5 konkurrente vazhdojne garen per restaurimin e Marubit

5 konkurrente vazhdojne garen per restaurimin e 'Marubit'

Për konkursin e restaurimin dhe muzealizimin e fototekës “Marubi” janë seleksionuar 5 studio, të cilat do t’i nënshtrohen gjykimit përfundimtar të një jurie ndërkombëtare. Konkurrentët e përzgjedhur sipas dëshmisë së përvojës dhe të projektimeve të vizionit të zhvillimit, janë: “Atelier 4” (studio shqiptare), “Casanova+Hernandez” (studio hollandeze), “Lorenco & CO” (studio shqiptare), “Testa” (studio italiane), “Zvi Hecker” (studio gjermane).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, kishin aplikuar 26 studio. 11 prej tyrë ishin nga Italia, 9 nga Shqipëria, 1 nga Gjermania, Hollanda, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Kosova. Konkursi u shpall në 7 shkurt dhe nda në 2 faza. Faza   e parë përfundoi në 28 shkurt me përzgjedhjen e short-listës nga 5 studiot fituese, për të vazhduar në fazën e dytë nga ku do të shpallet edhe fituesi, më 30 mars.

Në fazën e dytë 5 konkurrentët do të paraqiten me një projekt arkitektonik që duhet të përfshijë: analiza të detajuara të sitit, shfaqja dhe performanca e objektit nga fokuset kryesore të qytetit, sistemimin e përgjithshëm, planimetri, mobilim, skemat e lëvizjes horizontale dhe vertikale, analiza e trajtimit të ndriçimit natyral dhe artificial (ndriçimi dekorativ), detaje të fragmenteve kryesore të zhvillimit perimetral dhe momentit të hyrjes. E lënë për vite të tëra në mëshirën e fatit e të lagështisë së skutave, tashmë për dinastinë “Marubi” do të ketë një  godinë të standardeve evropiane në Shkodër.

Fotot e ruajtura në muze kanë një rëndësi unike për dokumentimin e historisë, etnografisë, ngjarjeve etj. Aktualisht ruajtja dhe ekspozimi i fotografive kryhet në disa zyra në qytetin e Shkodrës, në kushte shumë të papërshtatshme. Në Fototekën Kombëtare “Marubi” ruhen rreth 500,000 negativë fotosh prej të cilave rreth 150,000 negativë janë të tre brezave “Marubi”.Bazuar nga inventari janë 493,760 negativë fotosh, 200 dokumente historike dhe 150 objekte historike. Nëpërmjet zbatimi të këtij projekti restaurimi pritet që Muzeu të tërheqë një numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj, si dhe profesionistë nga fushat e ndryshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama