e rënies së diktaturës, talentet shqiptare ishin tërësisht në nivel europian sa i përket përgatitjes artistike. Kryesisht në instrumentin e violinës i cili kishte më shumë masivitet, violinçele dhe piano. Ishin pikërisht ata instrumentistët, që u përballën të parët me institucione europiane si shkolla, vende pune, orkestra, konkurse ndërkombëtare, duke e njohur Shqipërinë në mënyrë të menjëhershme si një shkollë të fortë që vinte nga ish vendet komuniste. Sot ky fakt pasqyrohet me shifrën e 240 violinistëve të cilët jetojnë dhe punojnë me profesionin e tyre anembanë botës nga Europa në SHBA. Gjithashtu duhet përmendur fakti se edhe violinçeli ka një numër më të vogël artistësh në botë, por shumë cilësor.
Histori suksesi në botë
Mialtin Zhezha
Solist (Violinë-Violë, SHBA)
Vlerësohet nga “The Hartford Courant” për muzikën e tij ekspresive dhe të ngrohtë me një intonim të pagabueshëm, artisti me origjinë shqiptare Mialtin Zhezha është një violinist i shkëlqyer, violist dhe pedagog. Ai ka interpretuar në skenat më të rëndësishme në SHBA, si Carnegie Hall, Merkin Hall, Miller Auditorium por edhe në Europë, në vende si Italia, Mbretëria e Bashkuar, Greqi, Kosovë e Shqipëri. Mialtin Zhezha është një muzikant dhome me karrierë të jashtëzakonshme. Ai është ftuar nga “Fontana Chamber Arts Society” disa herë për të vënë në skenë premiera të disa prej kompozimeve të Curtis Curtis-Smith dhe Carter Pane. Ai është anëtar i trios Lorelei Piano dhe Asmus String Quartet. Por më e rëndësishmja është puna e tij me emra të shquar muzikantësh bashkohorë si Pinchas Zukerman, Laërence Dutton, Michael Tree, Robert Mann, por dhe Emerson apo Tokyo Kuartet.
Enkelejda Sheshaj
Soliste (Violiniste në Scala, Itali)
Ka prekur një violinë me dorë në moshën 6 vjeçare në Shqipëri dhe sot është një ndër artistet qëndrorë të orkestrës filarmonike të Teatrit Scala. Në mesin e viteve 80 fiton në Shqipëri shumë çmime të para në konkurset kombëtare dhe në vitin 1994 largohet drejt Italisë për të ndjekur studimet në Konservatorin G.Verdi në Milano me ftesë të Maestro Marcello Abbado dhe punon nën drejtimin e Maestro Daniele Gay. Merr pjesë në një seri konkursesh ndërkombëtare ku nderohet me çmime të dyta e të treta dhe në vitin 1995 fiton bursën prestigjioze të studimit “Dragoni” të Konservatorit të Milanos.
Menjëherë pas saj fiton çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “ G. Astarita” të Napolit dhe çmimin e parë të konkursit të “Shkollës muzikore të Milanos” në bashkëpunim me Teatrin Scala. Më pas me krenari mund të themi se nëse vazhdojmë të shkruajmë Cv e jashtëzakonshme të kësaj artisteje shqiptare, ky artikull nuk do të mjaftonte. Dhjetëra çmime, soliste në orkestrat kombëtare të vendeve të ndryshme, spalë në orkestra private, pjesëmarrje në trio, quartete e muzikë dhome, ajo është një artiste e mrekullueshme. Do ta mbyllim duke thënë se në vitin 2009 Enkeljeda Sheshaj fiton konkursin ndërkombëtar të Teatrit Scala me një vendim unanim të komisionit të jurisë. Pikërisht në këtë teatër ajo është në organikën e violinave të para. Interpreton në një violinë të markës E.Degani të vitit 1894.
Brunilda
Myftaraj
Soliste,
Drejtore Orkestre
E diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë është një ndër emrat më të spikatur të violinisteve shqiptare në botë. Ajo ka studiuar me profesorët më të shquar të violinës në Europë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke përfshirë emra si Piero Farulli të “Quartetto Italiano”, Alberto Lissy nga Yehudi Menuhin Academy, Phil Setzer dhe Eugene Drucker të “Emerson Quartet”, Rafael Druian dhe Renato Bonacini. Brunilda Myftaraj ka perfomuar intensivisht si soliste e ka realizuar koncerte recitalë në Europë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka interpretuar koncerte për radio e televizione të rëndësishme të Bostonit, Nju Jorkut, Connecticut etj. Ajo ka interpretuar si soliste në shumë orkestra duke përfshirë “Hartford Symphony” dhe “Connecticut Virtuosi Chamber Orchestra”.
Ajo është fituese e konkursit Van Rooy dhe një ndër fitueset për tu bërë pjesë e quartetit të rëndësishëm Emerson. Brunilda myftaraj është cilësuar nga “New London Critic” si një artiste shumë e mirë dhe me muzikalitet të bukur. Ajo ka qënë pjesëmarrëse dhe fituese në disa konkurse prestigjioze të tjera si “Young Artist Guild” në Nju Jork apo “Indianapolis International Violin Competition” dhe Lipizer konkurs në Gorizia, Itali.