Ndërsa nga serbët si vende "më pak mike" konsiderohen shtetet shqiptare si Shqipëria, për të cilën janë shprehur vetëm 13,3 për qind dhe për Kosovën vetëm 6,4 për qind. Po ashtu edhe Kroacinë vetëm 13,3 për qind e serbëve e konsiderojnë si vend mik. Anketa, gjithashtu, shpreh edhe disponimin e qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve tjera në raport me Serbinë. Sipas anketës, 77 për qind e kosovarëve e konsiderojnë Serbinë si vend armik, 45,5 për qind e kroatëve gjithashtu kanë mendim të njëjtë, por vetëm 42,8 për qind e qytetarëve në Shqipëri e konsiderojnë Serbinë si vend armik.
Shumica e banorëve të rajonit të Ballkanit i japin rëndësi nevojës së zgjidhjes së kontesteve dhe problemeve fqinjësore. Sa i përket besimit midis vendeve fqinje, më së shumti, besim kanë shprehur qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës ndaj fqinjëve të tyre. Në masën 83,9 për qind e të anketuarve, boshnjakët janë shprehur se "kanë besim tek vendet fqinje". Një shifër e lartë është edhe për Malin e Zi.
Plot 82,5 për qind e qytetarëve malazezë janë shprehur se kanë besim ndaj vendeve fqinje. Më pak besim ndaj fqinjëve kanë shprehur qytetarët e Maqedonisë, vetëm 36 për qind e tyre kanë theksuar se kanë "disi besim ndaj fqinjëve të vet", përfshi Shqipërinë.
Gjithashtu anketa e "Gallup" bën të ditur se një pjesë e madhe e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor nuk i përkrahin martesat e përziera, pra martesat mes tyre, psh. Shqiptar me serbë, malazezë, me maqedonas, kosovarë me malazezë, etj. Në Maqedoni 81 për qind e të anketuarve janë kundër këtyre martesave të përziera. Në Kosovë kundër këtyre lloj martesave janë 78,9 për qind e qytetarëve. Kurse në Serbi kundër këtyre martesave janë 65 për qind e qytetarëve.
Edhe në Shqipëri ka përqindje të lartë kundër martesave të përziera, por gjithsesi, përqindja është shumë më e ulët se të tjerët. Anketa thotë se 58,5 për qind e qytetarëve në Shqipëri janë kundër martesave të përziera. Në Kroaci 60 për qind e qytetarëve janë kundër këtyre martesave dhe 58 për qind janë kundër në Mal të Zi. Anketa, gjithashtu, shpalos edhe realitetin se shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor më së shumti identifikohen me shtetet e tyre se sa me Ballkanin si rajon.