37 familjet rome refuzojne oferten e ministrit Veliaj

37 familjet rome refuzojne oferten e ministrit Veliaj

Liri Nuredini ka pesë fëmijë. Prej dy muajsh ajo jeton në një nga 37 barakat e ndërtuara mbi trotuarin përballë zonës së njohur si “Pallati me shigjeta”. Çatia që e mbron nga shiu familjen e saj është një tufë plasmasësh e kartonësh të mbledhur andej-këndej dhe të shtruara mbi ca hunj druri. Një tyl i grisur kryen funksionin e derës, një divan i prishur i hapur është krevati martesor i Lirisë. Një sustë e vjetër me një dyshek sipër është krevati tjetër i “shtëpisë” dhe një stol i sajuar me dërrasa. Mbi pllakat e ashpra të trotuarit kërcet djepi i drunjtë me foshnjën e saj dy muajshe. Koshat e plehrave kanë mobiluar gjithë hapësirën e barakës. 4-5 pjata, një komodinë e kalbur, televizori që nuk punon kurrë dhe një frigorifer i stërmadh që më tepër se për domosdoshmëri është vendosur për bukuri, pasi brenda tij ka vetëm qepë dhe dy kokrra domate. “ Kam 26 vjet në këtë lagje dhe nuk lëviz prej këtej. Na kanë premtuar shumë gjithë kohës, por asnjë gjë nuk është bërë. Ishim aty brenda (tregon me gisht hapësirën pas kangjellave), nuk kishim kushte, por të paktën mbronim fëmijët se ishte vendi i rrethuar. Por tokës i paska dalë pronari, do të ndërtojë pallate dhe u vendosëm në rrugë. Që nga ajo ditë jetojmë me frikë. Frikë nga ata që vijnë na kërcënojnë, se do ju vinë policët dhe do ju rrahin dhe do ju heqin me dhunë, frikë dhe nga këto kabllot e korentit që kemi shtruar nëpër këmbë se bie shi dhe do na djegë korenti fëmijët.”- nis rrëfimin Liria sapo shkel në barakë. Me sa forcë ka dhe me rrebelim vazhdon të lëkundë në djep foshnjën, ndërkohë zgjatet dhe na tregon se çfarë ka gatuar për drekë. “ Shiko çfarë do hanë fëmijët sot për drekë. Gjellë me qepë do hanë, çorbë me qepë, ujë dhe ndonjë domate që gjejmë të hedhur. Asnjë gjë tjetër nuk ka në këtë tenxhere.”- vazhdon më tej Liria. Ministria e Mbrojtjes me vendim qeverie ka ven në dispozicion për strehimin e këtyre 37 familjeve , ish -repartin 1005.

E ndërsa një ditë më parë u tha se ky komunitet kishte pranuar të lëshojë trotuarin dhe të zhvendoset në godinën caktuar nga qeveria, Liria deklaron të kundërtën. Ajo shprehet se familja e saj dhe dhjetra të tjera që kanë vite në këtë lagje nuk do të largohen në një zonë periferike si Shish-Tufina. “Na kanë thënë që për 10 ditë do na çojnë te një repart andej nga Tufina. Nuk lëviz që këtej deri sa të më japin shtëpi për së mbari. Na trajtojnë si kafshë. Na gënjejnë, thonë se po punojnë 60 veta për ta rregulluar ndërtesën që të futemi ne. Vijnë na kërcënojnë se do na vrasin, se andej jashtë shtetit i djegin romët. Duan të na i bëjnë si atyre te reparti i Sharrës që jetojnë më keq se ne. Nuk kanë ujë, nuk kanë drita, ajo ndërtesa është më keq se barakat tona. Edhe gjarpërinj gjetën në atë vend. Kam 26 vjet në këtë lagje dhe nuk lëviz që këtej. Disa nga familjet këtu do ikin, ata që kanë ardhur tani vonë po ne vendalinjtë nuk lëvizim. Edhe sikur të vijnë sërisht të na i heqin plaçkat me polici ne prapë do t’i ndërtojmë ”, rrëfen Liria. Në barakën ngjitur jeton Fuat Nuredini, 65- vjeçare me 6 fëmijë. “ Kemi 23 vjet demokraci dhe një ditë mirësi nuk kemi parë. Ku të shkojmë? Në Tufinë, në majë të malit të Dajtit? Po çfarë do hamë ne atje, çfarë të punojmë, me se të ushqejmë kalamajtë? Ne duam shtëpitë që janë ndërtuar për ne. Të gjithëve që na kanë ardhur këtu u kemi thënë që ne e dimë që evropiani paguan për ne. Dhe na thonë që ato lekët janë vjedhur. T’i gjejnë ku të duan, ne duam shtëpi.

Pse nuk pranojnë të sjellin europianë të na takojnë, se e dinë që për europianët ne jemi të strehuar, por këta i kanë vjedhur fondet ,”- rrefen 65-vjeçarja. 37 familjet e komunitetit rom që jetojnë në trotuar ankohen se Kryetari i Bashkisë nuk ka shkuar asnjëherë t’i takojë dhe t’ju qajë hallin. “Kryetari i Bashkisë Lulëzim Basha s’ka ardhur të na shikojë të paktën një herë. Ne kemi shkuar tre herë atje te bashkia dhe asnjë përgjigje nuk na dhanë. Kemi protestuar, kemi kërcënuar me vetëdjegie dhe prap askujt nuk ju bë vonë. Unë jam e moshuar dhe nuk më dhimbset vetja, por këtu mes makinave jetojnë 83 fëmijë. Po na sakatohen fëmijët ditaditës. Ngelëm dyerve të spitaleve. Dje u plagosën dy fëmijë që i përplasi autobusi, vetëm nga 5 vjeç ishin. Dhe kur shkuam te doktori për nipin tim tha nuk ka asnjë gjë, kurse fëmija tjetër është akoma keq ”, shprehet Fuati.

Trotuaret e zënë, banorët e lagjes: Nuk kemi ku të kalojmë

Thasë gjigandë mbushur me bidona plastikë, qerre me plaçka gjithnjë në gadishmëri për nisje, një grup grash duket se e kanë vënë në terezi që në mëngjes dhe janë mbledhur grumbull duke bërë muhabet. Më tej dy vajza lajnë rrobat në një govatë gjysmë të çarë. Në tokë shtrihen kabuj elektrikë që zvarriten përgjatë shtyllave buzë rrugës dhe, si gjarpërinj futen vjedhurazi në çdo barakë. Fëmijët grumbuj- grumbuj sulen drejt makinave për të lypur papritur ende të hapet semafori. Nuk është imazh i ndonjë sheshi të zënë nga komuniteti rom për të ndërtuar barakat e tyre siç ndodh rëndom në Shqipëri, por pamja e trotuarit buzë rrugës, te “Pallati me shigjeta” në kryeqytet. Prej mëse dy muajsh 37 familje rome kanë ndërtuar barakat mbi të vetmen hapësirë të llogaritur për këmbësorët, mbi trotuar. Dhe duket se nuk e kanë në plan të lëvizin. Për ta çdo hapësirë publike është pronë e tyre. Kanë bllokuar jo vetëm trotuarin nga të dyja anët, por edhe gjysmën e rrugës së asfaltuar ku kalojnë makinat. Jo më larg se dy ditë më parë një fëmijë 5-vjeçar u aksidentua në gjendje të rëndë nga një urban i linjës “Tirana e Re”. Fëmija me bukë në dorë i këtij komuniteti po përpiqej të kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Ndërkohë që një aksident i ngjashëm ndodhi dhe katër ditë më parë. Bllokimi i trotuarit nga barakat është kthyer në stres për banorët e zonës të cilët janë të detyruar ta bëjnë shpesh atë rrugë. “

 

Është e pamundur të kalosh. Na janë bërë stres më vete. Nga njëra anë sa u afrohesh barakave me ushqime në dorë të sulen fëmijë e të rritur dhe të kërkojnë lëmoshë. Të kërkojnë ushqimet apo çdo gjë tjetër që ke në dorë. Nga ana tjetër po rrezikojmë vdekjen çdo ditë. Këtu nuk kalohet. Po kalojmë nën rrotat e makinave. Ata shikojini dhe vetë një anë e kanë bërë shtëpi anën tjetër të trotuarit e kanë kthyer në oborr ku luajnë fëmijët dhe nderin rrobat. Nuk e mar vësh këtë punë. Kur do i largojnë të marim frymë rehat le era e keqe e plehrave që sjellin çdo ditë.”- shprehet e revoltuar Anita, një nga banoret e zonës. Për të shmangur kontaktin me familjet e strehuara në baraka qytetarët detyrohen të bëjnë sytë katër dhe të lëvizin me shpejtësi nga njëri krah i rrugës në tjetrin, duke rrezikuar të aksidentohen.

Komuniteti Rom: Në periferi nuk kemi me se të ushqehemi

Pretendimi kryesor i 37 familjeve për të mos u larguar nga zona e” Ish-parkut të autobuzave” është largësia me kazanët e plehrave ku mbledhin kanaçe apo me rrugët e populluara me makina ku dalin e lypin. Fuati, një nga pjestaret e këtij komuniteti deklaron se 37 familjet tremben se mos pësojnë të njëtin fat me disa familje të tjera të komunitetit rom të cilat pak kohë më parë u strehuan në një tjetër ishrepart në zonën e Sharrës, por që e braktisën shumë shpejt. Familjet rome të strehuara në zonë e Sharrës e braktisën godinën dhe dolën sërisht në rrugë me pretendimin se e kishin të pamundur të jetonin në atë zonë pasi ishin larg qytetit. Sipas tyre në periferi e kanë të pamundur të punojnë, të mbledhin kanaçe apo të lajnë xhamat e makinave, sepse nuk paguajnë dot mjetet e transportit.

Veliaj: Romët do të zhvendosen te ish-reparti në Shish-Tufinë

Pas aksidentimit të një fëmije 5-vjeçar nga komuniteti rom që jeton buzë rrugës te “Pallati me shigjeta” Ministri i Mireqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, premtoi se 37 familjet do të strehoen në godinën e ish- repartit 1005 në Shish-Tufinë. Veliaj tha se do të punohet çdo ditë që këta familjarë të strehohen sa më shpejt në atë ish-repart. Gjatë takimit familjet e vendosura në këtë zonë pranuan propozimin e ministrit Veliaj. Ata u shprehën të gatshëm të lirojnë trotuarin sa më shpejtë të jetë e mundur. Streha e re është studiuar dhe përzgjedhur nga një komision i posaçëm sepse ndodhet pranë një stacioni autobusi dhe ka pranë shkollën.

Sequi: BE ka dhënë 3 mln euro për komunitetin Rom

Në 13 gusht të këtij viti Ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi gjatë një tryeze të organizuar nga Avokati i Popullit me ndërkombëtarët dhe aktorë të shoqërisë civile për çështjen e komunitetit Rom deklaroi se BE, ka dhënë për rehabilitimin dhe integrimin e komunitetit rom rreth 3 milion euro. “Vetëm në Shqipëri që nga viti 2008, Bashkimi Evropian ka dhënë rreth 3 milionë euro për komunitetin rom, ndaj në këtë situatë nuk mund të raportojë për progres në këtë fushë. Bashkimi Evropian është i përkushtuar në përfshirjen sociale dhe në respektimin e të drejtave të komunitetit rom dhe egjiptian. Natyrisht që situata e vështirë e këtij komuniteti, do të vlerësohet dhe pasqyrohet në raport-progresin që KE do të nxjerrë në mes të tetorit dhe jemi ende në procesin e të shkruarit të këtij raporti”, tha Sequi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama