A do ta rikthejme Ndre Mjeden?

A do ta rikthejme Ndre Mjeden?
Shtatorja e poetit mbetet peng i institucioneve. Nuk derdhet ne bronz per mungese fondesh

Jemi në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe, megjithatë ende nuk po vendoset për rikthimin dinjitar të poetit dhe gjuhëtarit të madh Dom Ndre Mjedës në panteonin shqiptar. Ka një vit, që me nismën e Famullitarit të Kuklit, dr. Dom Nikë Ukgjini, drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof. Ardian Marashit dhe kryetarit të Komunës së Bushatit, z. Zef Hila, po i paraprihet rikthimit të këtij rilindësi të madh në vendin që i takon, në Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda”, në vendin ku jetoi dhe krijoi kryeveprat e tij dhe të tërë letërsisë shqipe. Është hartuar një program ambicioz për kthimin në identitet të qendrës muzeore “Ndre Mjeda” dhe deri tani është rindërtuar Kisha e Shën Shtjefnit të Kuklit, si edhe mjedisi përreth. Kanë mbetur shtëpia muze e Ndre Mjedës dhe derdhja në bronz e shtatores së tij.

Është përfunduar si vepër kjo shtatore, e cila pret të derdhet në bronz dhe të vendoset në platformën e përgatitur me kohë. Vepra është realizuar falas nga skulptori i talentuar, pedagogu i Universitetit të Arteve në Tiranë, Sadik Spahia. Është gati edhe një financim nga mërgimtari shqiptar në Nju Jork, Zef Balaj, për derdhjen e veprës në bronz, mirëpo, për fat të keq, ditët kalojnë dhe problemi i derdhjes në bronz ka mbetur peng i disa institucioneve shtetërore, të cilat duhet të japin financime shtesë, në mënyrë që të behet i mundshëm rikthimi i Mjedës në vendin që e pret prej një shekulli. Ka kohë që pritet të ndodhë kthimi i poetit, i gjuhëtarit, i veprimtarit dhe i atdhetarit të shquar.

E ku ka rast më të mirë që kjo të ndodhë më 1 gusht të këtij viti jubilar, në ditën e veprimtarisë përkujtimore kushtuar poetit? Kanë mbetur pak ditë dhe stafeta shkon sa nga Ministria e Kulturës te Qendra e Realizimit të Veprave të Artit, sa nga një fonderi tek tjetra, të cilat edhe ato janë të lidhura bashkë me njëra-tjetrën, me qëllim përfitimi maksimal.

Është shumë e vërtetë se ka ekonomi tregu, ofertë-kërkesë, por ka edhe raste speciale, kur për interesa kombëtare, instancat shtetërore duhet të ndërhyjnë dhe të marrin vendime për zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull. Mjeda ishte rilindësi, që tërë jetën rrezatoi idetë e tij të përparuara, për të cilat u arrestua dhe u burgos dy herë nga osmanlinjtë, dy herë nga shteti shqiptar dhe një herë nga serbët.

Kudo që shkoi me shërbime, ai u mor me veprimtari praktike ambientaliste dhe ndërtuese, me vepra bonifikuese, rrugë, pyje, solli makineri bujqësore, farëra të zgjedhura dhe plehra kimike. Tërë jetën punoi për krijimin e një epopeje kombëtare, udhëhoqi luftërat për pavarësi, bëri bujqësi të përparuar, qe pionier i arsimit kombëtar, reformoi poezinë artistike shqipe, solli një stil të përsosur në letrat shqipe. Tërë jetën studioi dhe botoi gjuhën shqipe, ndriçoi faqe të historisë së lavdishme të popullit shqiptar në shekuj, qe promotori i hartimit të alfabetit të Manastirit, si edhe i gjuhës së përbashkët i shkrimit të shqipes. Ai parashikoi dhe orientoi shqiptarët drejt modelit të demokracisë amerikane që në vitin 1901.

Me të drejtë skulptori Spahiu e ka konceptuar shtatoren e Mjedës si një simbol i rrezatimit të ideve rilindëse të këtij njeriu të madh, që e nderoi kombin tonë para syve të mbarë botës. Ngritja sa më shpejt e shtatores së Mjedës është një imperativ për administratën e shtetit shqiptar, që i ka disa borxhe për t’ia larë këtij gjigandi të kulturës, i cili e vuri tërë jetën e tij në shërbim të çështjes kombëtare.

E pra, nuk duhet të ndodhë që më 1 gusht të këtij viti jubilar, kur festohet Pavarësia e Shqipërisë, pavarësi për të cilën shkriu tërë jetën e tij, ai të vazhdojë të pengohet të kthehet në vendin që e pret prej një shekulli, në piedestalin që ia ngriti vetes me veprën e tij, vetë i madhi Dom Ndre Mjeda. Institucionet shtetërore, OJQ, shoqëria civile, intelektualët shqiptarë, emigracioni shqiptar, të gjithë ata që e ndiejnë veten shqiptarë, të bëjnë atë që duhet: ta derdhin në bronz shtatoren e Mjedës në piedestalin që e pret, me rastin e përurimit të qendrës muzeore “Ndre Mjeda”, më 1 gusht të këtij viti, në Kukël – Komuna Bushat.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama