Janë shtuar 25 mijë kontribuues të rinj në skemën e sigurimeve shoqërore, apo u hapën 25 mijë vende të reja pune, siç deklaroi më 1 maj Kryeministri Rama? “Këtu nuk flasim për shifra të fabrikuara, por flasim për shifra që burojnë nga lista e kontribuuesve në sigurimet shoqërore”, u shpreh Rama. Kjo shifër, megjithëse lidhet me punën, nuk duhet kërkuar te Ministria e Mirëqenies, por aty ku mblidhen kontributet.
Tatimet
Suksesi i Drejtorisë së Tatimeve në mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që reflekton luftën ndaj evazionit fiskal, po menaxhohet nga një institucion tjetër, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Bëhet fjalë për rritjen prej 6 për qind të vlerës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të mbledhura nga tatimorët gjatë tremujorit janar-mars 2014. Janë 811 milionë lekë më shumë kontribute krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Sipas Tatimeve, për muajin janar, kontributet e sigurimeve u rritën me 5.2 për qind. Nëse e marrim të mirëqenë faktin se këto janë vende të reja pune, koha e hapjes së tyre duhet të jetë dhjetori dhe janari, sepse rritja e vlerës së kontributeve të mbledhura në muajt më pas nuk ndryshon shumë. Kështu, gjatë muajit shkurt 2014 janë mbledhur 4 miliardë e 345 milionë lekë kontribute ose 243 milionë lekë më shumë se muaji shkurt 2013, duke shënuar një rritje prej 5.9% më tepër se kjo periudhë e mëparshme. Ndërsa, gjatë marsit janë mbledhur 4 miliardë e 427 milionë lekë ose 296 milionë Lekë më shumë se muaji mars 2013, duke realizuar një rritje prej 7.18% më shumë se kjo periudhë e mëparshme. A përkthehet kjo vlerë automatikisht me vende të reja pune?
Përballja me shifrat e ISSH-së
Nëse do të ndiqnim këtë logjikë për matjen e tregut të punës, atëherë, sipas shifrave të ISSH-së, të publikuara në dhjetor 2013, ku del se janë shtuar 50471 kontribuues krahasuar me një vit më parë, i bie që qeveria të ketë hapur të paktën 50 mijë vende të reja pune. Gjatë vitit 2012, skema e sigurimeve shoqërore kishte 651,614 persona, ndërsa në vitin 2013 arriti 702,086 vetë, prej të cilëve, 446,473 në qytet, 205,191 persona nga fshati, 13,494 të klasifikuar me përfitim afatshkurtër. Sigurisht që këta persona të rinj që hyjnë në skemë, kanë qenë pjesë e tregut të punës, por në mënyrë informale.
INSTAT: Punësimi u ul
Gjatë tremujorit të katërt 2013, sipas vlerësimeve të marra nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës, e realizuar nga INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 58,4%, duke shënuar një ulje prej 0,3 pikë përqindje kundrejt tremujorit të tretë të të njëjtit vit. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm punësimi në tremujorin e katërt të vitit 2013 pati një rënie të lehtë prej 0,6%. Kontributin më të madh në rënien e punësimit e zë sektori i ndërtimit, ku punësimi ka pasur një trend në rënie gjatë gjithë vitit 2013. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm punësimi në sektorin e ndërtimit u ul me 6%. Tkurrja e punësimit në sektorin e ndërtimit në terma vjetorë vlerësohet të jetë 25%. Punësimi në industrinë përpunuese u rrit me 1% krahasuar me tremujorin e tretë dhe zinte 8% të punësimit total. Vlerësohet se 23,5% e të punësuarve në tremujorin e katërt 2013 punuan në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automobilave, hotelet dhe restorantet, transportet, magazinimi dhe komunikacioni, ndërmjetësimi monetar dhe financiar, pasuritë e patundshme). Numri i të punësuarve në sektorin e shërbimeve të tregut u rrit me 5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013.
Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes, sigurimi shoqëror, arsimi, shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale, aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv, social dhe individual, shërbime në shtëpi, aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbënte 17% të punësimit total. Në këtë sektor pati një rënie të punësimit prej 1% krahasuar me tremujorin pararendës. Ndërkaq, 24,4% e të punësuarve ishin të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar, pa të punësuar të tjerë me pagë), ndërsa punëtorët pa pagesë që punojnë në biznesin e familjes së tyre, përbënin 33% të punësimit total. Në këtë sondazh të punësuar janë konsideruar personat që kanë kryer një punë, qoftë dhe një orë, kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës.
Sektorët
24,4% e të punësuarve ishin të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar, pra që nuk punësojnë të tjerë me pagë)
Rama: 1090 punësime direkte nga zyrat e punës
Se sa vende të reja pune ka hapur qeveria, këtë më mirë se kushdo na e tregon Kryeministri. Jo larg, por më 27 mars, Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social “Facebook” shifrat e punësimeve të realizuara nga zyrat e reja të punës. “Nga dita e inaugurimit gjer sot, punësime direkte nga zyrat e reja moderne të punës, me emër e mbiemër, janë realizuar: Në Tiranë, 528. Durrës, 299. Vlorë, 180. Kavajë, 83. Totali 1090”, shkruan Rama. Mbani parasysh, – vazhdon Kryeministri, që zyra e Tiranës ka vetëm dy muaj, e Durrësit vetëm një muaj, e Vlorës dhe Kavajës vetëm pak javë. “Ndërkohë janë aktualisht të publikuara nga punëdhënësit privatë 3969 vende të lira pune. Në Tiranë, 2289. Në Durrës, 1052. Në Vlorë, 457. Në Kavajë, 171”, shkruan Rama në rrjetin social. Në vijim, kreu i qeverisë thekson se “mosbesimi reciprok i krijuar në vite ndaj Shërbimit të vjetër Kombëtar të Punësimit, qoftë nga punëdhënësit, qoftë nga punëkërkuesit, është i jashtëzakonshëm”. “Prandaj në klimën e këtij mosbesimi në të cilën Shërbimi Kombëtar i Punësimit sapo ka rilindur, këto shifra e fakte janë një fillim shumë i mbarë. Dora–dorës besimi do të rritet dhe punësimi padyshim po ashtu, sepse zyrat e reja të punës janë më në fund pas njëzet vjetësh, një nga instrumentet e rritjes së punësimit. “S’duam zyra, duam punë!”, – shkruante dikush në komentet e një postimi për çeljen e zyrës moderne të punës në Elbasan. Dhe s’ishte i vetmi që shprehte mosbesim se në zyrat e punës mund të gjendet punë. Por shifrat e faktet flasin ndryshe dhe me rritjen dita–ditës të këtij shërbimi të ri modern të punësimit do të rriten edhe mundësitë për punë, edhe numri i të punësuarve përmes zyrave të punës”, – shkruan Kryeministri në FB. Nëse do të shtonim edhe ato që ofroi Panairi, atëherë bëhen deri në 10 mijë vende të reja pune të hapura nga qeveria.
Oferta
“Ky panair ofron 6 mijë vende pune. Për të qenë më i saktë, këtu ofrohen 6 200 vende pune”
Zyrat e punës
Gjatë tremujorit të katërt 2013, numri mesatar i personave
të regjistruar si punëkërkues të papunë ishte 143.947.
Tendenca
Krahasuar me tremujorin e tretë të po të njëjtit vit, shkalla e papunësisë u rrit me 0,1 pikë përqindje.
Anketa
Gjatë tremujorit të katërt 2013, sipas vlerësimeve të marra nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) numri i të punësuarve 15-64 vjeç në Shqipëri ishte 922.840 persona. Numri i personave të papunë 15-64 vjeç, sipas ATFP-së, vlerësohet të jetë 189.230 persona. Shkalla e papunësisë për popullsinënë moshë pune 15-64 vjeç ishte 17%.
Forcat e punës
Gjatë tremujorit të katërt 2013 në Shqipëri:58,4% e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune; 48,5% e popullsisë në moshë pune ishte e zënë në punë; 28% e të rinjve ekonomikisht aktivë të moshës 15-29 vjeç ishin të papunë; ·17,9 % e popullsisëishin të papunë të dekurajuar
Papunësia
Në tremujorin e katërt të vitit 2013, numri i të papunëve i vlerësuar sipas anketës së forcave të punës ishte 189.230 persona. Shkalla e papunësisë ishte 17%, duke mbetur pothuajse në nivel të ngjashëm me tremujorin paraardhës, i cili ishte 16,9%. Vihet re se gjatë këtij tremujori, shkalla e papunësisë për meshkujt e moshës 15-64 vjeç pati një rënie prej 0,4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013, ndërsa për femrat, shkalla e papunësisë pati një rritje prej 0,8 pikë përqindje.
Të rinjtë
Gjatë tremujorit të katërt 2013, shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç u rrit nga 26,9% që ishte në tremujorin e mëparshëm në 28,1%. Ndër të rinjtë e papunë, 61,7% ishin të papunë prej një viti a më shumë. Duke analizuar papunësinë e të rinjve, sipas nivelit arsimor të tyre, vlerësohet që 29% e të rinjve të papunë ishin me arsim të lartë, ku meshkujt e papunë me arsim të lartë përbënin 11% dhe femrat 18% të të papunëve gjithsej.
Ku e kërkojnë
Pyetjes nëse keni vendosur njoftime ose u jeni përgjigjur lajmërimeve në gazeta iu përgjigjën pozitivisht 17.5% e të anketuarve, ndërsa pyetjes, a i keni studiuar lajmërimet në gazeta, iu përgjigjën “po” 18.4% e të kontaktuarve. Punëkërkues që kanë kontaktuar Zyrën Publike të Punësimit për të gjetur punë ishin 28% e të pyeturve. Direkt tek ndonjë punëdhënës kishin aplikuar 64,6% e të anketuarve. Më shumë u besojnë shokëve ose të afërmve, sepse 87,0% e tyre dhanë këtë përgjigje.
Metoda
Papunësia në Shqipëri pritet të jetë në shifra të tjera nga ato të deklaruarat deri më tani. Kjo pasi INSTAT do të përdorë shumë shpejt një metodë tjetër për llogaritjen e saj, sipas standardeve të fundit të Organizatës Botërore të Punësimit. Shifra kryesore që ndryshon, lidhet me trajtimin si të punësuar të personave që punojnë për të siguruar jetesën, sidomos në bujqësi.