37 e shqiptareve ne Kosove gati te braktisin vendin

37% e shqiptareve ne Kosove gati te braktisin vendin

Numri i shqiptarëve të Kosovës që janë gati të braktisin vendin për një jetë më të mirë në Europë sa vjen e rritet. Ky është përfundimi i një studimi të kryer së fundi nga një shoqatë në Prishtinë.

Studimi është kryer nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë, në raportin e të cilit thuhet se 37.2 për qind e shtetasve nga Kosova janë të gatshëm të largohen nga vendi i tyre.

Përfaqësuesja e kësaj organizate Arbëresha Loxha, thotë se të rinjtë e moshës 18-34 përbëjnë shumicën e qytetarëve që janë të gatshëm të largohen, pra fuqia punëtore e Kosovës.

“Të dhënat tregojnë se gatishmëria për të migruar vazhdon të mbetet e lartë, përkundër deklarimeve të vazhdueshme të zyrtarëve të Bashkimit Europian, se azili nuk do t’u njihet qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës është cilësuar si institucioni më përgjegjës për migrimin eventual të tyre, nga 88 për qind e qytetarëve të anketuar”, tha Arbëresha Loxha për mediat në Kosovë.

Sipas saj, e njëjta gjë ekziston edhe në Shqipëri.

Sipas rezultateve të anketës së këtij grupimi, qytetarët e gatshëm për të emigruar vijnë në përqindje afërisht të njëjtë, si nga zonat urbane, po ashtu edhe nga ato rurale.

Ndërsa arsyet që do të parandalonin emigrimin, sipas anketës, janë liberalizimi i vizave, qeverisja më e mirë dhe punësimi i anëtarëve të dytë të familjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama