70-vjecaret mosha e arte e lumturise

70-vjecaret, mosha e arte e lumturise
Në fillim stresi i punës, shqetësimet familjare dhe paratë, që nuk mjaftojnë kurrë. Pastaj vjen magjia e moshës. Gjithçka nis këtu, duke zbuluar qetësinë dhe kënaqësitë që ofron jeta...

Mos u shqetësoni nëse pas të 50-ave ndiheni të lodhur, të mërzitur dhe jashtë forme. Është më se normale: pasi keni prekur fundin, po filloni të ngjiteni në majë. Sfida të reja gjithmonë e më dinamike po shfaqen me zgjatjen e jetëgjatësisë. Trajektorja e ekzistencës, në fakt, i ngjan shkronjës U: në fillim rinia plot vitalitet dhe kënaqësi, pastaj në mes të rrugës stanjacioni, dhe në fund rimarrja e vetes, derisa arrin kulmin e lumturisë në moshën pas pensionit. Duket e pabesueshme, por në fakt kështu thotë shkenca: kohët e fundit, Arthur A. Stone, pedagog i psikiatrisë së përgjithshme në Universitetin e Nju Jorkut bashkë me disa kolegë të tjerë, ka publikuar një studim mbi lumturinë të bazuar në intervistat dhe analizat.

Ata “matën” ndryshimin emocional dhe gjendjen shpirtërore në faza të ndryshme të jetës. Rezultatet janë vërtet befasuese: gëzimi arrin kulmin në moshën 50- vjeçare, stresi në harkun kohor 20-30 vjeç, ndërsa më pas ulet në mënyrë drastike. Pastaj ankthi që arrin kulmin në moshën 40-vjeçare, ndërsa trishtimi pas të 40-ave, ndërkohë që inatet e vjetra vijnë duke u zvogëluar me kalimin e kohës. Gjëja akoma më befasuese është se kjo teori gjen zbatim gjithandej. David Blanchflower, ekonomist amerikan dhe disa prej kolegëve të tij anglezë kanë krahasuar të dhënat në 72 vende të ndryshme. Përfundimi ishte ky: në të gjithë botën, njerëzit janë më të lumtur rreth moshës 40-50 vjeçare, ndërsa piku negativ arrihet në 46 vjeç. Ndërkaq, studime të tjera tregojnë se si të moshuarit janë në pozicion më të rehatshëm, të gatshëm të pranojnë dobësitë e tyre, por më pak luftarakë.

Duke qenë se janë më të kënaqur, janë rrjedhimisht edhe më produktivë. E ndiejnë veten më afër vdekjes, ndaj kapen pas jetës me të gjitha forcat që kanë, ridimensionojnë pritshmëritë dhe ambiciet, jetojnë më të qetë. Me pak fjalë, janë më të lumtur. “Nuk ka asgjë për t’u habitur. Në moshën e tretë lulëzon bota e marrëdhënieve njerëzore, sepse ke më shumë kohë në dispozicion”, - thotë Stefano Bartolini, docent i ekonomisë politike në Universitetin e Sienas. Çështja, sipas profesorit, qëndron tek puna dhe marrëdhëniet sociale dhe familjare.

Në këtë moshë janë pothuajse të gjitha të rregulluara: shtëpia, puna, familja, ndaj nuk ngelet gjë tjetër veçse të mendosh për t’u kujdesur për veten dhe shijuar kënaqësitë e jetës. Që paratë nuk blejnë lumturinë, kjo dihet, ndaj mosha e tretë zakonisht kënaqet me atë çfarë ka fituar gjatë jetës. Po të shikojmë hartën botërore të lumturisë, vendet më të lumtura janë Nigeria, Vietnami, Meksika dhe Kolumbia. Sipas mjekëve, ka disa pjesë të trurit që vazhdojnë të zhvillohen duke e arritur pikun në periudhën nga 40 deri në 68 vjeç. Që lumturia është kura më e mirë për zemrën, kjo dihej. Kohët e fundit, Kryeministri britanik David Cameron ka kërkuar nga zyra e statistikave krijimin e një njësie të veçantë që të merret vetëm me lumturinë: me pak fjalë, të studiojë se sa të lumtur janë njerëzit, për t’ia paraqitur më pas qeverisë. Edhe Franca e ka aplikuar prej kohësh diçka të tillë. Edhe nga rezultatet e tyre ka dalë se më të lumturit janë 70-vjeçarët.

Pse janë të lumtur

Në moshën 72-vjeçare, Jane Fonda e pranon pa hezituar se jeta e saj nuk ka qenë kurrë kaq e pasur, kaq aktive dhe plot kënaqësi. Pasi  ka kaluar pragun e 64-t të jetës, Susan Sarandon e mbështet totalisht idenë e koleges së saj. Është kështu edhe për Charlote Rampling, Helen Mirren apo Sigourney Weaver. “Sa më shumë plakesh, aq më shumë zbulon se ke pak kohë në dispozicion, ndaj duhet t’i bësh të gjitha. Frika e vdekjes nuk e mposht atë të jetës. Në fakt, të gjitha studimet tregojnë se me kalimin e viteve personat bëhen me më pak ankthe, më pak armiqësorë dhe provojnë emocione më pak negative. Sot ekzistojnë shumë pak gjëra që më shqetësojnë.

 Pothuajse i kam të gjitha të rregulluara”, - tregon Jane Fonda. “Sot nuk do doja kurrë të isha 20 vjeçe. Në këtë moshë po përjetoj lumturinë që as që e kisha njohur më parë”, - vazhdon Sarandon. “Në krahasim me të kaluarën, jam më e përgjegjshme për moshën time. Sigurisht, plakja është një periudhë e jetës pak e vështirë për t’u pranuar në fillim. Duhet të marrësh parasysh gjithë ndryshimet, duke nisur që nga zbardhja e flokëve dhe trupi që ndryshon. Por kjo është diçka natyrale. Për këtë është e domosdoshme të rrethohesh nga gjëra të bukura, për të mos ndjerë kohën që kalon”, - përfundon Susan. Fjalë të bukura edhe nga Sigourney Weaver. “Nuk e kam problem fare faktin e moshës. Mjafton të lëvizësh, të shijosh jetën dhe do të zbulosh se mundësitë vijnë vetë”, - tregon ajo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama