90 mije azilkerkuesve nga Ballkani do tu ndalohet hyrja ne Gjermani

90 mije azilkerkuesve nga Ballkani do t'u ndalohet hyrja ne Gjermani

Shefi i Autoritetit të Mbikëqyrjes dhe Kujdesit të Emigrantëve, Manfred Schmidt ka deklaruar se “reformimi i ligjit për qëndrimin në Gjermani lejon nga 1 gushti vendosjen e sanksioneve mbi hyrjen në Gjermani të azilkërkuesve nga Ballkani që iu refuzohet kërkesa e azilit”.

Për 94 000 azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit që do të shpallen si të sigurt, do t’u ndalohet hyrja në Gjermani. Kjo për arsyen se ato riaplikojnë për azil, kërkesë që nuk do të pranohet më.

“Nga 1 gushti ne kemi kompetencën të ndërhyjmë tek e drejta e qëndrimit, dhe të vendosim bllokimin e hyrjes në Gjermani dhe një ndalim qëndrimi për të gjithë hapësirën e Shengenit, po qe se kërkesa e këtyre azilantëve për azil është qartësisht e pabazë", thotë Manfred Schmidt në një intervistë për portalin mediatik “Die Welt”.

Sipas tij: “Një të huaji të dëbuar apo rikthyer në vendin e tij nuk do t'i lejohet hyrja në Gjermani për maksimalisht pesë vjet. Këto sanksione, të bazuara në reformimin e fundit të ligjit për të drejtën e qëndrimit në Gjermani, mund të prekin jo vetëm azilkërkuesit nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera të Ballkanit, por edhe nga Gjeorgjia e Tunizia”.

Shumë personave që u është mohuar e drejta e azilit dhe janë rikthyer në vendet e tyre të origjinës,  janë rikthyer duke ndjekur të njëjtën rrugë dhe të njëjtat procedura. Ndërkohë që kjo po bëhet e kushtueshme edhe për shtetin gjerman, si në kohë ashtu edhe kosto financiare.

Schmidt ka pranuar faktin se Autoriteti është në krizë për shkak të procedurave të azilit, që marrin kohë, por edhe të azilkërkuesve të mohuar, të cilët janë kthyer deri në katër herë për të aplikuar, duke marrë akoma më tepër mund.

“Deri në fund të 2015-s Gjermania do të ketë mbi 450.000 aplikime për azil, ku deri më tani rreth 250.000 të tilla janë të papërpunuara ende, me 52% të rasteve që i përkasin 6 muajve të fundit”, ka thënë Schmidt për “Die Welt”.

Më pas ai shton: “Problemi qëndron edhe tek ligji mbi azilin që daton në vitin 2013, kohë kur Gjermania kishte deri në 127.000 kërkesa për azil në vit. Ndaj, për t’i bërë ballë një fluksi të tillë nevojiten staf më i madh dhe procedura më strikte dhe fikse në lidhje me emigrantët”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama