Ky është një ndryshim dramatik nga synimi fillestar i kësaj date, që ishte përmirësimi i kushteve të femrave punëtore në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore.Pa dyshim se shënimi i 100-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Grave, 8 Marsi, në natyrën e tij është vërtet ndërkombëtar, pasi festohet në më tepër se 100 vende në gjithë botën. Por, pavarësisht përvjetorit të profilit të lartë, për këtë ditë, pothuajse as që dëgjohet në perëndim, madje edhe në vendet ku kjo festë e ka origjinën.
Dita e Parë Ndërkombëtare e Grave është mbajtur në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, më 19 Mars 1911, ku u kërkua që femrave t'u jepej e drejta për punë, për votë dhe e të drejta që të mbajë poste publike. Në këto tubime morën pjesë më shumë se një milion njerëz. Përtej Atlantikut, në Shtetet e Bashkuara, ngjarjet kishin filluar më herët. Në vitin 1909, në harmoni me deklaratën e Partisë Socialiste të Amerikës, që atëherë ishte e popullarizuar, ishte mbajtur Dita e Grave, e para në Shtetet e Bashkuara.
Dita e Grave ka zgjatur vetëm katër vjet si festë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, që përfundoi me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Uashingtoni e njohu Ditën Ndërkombëtare të Grave, që ka lëvizur në datën 8 Mars, vetëm pasi ajo formalisht u krijua nga Kombet e Bashkuara, në vitin 1975. Përkohësisht, 8 Marsi është bërë një festë e qëndrueshme në pjesën më të madhe të ish-bllokut sovjetik. Por, nëse në fillim ishte përdorur si tubim për t'u ankuar për të drejtat e grave punëtore në Rusi dhe në vendet e tjera, më vonë është zbutur dhe është shndërruar në një lloj të Ditës së Shën Valentinit, ndërsa lulet dhe dhuratat i zëvendësuan thirrjet për të drejtat e grave.
Por, ka shenja të ringjalljes, madje edhe në Shtetet e Bashkuara. Këtë vit, presidenti Barak Obama e shpalli muajin mars të këtij viti, për muaj të Historisë së Grave dhe u bëri thirrje amerikanëve që tw shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Grave. Rrjedhimisht, disa organizata me seli në Shtetet e Bashkuara, që janë të fokusuara në çështjen e grave, planifikojnë ngjarje speciale. Një organizatë e tillë është "Gratë për Gratë", që i sponsorizon gratë në vendet e goditura nga lufta, siç janë Afganistani, Bosnja, Kosova, Iraku, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Ruanda dhe Sudani.
Organizata "Gratë për Gratë", po drejton një projekt të titulluar "Bashkohu në urë", me këtë rast gratë do të mblidhen në ura në 48 vende në mbarë botën, për të përkujtuar 100-vjetorin e Ditës së Grave dhe për të bërë thirrje për përmirësim të pozitës së shumë grave të botës. Në vendet si Amerika, Danimarka, ose në Britani, , në shumë aspekte, ka pasur progres të madh për gratë. Por, në shumë pjesë të botës, ka gra, që ballafaqohen me sfida edhe më të këqija se gratë, që luftonin për të drejtën e votës, para më se 100 vjetësh.