Kur pak ditë më parë, u fol, se hashashi duhet të legalizohej pati shumë pak reagime. Megjithatë në komunitetin e përdoruesve apo njerëzve të lidhur me drogat, ka kohë që përflitet se ka ardhur koha për Shqipërinë që të ketë një qasje tjetër ndaj drogave. Ndonëse përballja me ligjvënësit shqiptarë ka qenë shumë zhgënjyese për grupet që merren me trajtimin e njerëzve me varësi nga droga. “Bëjnë sikur dëgjojnë në Parlament kur përballemi në Komisionin e Ligjeve dhe shqetësimi më i madh është se janë fare të papërgatitur. Duket sikur e bëjnë thjesht të mbushin një plan”, thotë Muçollari, një nga aktivistët kryesorë në mbrojtje të këtij komuniteti. Sot, në Shqipëri është një armatë e tërë, që ka varësi nga droga dhe disa mijëra janë në faza ta avancuara përdorimi të drogës.
Edhe pse mungojnë statistikat e mira, duhet thënë se fenomeni është shumë shqetësues dhe po merr përmasa të papara. “Neve jemi përballur me komisionin e ligjeve, ku kemi folur për domosdoshmërinë e shikimit të legjislacionit për drogat, ku disa prej drogave duhet të lehtësohen dhe nuk duhet të inkriminohen aq ashpër”, shprehet Genci Muçollari, drejtor i AKSION PLUS, një organizmi që u asiston njerëzve me varësi drogën.
Drogat e ndryshme, përveç ndikimit të keq që kanë pasur ndër shekuj, janë përdorur edhe për shumë momente kurativë. Mes tyre ka qenë hashashi, që në jetën publike ka pasur përdorime shumë kuruese. Në Shqipëri ka shumë kohë që njihet, për të mos thënë më qartë se ka qenë shumë i përhapur jetë e mot për përdorime të ndryshme. P.sh., sot e kësaj dite, edhe pse zyrtarisht nuk thuhet, Lazarati në Jug është një nga kultivuesit kryesorë. Edhe pse policia raporton vazhdimisht arrestime të njerëzve që e kultivojnë dhe përpiqen ta eksportojnë, hashashi që prodhohet në Shqipëri nuk do të ndalet. Nëse do kishim statistika më të mira, të kapjeve të policisë, apo INSTAT-i të ofronte shërbim më transparent, atëherë fenomeni do të ishte shumë shqetësues edhe në nivele zyrtare. Hashashi njihet si marijuanë në vende të ndryshme sepse janë pjesë e të njëjtës familje.
Ka kohë që ekzistojnë disa lëvizje dhe iniciativa par ta legalizuar marijuanën, e cila po bëhet gjithmonë e më shumë popullore sot në botë. Dhe, jo më kot, në një anketim të fundit, e cila është bërë në SHBA, gati më shumë se 40% e të anketuarve mendonin se duhej të legalizohej kjo lloj droge. Megjithatë, mbështetësit, dhe nga ana tjetër, kundërshtuesit e thekur, gjenden nga të dy kampet. Ata vazhdojnë me argumentet e tyre dhe madje së fundi edhe në Shqipëri. Sesa do të avancojë si ide mbetet për t’u parë.
Shqipëria
Në dy dekadat e fundit, që prej rënies së komunizmit, Shqipëria i është nënshtruar reformave të shpejta shoqërore. Edhe pse me burime të kufizuara, ajo përballet me detyrën e zhvillimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të një demokracie moderne sociale. Shqipëria, llogaritet se i jep më shumë se 3% të PBB-së së saj shërbimeve shëndetësore.
Pjesa tjetër e shpenzimeve shëndetësore, mesatarisht dyfishi i kontributit të qeverisë, vjen nga pagesat private për kujdes dhe medikamente. Kanabisi i marrë në farmaci, fillimisht, do të shërbente shumë për kurimin e shumë sëmundjeve, që me mjekimet e sotme kërkojnë shumë para.
Deri më sot, marijuana dhe heroina janë drogat më të përdorura mes të rinjve, kurse Muçollari pak kohë më parë përmendte edhe për raportime të ekstazisë, që janë futur në sasi të vogla.
Kanabisi është futur thellë në shkollat e mesme dhe ca më keq deri në shkollat nëntëvjeçare. Historikisht, kjo bimë është përdorur herët në Shqipëri dhe në jug, kisha e identifikonte si identitet turk. Vetë Greqia, e ndaloi kanabisin më 1890, me sa duket jo për efektet e saj negative, por për t’ua bërë më të vështirë jetën turqve! Vetë grekët ishin përdorues të mirë të hashashit. Ajo u ndalua krejt në kohën e komunizmit, përveç në vende, që ajo mbillej gjoja në gjendje të lirë dhe amvisat dhe familjarët e përdornin si qetësues por edhe si ushqim. Megjithatë, bimë të familjes së saj u përdorën në gjëra të pafundme industriale dhe medicinale. Kërpi, i të njëjtës familje, me të cilin sot e kësaj dite vijon një luftë në gjyqësorin shqiptar e një komuniteti në Veri, mund të përdoret që nga ndërtimi, veshja, si burim ushqimor, dhe deri si bazë për prodhimin e ilaçeve për kurimin e shumë sëmundjeve.
Politika
Megjithëse sot e kësaj dite nuk mbaron problemi i kërpit me drejtësinë shqiptare, kanë qenë komunistët e Partisë së Punës së Riorganizuar, që në programin e tyre e kanë shkruar qartë dhe e shpallën hapur sfidën e tyre: “Të ndërgjegjësojmë komunitetin mbi domosdoshmërinë e licencimit të kultivimit dhe shitjes për qëllime mjekësore dhe industriale të disa bimëve që gabimisht janë quajtur droga, si kanabis sativa (kërpi industrial). Në këtë drejtim duhet të shfrytëzohet praktika e vendeve të zhvilluara si SHBA, Holanda, Zvicra etj., të cilat prej kohësh e kanë hequr këtë bimë nga ‘lista e zezë’. Kanabis është një bimë e njohur për aftësitë e veta kurative, por edhe e mbushur me bioenergji, gjë e cila nuk i ka leverdisur prej dhjetëra vitesh lobeve të mëdha të naftës, të cilat kanë financuar edhe ‘deklasimin’ e kësaj bime, duke shfrytëzuar disa veti të saj haluçinogjene. Shkenca sot ka vërtetuar se përdorimi i kanabis për arsye mjekësore është shumë i dobishëm, ndërsa nuk sjell dëme për organizimin, pasi nuk shkakton varësi. Madje në qarqet shkencore thuhet haptazi se është duhani ai që duhet të kriminalizohet për varësinë dhe dëmet që shkakton në organizëm dhe jo kanabisi”. Kaq ka mjaftuar që komuniteti i përdoruesve, t’i kthehet dhe njëherë këtij fenomeni, që mund të zgjidhë një problem të madh për shqiptarët.
Intermexo - Legalizimi
Legalizimi i kanabis varion nga shteti në shtet dhe po merr shumë frymë. Posedimi i kanabis në shumë vende është ende ilegal dhe kjo vijon një traditë e cila ka marrë shtysë nga disa ligje të forta që datojnë pas viteve ’30. Megjithatë, shumë vende e kanë hequr penalizmin për posedimin e masave të vogla të kanabis, siç ndodh sot për shembull në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe Evropë. Posedimi i tij është krejt legal në Holandë, Korenë e Veriut dhe në dy shtete të SHBA-së Washington dhe Colorado.
Krejt ndryshe ndodh me përdorimin e tij mjekësor, i cili është legal në një numër vendesh, ku përfshihen Kanadaja, Republika Çeke dhe Izraeli. Por ndërsa ligji federal amerikan ndalon krejtësisht të gjithë llojet e shitjeve dhe posedimit të kanabisit, në disa shtete ka filluar të ketë lëshime, interpretuar përmes të ashtuquajturës programe mjekësore me marijuanë, që e kundërshtojnë në të vërtetë ligjin federal. Disa vende kanë ligje që s’janë shumë për dënime të ashpra, kurse ka vende që ofrojnë akses në marijuanën mjekësore. Këtyre u shtohen shumë vende që kanë dënime të ndryshme që rreshtohen nga ato më të buta dhe deri më të egrat.
Shqipëria, për nivelin e saj të përdorimit dhe prodhimit, duhet të merret seriozisht me këtë fenomen, që nga problematikë mund t’i kthehet në element ndihës. Paçka se ligjvënësit shqiptarë janë shumë të konfuzuar dhe më shumë akoma aspak seriozë për ta parë problemin realisht. Historia e bën Shqipërinë jo vetëm përdoruese dhe një prodhuese të këndshme, që madje e kishte pjesë të jetës së përditshme dhe të ushqimit. Për të mos thënë dhe një eksportuese të dashur në botë...