Video-instalacioni i Armando Lulajt, “Never”, ka qenë vepra fituese e çmimit “Danish Jukniu” në edicionit të parë të Festivalit të Librit dhe Artit Pamor. I sjellë nga galeria Tica, e para qendër për artin bashkëkohor në Tiranë, me kuratore Sonja Lau, vepra huazon një auto-homazh, pothuaj monumental të diktatorit Enver Hoxha, si pikënisje për një ridedikim konfliktual.
Në sallën UNESCO në Muzeun Historik Kombëtar, sot paradite është zhvilluar edhe ceremonia e dhënies së çmimit, por edhe ajo e përmbylljes së këtij aktiviteti të çelur Ditën Ndërkombëtare të Librit, më 23 prill. I pranishëm ishte Kryeministri Edi Rama.
Kjo ceremoni nisi me prezantimin e jurisë që përzgjodhën emrin fitues sa u takon arteve pamore: drejtorin e Galerisë Kombëtare, Artan Shabani dhe artistët Mehmet Behluli dhe Sadik Spahia. “Të gjithë pjesëmarrësit ishin të denjë për çmimin e parë”, ka thënë artisti kosovar, Mehmet Behluli. Ndaj përzgjedhja ka qenë shumë e vështirë për ne. Sidoqoftë në fund të gjithë ishim dakord që fituesi të ishte, Armando Lulaj”.
Festivalin e ka përshëndetur edhe Kryeministri Rama, i cili i dorëzoi edhe çmimin – në mungesë të vetë artistit në ceremoni, – kuratores Sonja Lau. “Ishte e qëllimshme prania ime edhe dje në ceremoninë e dorëzimit të çmimit “Ardian Klosi” edhe sot”, ka thënë Rama. “Desha të dëshmoja me këtë prani interesimin e posaçëm që ne si qeveri japim për këtë aktivitet, jo në vetvete, por si aktivitet për librin dhe për artin. Ne duam që ky festival të marrë përmasa ndërkombëtare dhe të kthehet në një event që të tërheqë çdo vit e më shumë artdashës, dashamirësit e librit, por edhe protagonistë të jetës artistike dhe kulturore”, ka thënë ai ndërsa ka falënderuar në mënyrë të veçantë dy organizatorët e këtij festivali, kryetaren e Shoqërisë së Librit Shqip, botuesen Arlinda Dudaj dhe profesorin Vladimir Myrtezaj. “Ky festival e justifikoi veten dhe dëshmoi potencialin për t’u kthyer në aktivitet të përvitshëm”. Rama tha se institucionet kulturore nuk mund të jenë përveçse hapësira, ku hierarkinë e vendos merita, publiku dhe asgjë e paracaktuar më parë. Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është që të mbështesë sa më shumë nisma të njerëzve të lirë, shkrimtarëve, prodhuesve dhe punëtorëve të kulturës, ndaj në këtë këndvështrim duhet parë edhe plani i qeverisë për një reformë në institucionet e kulturës. “Libri shqip është qendra e gravitetit të festivalit dhe përmes tij vijnë për lexuesit shqiptarë autorë nga e gjithë bota. Kjo i jep festivalit mundësinë që të jetë një derë e hapur për të ftuar miq dhe për t’i njohur me lexuesit shqiptarë. Besoj se, siç dëshmoi edhe çmimi i dhënë dje për një libër shumë të veçantë publicistik të Ardian Vehbiut “Sende që nxjerr deti”, edhe sot e njëjta gjë do të ndodhë për të dëshmuar që ky festival është vullnet i shprehur kundër mediokritetit dhe mënyrave bajate të të menduarit dhe konceptuarit të gjërave. Ky është një mision fisnik i festivalit. Për t’u bërë vendi i sendeve që nxjerr deti i hapur i një krijimtarie të çliruar nga kufizime të shkuara”.
Ndërsa në fjalën e saj, kryetarja e Shoqërisë së Librit Shqip, Arlinda Dudaj, tha se ky festival u konceptua në këtë mënyrë me qëllim që kushdo të gjente diçka interesante në të: Një lexues – një libër të mirë; një i pasionuar pas artit – një vepër arti bashkëkohor të krijuar nga artistë të rinj; një i pasionuar pas poezisë – një poezi të mirë, një i pasionuar pas muzikës – tinguj të mrekullueshëm të prodhuar nga talente të reja dhe më të vegjëlve, atyre që pikërisht sot fillojnë të brumosen me kulturën – një shfaqje gazmore ose film për fëmijë.
“Më duhet ta pranoj se në krye të herës ky aktivitet ishte konceptuar vetëm si panair libri. Besoj se biem të gjithë dakord kur themi se libri meriton më shumë, se ne duhet të flasim më shumë për librin dhe të takohemi më shpesh me të”, ka thënë Dudaj. “Dhe panairet janë gjithmonë diçka e mirë. Janë një arenë e madhe ku çdokush takohet me kulturën, një arenë që na kujton se me gjithë zhvillimin marramendës të teknologjisë, me ndryshimet shumë të shpejta që ndodhin në vendin tonë – një demokraci e re që po shkon përpara – libri dhe dija është baza e gjithçkaje”.
Më pas Dudaj ka shtuar se megjithatë, si diçka e re, edhe ky festival nuk ka qenë një iniciativë e lehtë për t’u realizuar.
“E nisëm si iniciativë e 7-8 shtëpive botuese, shumë të njohura dhe me kontribute në fushën e botimeve, më qëllimin e mirë për të shtuar larminë e jetës kulturore e sidomos librore të kryeqytetit. Ia dolëm, sado që nuk arritëm të ishim të gjithë së bashku këtu. Të gjithë ata që për vite kanë vënë nga një gur në murin e kontributeve. Më ka ndodhur këto ditë të përballem e të lexoj edhe komente që nuk u vijnë aspak për shtat njerëzve që merren më kulturën në përgjithësi dhe librin në veçanti. Kam dëgjuar madje lloje pengesash nga më të çuditshmet që u janë vënë në rrugën e tyre botuesve dhe jo vetëm, për të mos qenë pjesë e kësaj iniciative. Sinqerisht nuk e kam kuptuar kurrë këtë dashakeqësi”, ka thënë Dudaj. “Në fakt, përveçse nuk e kam kuptuar, gjatë këtyre viteve të punës time si botuese, edhe kam refuzuar t’u jap rëndësi këtyre shkopinjve që shpesh i kam parë të shtrohen nën rrota. Kam zgjedhur kështu sepse gjithmonë kam besuar tek ajo forcë e dijes, për të cilën kam kontribuar dhe dhënë investimin tim. Kam preferuar gjithnjë të besoj se, si në çdo fushë tjetër të kulturës, edhe kur vjen puna te libri, publiku është ai që vendos me mençurinë e tij. Në fund të fundit, publiku ia jep drejtimin çdo gjëje, me përkrahjen e vet. Dhe, sidomos gjatë këtyre pesë ditëve, më është provuar dhe forcuar ky besim”, ka thënë Dudaj.
Sipas kryetares së SHLSH, këto ditë Muzeu Historik Kombëtar, ka parë numrin më të madh të vizitorëve që mund të mendohej. “Rreth 70 mijë vizitorë për katër ditë shijuan veprat e artistëve shumë të talentuar të artit pamor dhe mbi 40 mijë tituj librash që 50 entet botuese pjesëmarrëse ofruan për të pasionuarit pas leximit. Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese dhe sallat e konferencave u zhvilluan më shumë se 26 promovime autorësh e librash të rinj, u zhvilluan konferenca, ndërkohë që në serinë e aktiviteteve nuk munguan diskutimet mbi veprat e artit të paraqitura, problematika dhe tema profesionale. E bën më të veçantë këtë festival prania e Daria Bignardit, Andrej Nikolaidhis dhe Kirmen Uribe, pa përmendur larminë që dhuruan me talentin e tyre shumë të rinj liceistë dhe shkollash të kryeqytetit që ishin protagonistë dhe vizitorë njëherësh. Me bindje e them që Festivali i Artit dhe i Librit dominoi gjatë kësaj jave dhe i dha tjetër nur qendrës së kryeqytetit. Synuam të sillnim diçka të re, një festival të vërtetë, me shumë të ngjashëm të tij nëpër botë dhe vendet e zhvilluara, për t’i dhënë një frymë të re kulturës shqiptare. Dolëm nga skemat e vetëm shitblerjes së librave për të lënë pas klishetë dhe për të ofruar diçka ndryshe dhe besoj se në këtë iniciativë të parë publiku e deshi Festivalin e Librit dhe të Artit. Prandaj besoj se nuk i kemi të kota pritshmëritë për ta vazhduar këtë traditë edhe në të ardhmen”.
Ndërsa Vladimir Myrtezaj tha se kushdo që gjendej përballë fasadës dominuese të Festivalit të Librit dhe të Artit Pamor natyrshëm mund të pyeste: pse kjo zgjedhje? “Me të drejtë, tha ai, do verifikonit vetveten nëpërmjet një analize të brendshme, ku do gjenit menjëherë disa aprovime dhe disa joaprovime, natyrisht sipas të gjykuarit të gjithsecilit. Në të njëjtën pozitë u gjenda edhe unë përpara se ta sillja në krye të herës këtë verifikim me vetveten. Jam shumë i sigurt se disa prej jush do ngrihen vrik në lidhje me këtë analizë… Një gjë e tillë është krejt normale. Në ngrehinën e vlerave apo në këtë membranë të kujtesës sonë kombëtare, mes të gjallësh dhe të vdekurish tanimë, nuk se ka një postim me karakter përzgjedhës, me prirje nga preferenca të rëndomta simpatish; por, në parim, qasja si një kusht themelor i lëvizjes, energjisë së krijimit dhe i profilit publik të ngritur me punë e talent. Kjo përzgjedhje nuk ndjek arsyetimin për një renditje nga thellë historisë, por kërkon të mbledhë energjinë e akumuluar nga e tashmja dhe çaste të zbuluara, veçanërisht nga protagonizmi në kohë të ndryshme përfshirë dhe tranzicionin marramendës në vend. Një postim i rritur në përmasë, me dëshirën që në një çast të caktuar, në një faqe lundruese vlerash, secilit iu dha mundësia e duhur për të (ri)zbuluar portretin e tij publik, në kohë apo jashtë saj, portret i cili është sjellë në zenitin e sotëm, si një nderim i veçantë dhe paraprirës, që mësyn drejt arenës së madhe të artit botëror. Shartesa mes dy gjërash në interes i ngjan një shartimi në bashkëjetesë. Konflikti natyral mes asaj që prodhoi regjimi i dikurshëm, pjesa e ndërmjetme e fillimit të viteve ‘90 dhe arti sot i emergjencës si prezencë aktive”.
Myrtezaj ka shpjeguar se tetë profile galerish alternative në kryeqytet e më gjerë, nga Kosova dhe Mal i Zi, u gjendën në një shestim të venduar për të bërë diferencën me profilet e tyre, si kuratorët ashtu edhe artistët e përzgjedhur nga vetë galeritë. Realitetet kulturore, të shprehura e të ngjizura tashmë në screen-et e tyre, bëjnë një touch me kohën, si një predispozitë dialogu e gare në një hapësirë të përbashkët përplot interferenca. “Sa shumë do doja që konceptit dhe membranës historike dhe protagonizmit të kohës t’i nënshtroheshin këtij shestimi të përbashkët si elokuencë kundër. Emra të njohur kundër të çdo debati publik shqiptar. Të gjithë këta do mund të ridimensiononin dialogun si një “armiqësi” e shpallur nga qendra të ndryshme mendimi. Ja pse gjithnjë një qendër krijon periferi të reja? Në kuptimin e plotë të saj si një alternativë në lëvizje vlerash, për të bërë vend në energjitë e mendjes që ka nevojë ky vend. Ne kemi misionin të jemi të hapur dhe të (ri)dimensionojmë kulturën në dialog dhe në beteja të kulturuara, për të bërë të mundur një botë të madhe e konkurruese, dhe jo vetëm në dyluftime të vogla armiqësish që duhen tejkaluar, pa nevojën për t’u puthur në buzë, por për mundësinë që pamundësinë ta sjellim në fokus si mundësi për një kulturë bashkëjetese si armiq të mundshëm. Nuk jam këtu për t’ju treguar se sa rehat jam, sepse njeriu më i parehat është vetë autori i këtyre radhëve. Nëse do nisesha nga qëndrime vetjake, si mik i mundshëm, në këto rreshta do mund të ishin të tjerë njerëz të panjohur për ju, që unë i çmoj, dhe janë pararendës që kanë kontribute të cilat bënë të mundur fatin e njeriut për të marrë udhë dhe eksploruar gjëra të rralla dhe të pashlyeshme në shenjat e tyre disi të padukshme. Porse, arsyeja e do që t’ju postohem hapur në një logjikë që e afron e vërteta më e dukshme në udhën e kohës, që edhe nëse nuk e do për dashuri mund ta shquash si objektivitet pa kthim në formë armiku”.
Dy fjalë për veprën fituese “Never”
Përpara se fakti historik, që Lulaj e përcakton si themelet e veprës së tij, të përshkruhet si një sugjerim i thjeshtë konceptual, në vetvete ai përbën një interes skulpturor: një skicim monumental i emrit të Enver Hoxhës përgjatë maleve në afërsi të Beratit, diktuar në vitin 1960 nga vetë diktatori. Emri i Hoxhës, i shkruar me germa rreth 150 metra të gjata, stolis shpatet qendrore të malit Shpirag, porsi një ornament dinak, duke e kthyer atë në një stendë groteske afishimi në emër të një sundimi pa fund. Pas një përpjekjeje të dështuar në vitin 1990 për të çrrënjosur këtë emër kaq zulmëmadh, u zbrazën tonelata acidi mbi shkronja, që çuditërisht rezistuan, madje u bënë edhe më të dukshme nga theksimi i njollave të djegies përgjatë zgjatimeve të vetë linjave të tyre. Në përfundim mbollën pemë përmbi mbetjet e germave, me qëllim që kalimi i kohës t’i zhdukte tërësisht. Por pemët, përveç faktit që duan kohë të rriten, në vetvete ato janë matëse të kohës. Pas dy dekadash, pemët kishin mbetur të parritura, si distanca me të kaluarën e afërt. Mbulimi i ngadaltë i shkronjave u kthye në një metaforë të paqëllimtë, për sa i përket mënyrës se si ndërlidhet politika e kaluar me këtë të sotme, se si vetë historia plaket. Nëse “besimi lëviz malet”, a është e mundur që akti i mbishkrimit të germave t’i fiksojë ato përsëri në terren?
Në verën e vitit 2012, artisti Armando Lulaj rishkruan shkronjat e venitura, pasqyrë e homazhit famëkeq të diktatorit, por me një ndryshim të dallueshëm: Enver shndërrohet në Never. Në filmin dhe instalacionin e tij me të njëjtin titull, Lulaj na afron më pranë procesit të mundimshëm të këtij (jo)emërtimi të së shkuarës së afërt. I përbërë nga plane të gjata, të pakomentuara, filmi portretizon me delikatesë qetësinë dhe rutinën e punës ditore të njerëzve përreth maleve vetmitare. Megjithatë, fokusi i kamerës përqendrohet në vazhdimësi, veçanërisht në njërin prej tyre. Edhe pse i shprehur jo qartë nga artisti, dyshimi se ky person personifikon në një mënyrë disi të veçantë historinë Enver-Never, sa vjen e rritet. Në të vërtetë ai ka qenë një nga pjesëmarrësit në gdhendjen e parë të emrit në mal, në tentativën e dështuar për ta zhdukur atë; në matjen përllogaritëse të germave të emrit të diktatorit, si dhe së fundmi në riemërtimin e tij. Një Sizif në natyrën e tij, Lulaj qëndron i mprehtë sa i takon përshkrimit joromantik të këtij personazhi dhe fokusohet pikërisht te procesi i punës, te sakrilegji, por edhe në çastet e qenësishme të bukurisë së këtij procesi.