Republikani Eliot L. Engel është iniciatori i letrës së autorizuar nga republikani Michael Turner, letër e cila inkurajon Sekretarin e Shtetit Amerikan, John Kerry, që zgjerimi i NATO-s të jetë prioritet i SHBA-ve para Samitit 2014 të NATO-s.
“Derisa po i afrohemi Samitit 2014 të NATO-s, është me rëndësi që SHBA-të të mbështesin aspiratat e atyre vendeve që kërkojnë të integrohen në Aleancë. Në veçanti, letra e autorizuar nga Republikani Turnet dhe e nënshkruar nga unë dhe 40 kolegë tjerë, i bën thirrje SHBA-ve që ta mbështes kërkesën e Malit të Zi dhe të Maqedonisë për anëtarësim në NATO në samitin e këtij viti, të inkurajojë progresin e vazhdueshëm në zbatimin e Planit të Aksionit për Anëtarësim (MAP) për Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe të avokojë që t’i jepet Gjeorgjisë MAP-i. Unë gjithashtu kam fuqizuar në letër thirrjen që SHBA-të të punojnë me NATO-n për të siguruar që Kosovës t’i ofrohet një vend në programin e Partneritetit për Paqe, të cilit i janë nënshtruar të gjitha shtetet e saja fqinje, si dhe të ofrohet rruga për anëtarësim eventual në Aleancë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Engel, transmeton Koha.net.
Engel ka shtuar se mbështetja e këtyre iniciativave do t’i inkurajojë këto vende që t’i ndjekin edhe më shumë reformat demokratike dhe ta forcojnë përkushtimin e tyre për partneritet me institucionet euro-atlantike, “që të dy këto parime të rëndësishme për ta arritur vizionin tonë për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe”.