4 janari shënon 90-vjetorin e lindjes së gjigantit të skenës shqiptare, Kadri Roshi. Figura e njohur shqiptare u nda nga jeta më 6 shkurt të vitit 2007. Roshi është cilësuar si një nga aktorët më të talentuar të skenës shqiptare. Kjo kryesisht për shkak të zërit të tij dhe lëvizjeve në skenë.
Në karrierën e tij të gjatë që fillon nga viti 1945, numërohen rreth 170 role, prej të cilave 130 janë role kryesore, që do të bënin të ndihej krenar këdo prej aktorëve të skenës dhe ekranit shqiptar.
Në 1961-n, Kadri Roshi u nderua me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1969, me çmimin e madh “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995, në festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar, mori çmimin e “Karrierës”. Nga Presidenti i Republikës në vitin 1998 iu akordua titulli “Nderi i Kombit”.