30 vjet pa babane e kupletit shqiptar

30 vjet pa babane e kupletit shqiptar
Karriera

Ka luajtur mbi 90 role në teatër e estradë, si dhe ka interpretuar rreth 70 kuplete e parodi, shumicën të krijuara e përshtatura prej tij. Është quajtur babai i kupletit shqiptar

Ndonëse kanë kaluar 30 vjet nga largimi i tij, Ramazan Njala mbetet një nga figurat më të dashura të qytetit bregdetar. Është njeriu që është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh” për rezultate të larta në dy fusha, në sport e në art. Jeta dhe aktiviteti i tij kanë qenë të lidhura ngushtë me humorin, artin dhe sportin. Njala lindi në lagjen “Kala” të qytetit të Durrësit, më 20 shkurt 1922, në një familje të mesme qytetare.

Në nëntokën ku ngrihej shtëpia, arkeologët zbuluan qendrën më të madhe të lojërave të kohës romake, Amfiteatrin antik të Durrësit. Kur kanë kaluar plot tre dekada pa të, në Durrës e kujtojnë jo vetëm si një burrë shtatlartë, fizikisht i fortë, i vullnetshëm e fjalëpakë, por edhe inteligjent, i hapur dhe i këndshëm në komunikim; shumë origjinal si aktor e shkrimtar, humorist i shkëlqyer, i talentuar e pasionant ndaj sportit e artit. Fillimet sportive të Ramazanit shënohen në vitin 1945, kur gjatë kohës së shërbimit ushtarak aktivizohet si futbollist me ekipin e Gjirokastrës, kohë në të cilën do të dilnin në pah edhe lidhjet e tij me humorin që i buronte së brendshmi e bëhej pjesë e shoqërisë. Meqenëse identifikohet si sportist me të ardhme, në vitin 1946 aktivizohet portier me ekipin e futbollit të Partizanit për 2 vjet rresht, vite kur ekipi ishte kampion i republikës.

Nuk mbetet vetëm te futbolli. Cilësitë e tij sportive vlerësohen dhe shfrytëzohen në lojërat e para ballkanike, ku ai shfaqet si volejbollist me ekipin kombëtar. E donte Durrësin, qytetin e tij dhe shpirti lokalist e kthen Ramazanin në vitin 1948 në qytetin e lindjes, ku për vite e vite me radhë aktivizohet me ekipin e Lokomotivës në volejboll, basketboll, not, vaterpolo, atletikë, hendboll, trajner me të rinjtë e gjyqtar deri i ndeshjeve të kategorisë së parë. Për aftësitë dhe cilësitë e mira që kishte e kanë quajtur si lojtari më i mirë i kohës, duke e vlerësuar me tituj e stimuj të ndryshëm, ku përmenden “Medalja e punës” dhe urdhri “Naim Frashëri”. Në vitin 1956, për arritje të rezultateve të larta dhe normave sportive, ndër të parët sportistë merr titullin “Mjeshtër sporti”. Ramazan Njala është aktivizuar gjithnjë në pesëshen e parë, krahas sportistëve të tjerë të mëdhenj e me shumë emër. Sot, Pallati i Sportit të qytetit bregdetar dhe një rrugë e hershme e Durrësit mbajnë emrin e Ramazan Njalës.

26 vite aktivitet të pandërprerë sportiv e bënë Ramazanin mjaft popullor e të njohur. Ky fakt dhe humori në komunikim e ndihmon të ngjisë me lehtësi, pas vitit ‘60, shkallët e një fushe tjetër, po kaq të dashur për njerëzit e pasionantë për të, estradës, së cilës i shërbeu me pasion deri në fund të jetës së tij. Talenti i lindur, humori i hollë popullor që e karakterizonte, energjitë dhe fiziku, kultura e gjerë që zotëronte, si dhe thjeshtësia me të cilën hynte midis njerëzve, e ndihmuan të ishte ndër më të mirët edhe në këtë fushë. Kolegët e tij tregojnë se Ramazani i kapte problemet shumë shpejt dhe i dramatizonte në mënyrë të shkëlqyer.

Serioz në paraqitje, në skenë ai ofronte humor dhe argëtim me figurën dhe interpretimin e tij. Komunikonte lirshëm me spektatorin dhe ata e shpërblenin me duartrokitje dhe “biz” për çdo dalje në skenë. Tekstet e paroditë i këndonte me vokal të ëmbël, forcë komunikuese e diksion të pastër, të cilat e shoqëruan gjatë gjithë karrierës si veçori të pazëvendësueshme të individualitetit të tij. “Gjirokastër të kam mike…” që mbahet si kupleti i parë shqiptar, është një nga kupletet e para të Ramazanit.

Që nga krijimi i trupës së estradës profesioniste të Durrësit, Ramazani mori pjesë në 46 premiera të saj, me një galeri të tërë tipash e personazhesh në rreth 90 role, si fshatar, punëtor, intelektual, i sëmurë etj. Ai pranonte dhe realizonte me sukses çdo rol, pasi bashkëkohësit dhe aktorët më të rinj thonë se i punonte me pasion, përkushtim, dashuri dhe ishte shumë bashkëpunues. Aktiviteti i tij nuk do të kishte kuptim pa rolin e regjisorit të madh Gjergj Vlashi, pa punën dhe bashkëpunimin e tij me aktorët e talentuar A. Llazari, M. Xhoja, A. Stari, E. Tirana, S. Strati, S. Pepa, F. Hasa dhe më vonë R. Koca, A. Gjepali, M. Hoxha etj. Kur u nda nga sporti, Ramazani mori me vete në art edhe shokët: Spiro Urumi, Napolon Llalla. Ai ndihmoi të përfshihej në trupën e estradës Enver Likmetën, Fadil Hasën e shumë aktorë dhe talente që i përkrahte për të ngjitur shkallët e karrierës.

Në vlerësimin e atyre që e njohën dhe punuan me të për vite të tëra, Ramazani ishte i gjithanshëm, aktor e regjisor, autor skeçesh e parodish, i aktivizuar në filma artistikë, në emisione radiotelevizive etj., duke krijuar një galeri të tërë figurash të spikatura që e skalitën jo vetëm emrin e tij në fondin e vyer të estradës shqiptare, por i dhanë shtysë e zhvillim të hovshëm gjinisë së humorit skenik.

I afruar në skenë me ndrojtjen e amatorit të ardhur nga prodhimi, Njala merr përmasat e profesionalistit të arrirë, duke mbetur i palëkundur në forcën e komunikimit, të sakrificës për të qenë gjithnjë i pranishëm dhe i preferuar në skenë dhe i pakonkurrueshëm në gjininë e kupletit.

Njala gjatë jetës së tij artistike u angazhua edhe për ngritjen e grupeve artistike në qendra pune, shkolla e fshatra. Ai shkruante shpesh në gazeta e revista shkrime për edukimin e fëmijëve dhe të rinisë. Njihte disa gjuhë të huaja dhe kishte pasion fotografinë. Me aparatin e tij fiksonte monumente historike, panorama të natyrës, gëzime familjare, ndeshje të ndryshme sportive, shfaqje teatrale e të estradës etj., duke krijuar një studio personale fotografie.

Njihet edhe si mbledhës e koleksionist fjalësh e shprehjesh popullore, pullash të vendeve të ndryshme, si hartues autodidakt i disa fjalorëve të gjuhëve të huaja për t’i shërbyer bashkëqytetarëve. Me punë të palodhur si sportist e artist, por edhe si qytetar e prind shembullor, Ramazan Njala fitoi mirënjohjen e respektin e të gjithëve. Ai u nda para kohe nga jeta, në moshën 60-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, në shtator të vitit 1982, duke lënë pas katër vajza që ashtu si babai gëzojnë respekt në Durrës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama