Parkut Kombëtar Arkeologjik i Apolonisë, një nga resurset kryesore historike dhe turistike në vend, i dëmtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, i është hapur drita jeshile për restaurimin e tij, me një fond të Komunitetit Europian, në vlerën e 750 mijë euro. Një nga objektet që pritet të restaurohet do të jetë Portiku i Apolonisë, i dëmtuar para disa viteve nga rrëshqitjet e dheut.
Drejtori i muzeut, Admirim Xhela, sqaron se përfaqësues dhe specialistë të Parkut Kombëtar të Arkeologjisë dhe përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, do të vendosin së bashku se ku do të fokusohet paketa e restaurimit për rikonstruksionin e këtij parku.
Ndërsa ish drejtori i Parkut të Apolonisë, Vangjel Dimo, tha se duhet të respektohet përdorimi i fondeve, që sipas tij, janë keqpërdorur.
“Është një shumë e konsiderueshme fondesh që është akorduar nga KE. Si specialist i kësaj fushe, do të bëja thirrje që këto fonde të hidhen në themelet e objektit”, shprehet ai për “GSH”-në.
Sipas Dimos, portiku duhet domosdoshmërisht të restaurohet sipas projekteve të studiuara, për të rikthyer statujat, të cilat për shkak të dëmtimit, janë vendosur në vende të ekspozuara nga agjentët atmosferik, apo ndodhen në mjedise të mbyllura, ku vizitorët nuk mund t’i eksplorojnë. Në portikun e Parkut të Apolonisë, të ndërtuar në shekullin e IV-të, pas Krishtit, kanë qënë të vendosura shtatoret e njerëzve të shquar dhe heronjve të kohës. Prej tre vitësh, ky portik nuk e kryen funksionin për shkak të dëmtimeve dhe monumentet që kanë qënë të ekspozuara në të janë vendosur në ambjente të hapura, nën ekspozimin e agjentëve atmosferikë.