TIRANË, 4 Nëntor /ATSH/ - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në 25-vjetorin e mbajtjes së meshës së parë pas ndryshimeve politike të vitit 1990, e vlerësoi atë si kthesën e madhe drejt lirive të mohuara për rreth gjysëm shekulli nga sundimi diktatorial komunist.
Basha i dedikoi ditës përkujtimore të kësaj ngjarjeje, një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku thuhet: "25 vjet më parë, në Shqipëri u rikthye e drejta e shprehjes dhe liria e ndërgjegjes, me një akt historik të kurajos civile të Dom Simon Jubanit, me meshën që mbajti në varrezat e Shkodrës".
Basha shkruan se mesha e Dom Simon Jubanit i dha zemër të gjithë besimtarëve të Zotit dhe ishte një goditje në zemrën e regjimit komunist që i kishte privuar qytetarët nga liritë e të drejtat themelore.
"Pas kalvarit të terrorit dhe burgosjes të mijërave që guxuan të shprehnin adhurimin ndaj Zotit, mesha e 5 nëntorit rihapi për shqiptarët rrugën e lirisë së besimit, lirisë së shprehjes dhe lirive politike"./b.k//m.m/