Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefteri Luzi ka deklaruar se në Shqipëri janë të regjistruara 126 parti politike, ndër të cilat 112 (88 për qind) janë parti fantazëm dhe të pakontaktueshme nga Komisioni, ndërsa 74 parti nuk kanë pranuar të bëjnë auditim për mënyrën se si i kanë mbledhur fondet dhe si i kanë shpenzuar ato për fushatat zgjedhore.
Para pak ditësh, në komisionin e Ligjeve u diskutua mbi masat e marra dhe ndryshimet ligjore të nevojshme të propozuara nga KQZ-ja për largimin e tyre nga sistemi.
Sipas kryetares së KQZ-së është e nevojshme të parashikohet në ligj se në qoftë se një parti nuk ka jetë politike ose nuk i nënshtrohet auditimit të financimeve private dhe shpenzimeve të kryera, të çrregjistrohet nga listat zgjedhore.
Sipas ligjit në fuqi, partitë parlamentare dhe ato parti që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare marrin financim nga shteti. Gjithashtu, saktësohet se 70 për qind e financimit shtetëror ndahet sipas votave të fituara në zgjedhjet e fundit.
Të gjitha partitë duhet të paraqesin raportin e auditimit mbi fondet e mbledhura dhe të shpenzuara në fushatat elektorale. Mungesa e paraqitjes së këtij raportit e pengon, aktualisht, kontrollin publik të KQZ-së, ashtu si e parashikon ligji që ka për qëllim të kufizojë dhe të bëjë transparencë mbi financimin e aktivitetit politik.