Sharon vazhdon të rrezatojë të njëjtën bukuri si atëherë. "Nuk më besohet se bëhet fjalë për vitin 1992, kur e shoh, më duket sikur atje ka luajtur vajza ime", tregon. Për 50-vjeçarët, në të vërtetë, ekziston e njëjta retorikë si për 20-vjeçarët, 30-vjeçarët apo 40-vjeçarët, ajo se mosha mbron me forcë dhe i përgjërohet dëshirave. Biondja bukuroshe e di mirë këtë, ndaj nuk e vret shumë mendjen nëse sot mbush 50 vjeç, apo pas dhjetë vjetësh 60-të. "Me kalimin e viteve gratë bëhen më seksi dhe dashurojnë më fort. Madje bëhen edhe më altruiste. Kjo gjë nuk më shqetëson. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga 30-vjeçaret. Më joshëse për mua sot janë gratë që i kanë kaluar të dyzetat. Mosha e mesme është një periudhë kur i mendon gjërat më thellë. Ajo nuk më frikëson, sepse sot kemi në dispozicion shumë mënyra për t‘u plakur sa më vonë të jetë e mundur. "Viagra" ndihmon seksualitetin, "Botoks"-i lufton rrudhat pa ndryshuar fizionominë, ndërsa ndërhyrjet kirurgjikale të japin mundësinë për të korrigjuar çdo gjë. Sot mund të zhdukësh edhe "hapat" e kohës.
Gjithnjë e më shumë po më forcohet bindja se gratë 60 vjeçe mund të "shembin" malet, u pëlqen më shumë seksi, sidomos pas menopauzës dhe kanë më shumë dëshirë për të jetuar", thotë ajo. Pavarësisht kësaj, Stone, është një nga femrat më të zgjuara të kinemasë, jo vetëm se koeficienti i saj i inteligjencës është aq i lartë sa e bëri që të hynte në universitet, kur sapo kishte mbushur 15 vjeç, por edhe sepse vetëm një njeri inteligjent mund të arrijë ta shndërrojë një aktore, jo me ndonjë talent të veçantë, në një ikonë të vërtetë. 40 filma të xhiruar në një çerek shekulli, pothuajse që të gjithë janë të pavdekshëm. Aktorja është aktiviste për paqen në Lindjen e Mesme dhe që prej dhjetë vjetësh "kumbara" e AMFA-s, Shoqata për Luftën Kundër AIDS-it. Ajo bën pjesë në 100 aktoret më seksi të historisë së kinemasë dhe në 25 fermat më të pëlqyera nga meshkujt. E të mos harrojmë se vetëm një puthje e saj në ankand ka prekur shifrën rekord 50 mijë dollarë. Pavarësisht origjinës irlandeze të prindërve dhe fëmijëve të cilët mbajnë emrat që lidhen me rrënjët e saj, për të gjithë ata që e njohin, Sharon është një femër tipike amerikane.
E konvertuar në budiste, me një licencë për të celebruar martesa dhe një mori çmimesh në fushën humanitare, biondja inteligjente nuk ka qenë asnjëherë kundër kirurgjisë plastike. Ajo është martuar dy herë, fillimisht me një producent kinematografik, më vonë me një gazetar. Sot jeton e vetme, duke u kujdesur për fëmijët e saj, Roan dhe Leird. Sipas kronikave rozë, i dashuri i fundit ka qenë një basketbollist profesionist, rreth 20 vjet më i vogël se ajo, duke treguar edhe njëherë se mosha ka më pak rëndësi në një lidhje që bashkohet nga ndjenjat. Në vitin 2001, pas një problemi në tru, rrezikoi që të mbetej e paralizuar për të gjithë jetën. "Që nga ajo kohë, për mua ka ndryshuar gjithçka. Familja dhe miqtë më qëndruan pranë në çdo moment". "Basic Instict 2" u konsiderua si një dështim i plotë, ndërsa për interpretimin e saj fitoi edhe çmimin si aktorja më e keqe e vitit. Por "Broken Floëers" i Jim Jarmush dhe "Bobby", i Emilio Estevez, treguan se shumë virtyte të saj mbeten ende për t‘u zbuluar. Tani i pëlqen të interpretojë "Hamletin" në kinema, por jo rolin e Ofelias... Në kohën e "Basic Instict", kur aktorja e bukur amerikane u kthye menjëherë në një divë pas rolit të Catherine Tramell, një biseksuale, shkrimtari spanjoll Manuel Vazquez Montalbán, i shkriu këto rreshta në një letër drejtuar asaj: "U dashurova me të, duke nisur që nga çasti kur hidhte këmbët njëra mbi tjetrën përpara policëve, e burrave që shkatërroheshin nga dëshira për ta bërë të tyren, që dukej nga sytë. Sot, edhe pse 50 vjeç, Sharon rrezaton bukuri dhe elegancë të paimagjinueshme". E ndoshta falë saj, Hollivudi ka emancipuar, ndaj nuk i trembet më përzierjes mes inteligjencës dhe bukurisë së "grave" të tij.
Të gjithë e kemi vënë re se bukuria e saj të bën për vete, më shumë se disa vite më parë, dhe kjo mund të jetë si rezultat i ndërhyrjeve dhe trajtimeve kozmetike. Por, ç‘rëndësi ka? Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet e bukur, pavarësisht formave që përdor për t‘u dukur e tillë. Megjithatë, vazhdon të jetë tërheqëse, edhe në jetën e përditshme, ashtu si në ekran. "Që kur i jam rikthyer punës, objektivi im kryesor është të çlirohem nga stereotipat mbi vetveten dhe t‘i kushtohem tërësisht personazhit që duhet të interpretoj në filmin që më është caktuar. Kjo gjë më është kthyer vërtet në një mani. Personazhet që interpretoj më ngjajnë gjithmonë e më pak mua dhe më shumë vetes së tyre dhe atyre që duhet të jenë. Edhe te filmi "Bobby", të gjithë më thonë se dukesha shumë ndryshe nga ajo që jam në të vërtetë në jetë. Aty jam një parukiere melankolike, me një buzëqeshje të trishtuar, e cila po jeton një nga periudhat më të këqija në jetë", tregon duke buzëqeshur. Në kinema, shumë pak njerëz mund të bëjnë atë që bën ajo: të shkrihet me personazhet që interpreton. Si ja arrin? "Duke harruar se kush jam. Me "Casino" në vitin 1995, për herë të parë, dola nga vetvetja. Në të vërtetë, regjisori i famshëm, Martin Scorceze, ma lejoi këtë gjë. Ndërsa shumë të tjerë donin që të më përdornin si mall, pa u interesuar për talentin tim. Martin kërkoi që të merrte më të mirën nga unë, kërkoi të më nxirrte në pah talentin. Ishte një çast vërtet i rëndësishëm për karrierën time". Nuk mendon të heqë dorë nga kinemaja vetëm se mbushi 50 vjeç. Për të çdo gjë ka kohën e vet. Nëse sot janë duke "lulëzuar" aktorë të rinj dhe shumë të talentuar, kjo është diçka që duhet përgëzuar.
Megjithatë, edhe pse jam 50 vjeçe, nuk dua kurrsesi të heq dorë nga kinemaja. Kam dëshirë që të tregoj ende talentin tim. Nuk më intereson as paraja dhe asgjë tjetër e këtij lloji. Për mua është e rëndësishme të luash, sidomos kur është një rol i madh. Askush nuk mund të bëjë të ndihesh e pasigurt, nëse ti vetë nuk e pranon. Ndihem e fortë në shpirt dhe mirë me vetveten. Unë besoj tek aftësitë e mia". Për të nuk kanë rëndësi paratë, edhe pse arrin të fitojë mjaftueshëm. "Basic Instict 2" ishte rasti i fundit kur mund të "hiqja pak parë mënjanë". Me filmin "Alpha Dog" fitova 25 mijë dollarë dhe jam krenare. Megjithatë, e përsëris, nuk më interesojnë më paratë. Në fund të fundit kam arritur të gjej mënyra nga më të ndryshmet për të bërë një jetë normale dhe për t‘u kujdesur që fëmijëve të mi të mos u mungojë asgjë. Pastaj, për të më bërë që të ndihem e qetë financiarisht mendon edhe "Dior", ku më kanë zgjedhur si imazhi i kremrave të bukurisë antirrudha. Në 40 e ca filma të luajtur në rreth 25 vite karrierë, veçon "Bobby"-n, i cili i ka mbetur më shumë në mendje. "Aty interpretoja rolin e një parukiereje. Salloni i bukurisë është kthyer prej kohësh në vendin ku gratë flasin, tregojnë sekrete, hapen dhe krijojnë lidhje. Në vitet ‘60 nuk kishte mënyrë tjetër, meqenëse psikoterapia nuk ishte akoma e përhapur. Nga interpretimi te "Bobby" mësoi se siguria dhe qetësia e botës qëndron në duart e njerëzve të disiplinuar, jo konformistë, që i përkushtohen drejtësisë, vëllazërimit dhe paqes, ku njerëzit e vërtetë duken në kohë të vështira, e ku njerëzit si John apo Bob Kennedy dhe Martin Luther King nuk mund t‘i vijnë më botës.
Cilin aspekt të famës pëlqen më shumë? - "Faktin se kam mundësinë që t‘i bëj burrat e shtresave të larta të vuajnë". Nuk ka se si t‘i ndodhte ndryshe. Bukurinë, më shumë se sa trajtimet e ndryshme, pranon se e ka të trashëguar nga prindërit. - "Zakonisht kur xhiroj një film ose pozoj për ndonjë takim me shtypin, ia besoj veten duarve të një eksperti, që më ndihmon të dukem ndryshe nga ajo që jam kur ngrihem nga shtrati në mëngjes. Në jetën e përditshme nuk trukohem, sepse jam shumë dembele dhe vazhdoj ta gënjej veten se arrij t‘i bëj për vete të gjithë kështu si jam, natyrale. Në të vërtetë është një çështje gjenetike, dhe për këtë ndihem me shumë fat. Prindërit e mi duken shumë të rinj, edhe pse tashmë i kanë kaluar të shtatëdhjetat. Nuk fus në gojë alkool apo pije që përmbajnë kafeinë. Për të pasur një trup të bukur dhe të ndihesh në formë, është e nevojshme të merresh me gjimnastikë. Dhe unë nuk përtoj ta bëj një gjë të tillë për veten. Kam edhe dy fëmijë të vegjël, që kërkojnë përkujdesjen time. Kjo më ndihmon të jem gjithmonë në lëvizje dhe njëkohësisht më bën mirë. Gjithashtu nuk dua të harroj edhe vrapin që bëj çdo mëngjes". Një dashuri tjetër e madhe e jetës janë fëmijët, ndaj pranoi të interpretonte edhe tek "Alpha Dog". Filmi trajton problemin e fëmijëve të braktisur, një fenomen me shtrirje të madhe në një vend shumë të pasur si Amerika. "Në të vërtetë është një problem shqetësues i gjithë Amerikës për familjet që nuk kujdesen për fëmijët aq sa duhen. E vërteta është se këtu nuk mund ta dish asnjëherë me siguri se ku janë fëmijët e tu.
Për shembull, prindërit e mi thoshin se e dinin gjithnjë se ku isha: por a e dinin vërtet se ku ndodhesha? Kur isha vajzë e re bëja çmendurira, pavarësisht se prindërit e mi ishin njerëz të mrekullueshëm. Shpesh i merrja në telefon dhe u thosha se isha në një festë, por nuk i tregoja se aty të gjithë ishin të dehur e të droguar dhe unë nuk dija si të veproja. Ngaqë kisha konfidenca me mamanë, i thosha asaj, dhe ajo, si një nënë shembullore, më thoshte duke iu dridhur zëri: shko në katin tjetër, mbyllu me çelës brenda dhomës dhe fli. Nesër në mëngjes do të jesh shumë mirë dhe kthehu në shtëpi. Ishin këshilla të shenjta. Gjëja më e mirë është që të krijosh një raport me fëmijët e tu, që i bën të të kërkojnë e të hapen me ty, sepse bota është një vend i egër dhe ata përfundojnë gjithmonë në situata të vështira". Në fund, ka edhe një apel drejtuar të gjitha nënave të botës, që dy ditë më parë festuan festën e tyre. "Gjëja më e rëndësishme në jetë është që të pyesësh nëse ata që janë rreth teje a e ndiejnë dashurinë tënde. E rëndësishme është t‘u kushtosh vëmendjen e duhur dhe unë këtë gjë mendoj se ia kam arritur. Gjithmonë kemi çaste që nuk jemi të qetë dhe kemi më shumë stres se ç‘duhet, por kjo nuk do të thotë që do të jenë ata që do të duhet ta paguajnë. Nëse nuk mund të jesh një nënë e mirë, atëherë mos merr përsipër të kesh fëmijë". Por si do të jenë ditët e saj tani që ka kaluar gjysmë shekulli jetë? "Njëlloj sikur isha 49 vjeç, apo 40. Do të ngrihem herët në mëngjes, do të zgjoj fëmijët, do të përgatisim mëngjesin së bashku. Më pas, do të ndez kompjuterin dhe do të kontrolloj e-mail-et, që zakonisht janë 50-70 në ditë. Pastaj janë 20-40 telefonata për t‘u bërë, për t‘u marrë me punët e mia. Kur mbaroj merrem sërish me fëmijët. Pastaj gatuaj. Një ditë shumë normale, tamam si ajo e të gjitha grave të tjera, 50- vjeçare".