Parku Arkeologjik i Apolonisë, pas dëmtimeve të shumta ndër vite, pritet të restaurohet me investime të reja me qëllim mbrojtjen e vlerave të kësaj dëshmie të qytetërimit të hershëm.
Me nismë të Ministrisë së Kulturës po përgatitet një projekt që është në fazën e studimit për restaurimin këtij parku, restaurimet për të cilin kanë dështuar ndër vite. Shembulli më konkret i shkatërrimit që po pëson kjo qendër e rëndësishme e trashëgimisë kulturore është Trapezaria, kisha mesjetare si dhe portiku.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gjatë vizitës së saj, në parkun e Apollonisë këtë fundjavë deklaroi se MK po përgatit një projekt të ri me vlerë 75 mijë euro që do të mundësojë restaurimin në këtë park.
Apollonia funksionon si Park Arkeologjik Kombëtar që në vitin 2005. Ky park është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qarkut të Fierit e më gjerë, i cili këtë sezon vere po tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas e turistë të huaj. Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit.