9 epokat e Silvio Berlusconi-t

9 epokat e Silvio Berlusconi-t
Duke vëzhguar lajmet e kohëve të fundit, mund të thuhet që mbretërimit të Silvio Berlusconi-t si kryeministër i Italisë i ka ardhur fundi. Dorëheqja e tij mund të jetë çështje ditësh, nëse nuk është çështje orësh. 75-vjeçari, manjati i medias, i cili është akuzuar për një rënie ekonomike dhe ngritje të borxhit, i është dashur të përballet dje me një votim të rëndësishëm parlamentar mbi projekt-ligjin e financimit të shtetit, ku ai humbi mazhorancën.

1994:  Fillimi i epokës së Berlusconi-t

Berlusconi u zgjodh si deputet në parlament dhe u emëruar kryeministër i Italisë në mars të vitit 1994. Disa muaj më vonë ai vendos të hyjë në politikë dhe të formojë partinë e tij politike, “Forza Italia”. Por koalicioni i tij qeveritar, i cili përfshinte partitë konservatore Alleanza Nazionale dhe LEGA Nord u shpërbë shumë shpejt kur Umberto Bossi i “LEGA Nord” braktisi Berlusconi-n, i cili sapo ishte akuzuar nga një gjykatë milaneze për ryshfet ndaj autoriteteve tatimore. “Nuk është se investitorët kanë diçka personale me Berlusconi-n, por vetëm se koalicioni i tij tre-partiak nuk i mbajti premtimet e bëra, dhe për sa kohë ai do të jetë kryeministër i vendit, investitorët nuk do të kenë besim në Itali”, shpjegoi një analist italian për AFX News. Në një sondazh të publikuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar u vu re se Berlusconi vazhdonte të qëndronte ende si zgjedhje kryesore e italianëve për të udhëhequr qeverinë e ardhshme.

1996:  “Ylli i shndritshëm” bie në Tokë

Koalicioni i qendrës së djathtë e Berlusconi-t humbi me një aleancë të qendrës së majtë të udhëhequr nga Romano Prodi gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në prill. Agjensia Franceze e Lajmeve e quajti këtë si “rënia politike e një ylli italian në vitet 1990” dhe një nga analistët arriti në përfundimin se koalicioni më i mirë qeverisës për Italinë ishte ai i majti. Në korrik të 1998-ës Berlusconi mban një konferencë për shtyp si një kundërpërgjigje ndaj një gjykate në Milano të cilin e akuzoi për financim të partive të paligjshme dhe e dënoi me dy vjet burg. Më pas ai u lirua nga Gjykata e Apelit për shkak të skadimit të afatit kohor për të ngritur akuzat.

2001-2004:  Rritja e Feniksit

Berlusconi u rikthye si kryeministër pasi koalicioni i tij i qendrës së djathtë fitoi zgjedhjet. Më pas ai u përball me një varg rastesh korrupsioni si; shpërdorim detyre, mashtrime tatimore dhe rryshfete ndaj gjyqtarëve. Të gjitha këto ngjallën kritika nga media, protesta të zemëruara dhe madje edhe thirrje nga ish-presidenti Italian Francesco Cossiga Për dorëheqje të Berlusconi-t. Megjithatë në një farë mënyre ai arriti t’u shmangej të gjitha këtyre kritikave. Në këto kohë Berlusconi si një politikan feniks filloi të marrë formë. Në vitin 2002, “The New York Times” mrekullohet dhe shkruan për “Për indiferentizmin e Berlusconi-t ndaj dëmeve politike që kishte shkaktuar”. Thirrjet për dorëheqjen e tij ishin të vazhdueshme. Në vitin 2004, kur ministri i Ekonomisë dha dorëheqje, një udhëheqës i opozitës shpalli fundin e epokës së Berlusconi-t. Në atë kohë Belusconi-t do i ishte dashur të përballej seriozisht me një humbje politike, por mandati i tij nuk kishte përfunduar ende.

2005:  Largimet dhe rikthimet

Koalicioni në pushtet i Italisë u rrëzua në prill, pas një humbjeje të thellë në votimet lokale. Analistët e komentuan këtë rezultat si një referendum kundrejt kryeministrit, madje kritika pati edhe nga aleatët e koalicionit të tij. Për median italiane ‘Il Sole 24 Ore’ “kjo rënie e popullaritetit të kryeministrit Silvio Berlusconi do të sillte nga pas një stuhi të fuqishme”. Në fakt ai e dha dorëheqjen vetëm e vetëm që të riorganizonte kabinetin e tij dhe të formonte një qeveri te re disa ditë më vonë.

2006-2008:  Rënie të popullaritetit?

Berlusconi humbi edhe një herë zgjedhjet kundrejt Romano Prodi-t. Analistët e “New York Times-it”, tashmë të mësuar me historinë e Berlusconi-t, pyesnin “A mbaroi epoka Berlusconi?”.Duke patur parasysh që Berlusconi do të mbronte perandorinë e tij të biznesit për të shmangur problemet ligjore, gazeta arriti në përfundimin se përgjigja do të ishte “Sigurisht që jo!”. Dhe realisht artikulli i vërtetoi parashikimet.

2009: Skandalet publike dhe krizat

Ky vit shënoi një pikë të ulët për Berlusconin. Gruaja e tij, Veronica Lario, njoftoi për ndarjen me Berlusconi-n dhe deklaroi se kryeministri Italian abuzonte me të mitur , duke bërë publike pjesëmarrjen e tij në ditëlindjen e modeles 18 vjecare Letizia Noemi. Më pas dëshmi të tjera rritën numrin e akuzave se Berlusconi ftonte vajza të reja dhe prostituta në zyrat e partisë së tij dhe i shpërblente më pas me dhurata , para ose u ofronte poste në qeverinë e tij.

Dy raste korrupsioni të rihapura përsëri nga Gjykata Kushtetuese e Italisë, bënë që kryeministri të ankohej se ishte personi më i persekutuar në të gjithë historinë e botës.Më pas ai u godit nga një njeri gjatë një tubimi në Milano dhe u përball me protesta masive në Romë që kërkonin dorëheqjen e tij. Në fillim të 2009 “The Economist” vërejti se Berlusconi ishte i rrethuar nga të gjitha anët dhe gjendej në një “pikë krize”. Por kjo revistë theksoi gjithashtu se “ai mund të ketë ende një xhol të fshehur nën mëngë”.

2010-2011: Vitet bunga-bunga

Berlusconi u përfshi edhe nga një hetim për marrëdhënie me një balerinë adoleshente nga Maroku e quajtur El-Mahroug Karima. Për më tepër ai filloi të përballej me një maratonë votëbesimesh dhe më pas bie viktimë e krizës europiane. Të gjitha këto probleme bënë që edhe ish aleati i Berlusconi-t, Gianfranco Fini, të ishte pro dorëheqjes së kryeministrit Italian. Edhe pse Duncan Kennedy, gazetar i BBc-së, deklaroi se divorci me Veronica Lario-n do të ishte fundi i Berlusconi-t, ai vazhdon ende të mbijetojë. Tashmë kryeministri italian Silvio Berlusconi ka humbur shumicën në Dhomën e Deputetëve dhe është shumë pranë dorëheqjes, pavarësisht se arriti të kalonte projektbuxhetin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama