40 vitet e e-mailit Magjia e postes elektronike

40 vitet e e-mailit: Magjia e postes elektronike
Marrim rreth 50 të tillë në ditë. Gjysmën e fshijmë brenda 5 minutave. Por për t’u lexuar, duhet të dërgohen në mëngjes. Sapo ka mbushur 40 vjet. Që prej vitit 2010 simboli i tij @, është pjesë edhe e një koleksioni në muzeun “MoMa” të Nju Jorkut. Ndoshta, sepse që aty nisi një revolucion i paimagjinueshëm në botën virtuale. Megjithatë, e-maili nuk ka qenë kurrë kaq i përdorur. Vetëm në 2010-n u dërguan 107 triliardë. Një numër shumë i madh, për të mos thënë i paimagjinueshëm. Atëherë, le të marrim një minutë kohë nga jeta e gjithsecilit prej nesh, banorë të botës. Për të qenë më të saktë, po themi se në atë minutë shkarkohen 13 mijë aplikime për “Iphone”, shkruhen 100 mijë mesazhe për “Twitter”-in, azhurnohen 700 mijë statuse në “Facebook” dhe dërgohen 170 milionë e-maile. Në fakt, dërgohen është fjala e duhur. Pastaj, nëse lexohen apo jo, është një tjetër diskutim.

T’i hapësh e t’i lexosh, nuk do të thotë gjë tjetër, veçse gjithë dita e kaluar me ta. Në fakt, ato mesazhe që grumbullohen në “inbox”-in tonë, shpesh shndërrohen në shqetësim më vete, ndaj dhe zgjidhja është e thjeshtë: t’i eliminosh, shpesh pa i lexuar fare. “Rinia” e dytë e e-mailit po bëhet një problem i madh social. I shpikur në fund të vitit 1971, nga informaticieni Ray Tomlinson (para tij simboli “@“ nuk shërbente pothuajse për asgjë, dhe mund t’u dërgoheshin mesazhe elektronike vetëm përdoruesve të të njëjtit kompjuter), e-mail ka pothuajse moshën e internetit, duke u bërë padyshim, aplikacioni më popullor në dhjetëvjeçarët e parë të historisë së rrjetit. Të hapnin një adresë poste elektronike, madje shpesh më shumë se një, ka qenë gjithmonë akti i parë i atyre që futeshin në internet për herë të parë. Rezultati? Më shumë se tre miliardë adresa e-maili aktive në të gjithë botën, me një mesatare prej një adresë e gjysmë për çdo përdorues.

Po flasim për një mekanizëm shumë të thjeshtë për t’u përdorur nga të gjithë, pa dallim moshe dhe jo për mrekullitë e fundit të rrjetit, ku për shembull, nëntë veta mund të flasin dhe punojnë në distancë njëkohësisht mbi të njëjtat dokumente. E-maili i ka rezistuar më së mirë kohës, madje ka njohur vetëm rritje që nga koha kur doli, duke sfiduar të gjithë kritikët që mendonin se magjia e tij do të “varrosej” me daljen në skenë të rrjeteve sociale. Vërtet që këta të fundit ofrojnë mënyra të pafundme alternative për të shkëmbyer mendime dhe fjalë me njerëzit që njohim, por e-mailet janë ato që lexojmë çdo ditë nga posta jonë elektronike, pa hapur akoma llogaritë që kemi në rrjetet sociale. Është e vërtetë që një pjesë e mirë e tyre hidhen në “kosh” pa i lexuar, por të gjithë jemi të kujdesshëm që më të rëndësishmit t’i lexojmë me kujdes. Shpjegimi për këto bombardime me e-maile lidhet me faktin se ata janë pjesë e pandarë e strategjive të marketingut dhe mjeti kryesor për të dërguar oferta, propozime, kërkesa. Pra, me një fjalë të vetme: “spamet”, që janë kthyer tashmë në një problem serioz.

Rreth 70 për qind e trafikut botëror të e-maileve përfundojnë në “spam”. Paradoksi qëndron në faktin se shpesh jemi ne që kemi dhënë pëlqimin, ndonëse në mënyrë të papërgjegjshme për të marrë informacione për produktet tregtare. Kjo është edhe arsyeja se përse filtrat automatikë antispam nuk funksionojnë. Këta të fundit nuk mund të ndalojnë mesazhet që ne vetë kemi kërkuar që të marrim. Studimet e fundit tregojnë se nuk kemi shpenzuar kurrë kaq shumë kohë duke rregulluar “postën” tonë elektronike, pra duke fshirë apo duke lexuar me dhjetëra e-maile që na vijnë çdo ditë.

Sipas një sondazhi të fundit të bërë nga shoqëria e shërbimeve të internetit “Boomerang”, shifrat janë impresionuese. Mesatarisht kalojmë dy orë e gjysmë çdo ditë për të lexuar apo fshirë rreth 147 e-maile. Nga këta, më shumë se gjysma fshihet që në shikimin e parë, vetëm duke parë dërguesin dhe objektin. Prandaj studimet tregojnë për rëndësinë e fjalës që shkruhet në subjekt. Është kaq shumë e rëndësishme: shpesh na shtyn të lexojmë apo të fshijmë menjëherë një e-mail. Por edhe orari është shumë i rëndësishëm: nëse nuk doni që e-maili juaj të ngatërrohet me ndonjë propozim tregtar, më mirë dërgojeni në orën gjashtë të mëngjesit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama