7 Marsi Meta Gjithe jeten mbetemi borxhlinj ndaj mesuesve

7 Marsi, Meta: Gjithe jeten mbetemi borxhlinj ndaj mesuesve

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u ka uruar mësueseve festën që nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Meta ka qenë i pranishëm në një ceremoni të organizuar nga ky universitet, me rastin e marrjes së certifikatave të pronësisë për kampusin e tij. Ai u shpreh se, gjithë jetën mbetemi borxhlinj ndaj mësuesve.

“Është një ditë që na kujton mirënjohjen dashurinë dhe respektin ndaj atyre që na kanë edukuar si prindër. Është një ditë mirënjohje për at që na kanë dhuruar dije . Duke uruar festën e 7 Marsit për të gjithë ata profesorë, mësues, pedagogë, dua të shpreh bindjen se shoqëria jonë ka një borxh të pashlyeshëm mirënjohje që trashëgohet brez pas brezi dhe sado të tregojmë mirënjohje ndaj mësuesve tanë do të mbetemi përsëri borxh”.

“Shqipëria e sotme nuk është vendi i mundësive ideale, ka ende shumë mungesa dhe vështirësi. Ka ende   distancë reale nga të qenit një vend normal për mundësitë që ofrohen për arsimim, për kulturë, për punësim dhe për një jetë si i moshatarëve tuaj në Evropë. Jemi ende lart atij modeli që e kemi pranë gjeografikisht, por sidoqoftë të gjitha bashkë  kemi energjinë e nevojshme për ta realizuar  këtë model në Shqipëri”.

Ndërsa, e cilësoi bujqësinë si sektor mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, Meta u shpreh kërkohen masa konkrete për zhvillimin e saj. Ai tha se, bujqësia ka nevojë për reforma të mençura dhe të shpejta. Sipas Metës, gjithashtu duhen edhe plane konkrete për nxitjen e prodhimit vendas.

“Të pranosh realitetin dhe ta shohësh atë me sy qortues është hapi i parë i domosdoshëm në rrugën për ta përmirësuar dhe ndryshuar atë. Sot ju dhe profesorët tuaj keni mundësi krejt të ndryshme dhe shumë të më mëdha sesa ishin 2 dekada më parë.  Ekonomia bujqësore ka rëndësi vendimtare për zhvillimin e vendit tonë. Shqipëria një vend me pasuri të jashtëzakonshme ujërash është një vend që importon masivisht prodhime bujqësore dhe blegtorale. Është një vend që importon gati gjashtë herë më shumë  sesa eksporton. Ndaj bujqësia ka nevojë urgjente për reforma të mençura dhe të shpejta të cilat e shpërblejnë mundin dhe investimet në të. Ka nevojë për plane konkrete për nxitjen e prodhimit vendas . Bujqësia është ende një burim i paçmuar”, tha Meta, ndërsa shtoi se, studentët e këtij universiteti do jenë specialistë të gjitha fushave të bujqësisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama