Titulli i gjashtë radhazi në Korçë u festua deri në agim mes muzikës, alkoolit dhe puros. Pas ceremonisë së dhënies së titullit, ekipi ka pasur kohë vetëm sa të ndërrohet për rreth një orë dhe, më pas, takimi i parë ishte te "Life Galery". Festa nisi diku rreth orës 22:00, me një banket të shtruar nga Takaj, ku të binte në sy organizimi i mirë deri në çdo detaj dhe foto pa fund me trofeun e gjashtë radhazi e të shtatin në histori. Aty nuk mungonte as kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, dhe një pjesë e stafit të tij bashkiak. Pak më tutje ishte edhe delegacioni i FSHF-së, ku vihej re mungesa e Armand Dukës. Fill pas tyre tavolinat e futbollistëve që mbusheshin pak e nga pak, jo vetëm me praninë e tyre, por edhe me birra e tym duhani. Të shoqëruar nga bashkëshortet, teksa disa kishin zgjedhur që të merrnin edhe fëmijët me vete në këtë banket, çdo gjë ishte nën shoqërinë e serenatave korçare për ta bërë akoma edhe më të bukur mbrëmjen që sapo kishte nisur. Në një festë të tillë, përveç fotove të shumta që shkrepnin të pranishmit, të binte në sy një fakt, kupa. Nuk gjendej kollaj dhe ishte mjaft e vështirë që mbrëmjen e së enjtes të bëje një foto me trofeun.
Batutat, nga Takaj te Boshku
Nga ana tjetër, batutat ishin nga më të larmishmet... Osmani vijonte shakatë e tij miqësore me kapitenin Shkëmbi, ku herë-herë ngacmonin edhe Kristi Vangjelin. Por Takaj ka qenë ai që ka bërë batutat më pikante të mbrëmjes."Ça jemi bërë kështu, s'po e marr vesh?! Mbetëm duke fituar tituj, po tallet gjithë dynjaja me ne...", ka qenë batuta e parë e Takajt me të pranishmit dhe me pjesëtarët e FSHFsë. Presidenti më pas ka thënë: "Po na dhemb krahu i djathtë se është bërë me muskuj, ngaqë kemi pesë vjet që ngremë kupën.Tani më duket se do fillojmë të ngremë kupat e tjera me të majtën për balancim force", vazhdonte presidenti duke shkaktuar shumë të qeshura te të pranishmit, ndërsa nuk mund të qëndronte veç edhe Arlind Boshku, zv/presidenti i Skënderbeut, i cili befasoi disi me batutën e tij: "S'po na shijojnë fare më këto festat. Duket sikur hedhim foto të njëjta se na duket e njëjta festë. Për fat të mirë, kemi veshjet e ndryshme nga viti në vit që na dallojnë se nuk është e njëjta festë, por janë gjashtë të ndryshme...".
Delir dhe ironi me Partizanin
E teksa banketi po i shkonte fundit, Klajdi Haruni priste i vetëm në një tjetër bar për të vijuar andej natën e gjatë të festës, e cila sapo kishte filluar në Korçë. Kështu pothuajse gjithë të pranishmit janë drejtuar "Republikës" për të vijuar nga atje mbrëmjen festive. Përjashtim bënë vetëm lojtarët e huaj. Një pjesë prej tyre u larguan menjëherë së bashku me disa prej kosovarëve që u kishin ardhur familjarët. Pjesa tjetër, natyrisht më e madhja e klubit, ishte prezente. Megjithëse ora po shkonte 01:30 e natës, festa në Korçë sapo kishte nisur. Ndryshe nga herët e tjera, këngëtari korçar Klajdi Haruni e hapi mbrëmjen me një këngë, të cilën ia dedikoi të gjithë Partizanit.
"Obobo obobo kupën ku ta gjej" ka qenë kënga që Harruni ia ka kushtuar ekipit rival për titullin e këtij sezoni për t'ia lënë vendin pak e nga pak edhe lojtarëve që të bëheshin këngëtarë në një mbrëmje të vetme. I pari që ka marrë mikrofonin ka qenë Hamdi Salihi, i cili ka treguar cilësitë e tij prej goleadori edhe në këngë me një mori potpurish shkodrane, ekzibicion nga Salihi që është shoqëruar me një mori duartrokitjesh plotësisht të merituara nga numri 14 i Skënderbeut.Më pas, i gjithë spektakli është marrë në dorë nga Tefik Osmani. mbyllën performancën me mikrofon, skena ka qenë e gjitha e Harunit, i cili e ndezi flakë klubin ku po festonin bardhekuqtë duke mos lënë mënjanë ngacmimet e herëpashershme ndaj Partizanit, por duke bërë batuta edhe me zyrtarët e federatës. "Një përshëndetje edhe për federatën që u lodh duke udhëtuar në Korçë për titullin, po do lodhet edhe disa vite të tjera...", gjë që ka shkaktuar brohoritje dhe të qeshura në të gjithë sallën.
Mbrojtësi korçar, përveç dedikimeve të shumta për kapitenin Shkëmbi, ka kënduar këngën "Tradhtare" së bashku me Klajdi Harunin, pavarësisht se ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja. Pasi Salihi dhe Osmani.
Kampionët këngëtarë dhe... shampanjat
Ora po shkonte 02:00 e mëngjesit, por askush nuk kishte në mendje të mbyllte festën, teksa u dha edhe "ultimatum" nga presidenti Takaj si drejtues i festës: "Kush do të largohet tani ka dhjetë minuta kohë, më pas asnjë nuk ka shansin të dalë nga dera, deri në fund të festës". Pavarësisht se "kërcënimi" ishte i madh, askush nuk lëvizi për t'u larguar dhe festa vijoi akoma edhe më e nxehtë. Menjëherë pas fjalës së tij shpërthyen afro 10 shampanja dhe e gjithë salla u lag nga shkuma e tyre, por ata që e pësuan më keq ishte tavolina e Osmanit, Arapit, Shehit dhe Salihit, por edhe presidenti Takaj. Dush me shampanjë u bë edhe Shkëmbi, i cili u detyrua të hiqte këmishën e lagur komplet për të veshur një bluzë tjetër. Gjithçka në dorë e mori Renato Arapi me dy këngë, fillimisht "Vajza nga Shijaku" dhe, më pas, me "Trëndafilin e bardhë", por kulmi arriti kur talent në këngë tregoi edhe trajneri Mirel Josa. Trajneri bardhekuq ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe i ka përshëndetur me këngën e tij të preferuar, një këngë greke në fakt që Josa e ka interpretuar më së miri.
Orët kalonin me shpejtësi dhe, ndonëse kishte shkuar ora 03:30, festa nuk po mbaronte. Të gjithë skenën e kishte marrë në dorë presidenti Takaj së bashku me "veteranët" e ekipit, të cilët i kanë kushtuar edhe një këngë kapitenit Bledi Shkëmbi duke e falënderuar për gjithçka që i ka dhënë Skënderbeut dhe i bërë me dije se Shkëmbi është i Skënderbeut dhe mbetet i Skënderbeut. Gjithçka u zhvendos mbi tavolina, të cilat u pushtuan nga Osmani, Arapi dhe Lilaj, i cili surprizoi disi këtë herë. Gjithmonë mesfushori korçar ka qenë i qetë dhe nuk është ndier, por ndoshta ky titull kaq i vështirë ka çuar peshë zemrën e Lilajt që është shfrenuar duke kënduar dhe kërcyer mbi tavolinë. Për orë të tëra kanë qenë këta dominuesit e skenës dhe, herë pas here, situatën e merrte në dorë Takaj.
Himni dhe "të fundit e mohikanëve"
Momenti kulmor ishte kur në sfond u dëgjua himni i Skënderbeut dhe, më pas, kënga "Unë jam Kuq e zi". Aty lokali "mori flakë...". 5 flakadanë u ndezën në ambientin e brendshëm të lokalit gjatë këngëve, çka detyroi të pranishmit në pjesë të madhe të tyre të dilnin disa minuta jashtë, me qëllim që tymi të largohej plotësisht. Pak e nga pak, rreth orës 04:00 të mëngjesit, filluan largimet e para. Të parët që u larguan ishin disa të ftuar, e fill pas tyre edhe përfaqësues të federatës, por festa vijonte me ritme të larta. Rreth orës 04:45 u largua edhe presidenti Takaj dhe një pjesë e ekipit, teksa të pamposhtur vijonin me festën Osmani, Arapi, Lilaj, Abilaliaj dhe Shkëmbi. Në orën 05:30 gjithçka po shkonte drejt fundit dhe ishte kapiteni ai që mbylli festën me një përshëndetje të fundit. Në këtë mënyrë u mbyll në Korçë festa e zgjatur gati 8 orë. Një festë të tillë Korça nuk e kishte parë kurrë dhe do të mbahet mend për shumë kohë në këtë qytet.