40 mije veta mesyjne Muzeun Kombetar per armet e Skenderbeut

40 mije veta 'mesyjne' Muzeun Kombetar per armet e Skenderbeut
Dita e djeshme ka shënuar rekordin e vizitave në Muzeun Historik Kombëtar. Kanë qenë rreth 40 mijë vizitorë që janë dyndur për të parë armët e Skënderbeut. Kjo është një shifër e përafërt që punonjësit e muzeut kanë bërë të ditur deri dje në mbrëmje, por ky numër është tejkaluar, pasi me rastin e 28 nëntorit, Muzeu Historik ka qëndruar gjithë natën hapur. Radhë të gjata njerëzish kanë qëndruar përpara shkallëve që në mëngjes herët, ndërsa gjatë gjithë ditës ka qenë një dyndje e madhe.

Është dashur prania e forcave të rendit dhe vendosja e shiritave të policisë për të kontrolluar lëvizjen dhe hyrjen e njerëzve në muze. Shqiptarë nga të gjitha trojet, të pranishëm për të kremtuar 28 Nëntorin në Tiranë, kanë ndaluar për të parë edhe armët e Skënderbeut(dy shpatat dhe përkrenaren) të sjella për herë të parë në Shqipëri dhe të ekspozuara prej datës 22 nëntor. Si rrallëherë, interesi për këto relike ka qenë i jashtëzakonshëm, ndërkohë që muzeu qëndron i hapur me orare të zgjatura. Sipas punonjësve të muzeut, të cilët kanë mbajtur statistika të përafërta, duke qenë se hyrja është falas, deri dje në darkë, numri në total i vizitorëve ka shkuar deri në 130 mijë persona.

Ata që qëndronin dje te shkallët kanë qenë të të gjitha moshave, duke filluar me fëmijët deri të moshuarit, të cilët nuk largoheshin nga shkallët e muzeut edhe pse u është dashur të presin më shumë se një orë për të hyrë në muze. Situata ishte e kuptueshme me fluksin e njerëzve që dje kishin dalë në shesh për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë. Pjesa më e madhe e tyre ka ndaluar edhe në muze.

Kureshtja për të parë armët e Skënderbeut ka qenë e madhe që në ditët e para, kur reliket mbërritën në Tiranë nga Muzeu i Vjenës nën masa të forta sigurie. Fluksi i vizitorëve ka bërë që edhe koha gjatë së cilës ata qëndrojnë përpara vitrinës të jetë shumë e shkurtër, për t’u lënë vend të gjithëve. Armët e Skënderbeut do të vazhdojnë të qëndrojnë të ekspozuara deri më 13 janar 2013.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama