Mjekët dhe infermierët kanë vazhduar edhe sot protestën e tyre në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për të kundërshtuar testimin ndaj tyre dhe për të kërkuar kushte më të mira të punës.
Pas protestës së radhës, një nga nismëtarët, ka dorëzuar një peticion kundër testimit në kryeministri dhe në Kryesinë e Kuvendit. Peticioni është nënshkruar nga 5 mijë mjekë dhe infermierë. Pas daljes nga zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, njëri prej mjekëve që dorëzoi peticionin, u shpreh se testimi është i paligjshëm dhe se nuk parashikohet në ligjet tona.
“Testimi është i paligjshëm. Kushtet e punës po ashtu janë mjerave. MSH-ja nuk ka tagër të bëjë testim, vetëm të krijojë politika makro-politike. Në shëndetësi ka probleme më të mëdha se testimi, siç është ndalimi që u duhet bërë koncesionve jo transparente. Duhet të pranoj se ne kemi pagesat më mjerane”.
Sipas tij, “protesta e mjekëve bëhet edhe kundër padrejtësive dhe dhunës. Profesionet tona janë të rregulluara me ligj. Protesta jonë do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona”. Nesër bluzat e bardha kanë parashikuar një protestë para kryeministrisë në orën 11:00 dhe kanë bërë thirrje që të shtunën të bojkotojnë procesin e punës, pikërisht në ditën kur është vendosur data e parë e testimit për infermierët.