A do te ekzistojne vizat edhe pas liberalizimit te tyre?

A do te ekzistojne vizat edhe pas liberalizimit te tyre?
Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë që duan të lëvizin në hapësirën Schengen, varet tani nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare që do të bëhet i njohur më 8 nëntor.

Nuk janë të shumtë qytetarët e zakonshëm në Shqipëri që dinë çfarë përmban legjislacioni i vendeve në hapësirën Schengen për hyrjen në këtë hapësirë. Gazmend Turdiu, diplomat karriere, Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë për "DW" se ky legjislacion përmban 4 lloje vizash, që emërtohen sipas 4 shkronjave të para të alfabetit. "Viza A është viza transit, aero-portuale, është ajo vizë, me anë të së cilës kontrollohet kalimi transit, në zonën e aeroportit. Shqiptarët nuk e kanë provuar këtë lloj vize në hapësirën Schengen, por vetëm kur udhëtojnë në aeroportet e Mbretërisë së Bashkuar.

Viza e llojit B është viza transit, që vlen për të hyrë nga njëra pikë e kufirit të një vendi të hapësirës Schengen në atë të një vendi tjetër, ku nuk mund të qëndrosh më shumë se 5 ditë. Viza C është viza e qëndrimit afatshkurtër, që i lejon çdo qytetari të hyjë në hapësirën Schengen, të qëndrojë 90 ditë në 180 ditë apo 6 muaj, të cilat mund t'i shpenzojë të gjitha njëherësh ose mund të hyjë një numër të pakufizuar herësh, por shuma e të gjitha ditëve të qëndrimit duhet të jetë 90. Kusht i rëndësishëm është që gjatë kësaj periudhe personi nuk ka të drejtë të punojë."

Është pikërisht kjo lloj vize, viza C, e qëndrimit afatshkurtër që pritet të hiqet edhe për Shqipërinë dhe B-H më 8 nëntor. Por, ka edhe një vizë tjetër që njihet si viza D ose e ndryshe e qëndrimit afatgjatë. "Ajo merret nga ata persona që kanë siguruar një kontratë pune. Me këtë vizë paraqiten në vendin e hapësirës Schengen, ku do të punojnë dhe marrin leje-qëndrimi. Këtë vizë e marrin edhe të gjithë ata që bëjnë bashkim familjar, që studiojnë në një vend të zonës Schengen për periudha më të gjata se 90 ditë në 6 muaj. Vendet e BE-së, së hapësirës Schengen, nuk liberalizojnë këtë lloj vize", - thotë z. Turdiu. Kjo do të thotë se të gjithë qytetarët e Shqipërisë që kërkojnë të shkojnë në vendet e hapësirës Schengen për qëndrime më të gjata se 90 ditë duhet të paraqiten në zyrat konsullore të ambasadave të vendeve të BE në Tiranë, me dokumentacionin përkatës.

Asgjë nuk ndryshon në regjimin e vizave për qëndrim afatgjatë

Luigi BRUSA, kryetari në detyrë i delegacionit të BE-së në Tiranë thotë për "DW" se për të gjitha rastet e qëndrimit më të gjatë se 90 ditë do të vazhdojë, si deri më tani, regjimi i vizave, paraqitja e dokumentacionit zyrtar përkatës, plotësimi i formularëve. "Personat që dëshirojnë të qëndrojnë në vendet e hapësirës Schengen, për një kohë më të gjatë - për punë, studime apo arsye të tjera - duhet të aplikojnë në zyrat konsullore. Lidhur me vizat e qëndrimit afatgjatë, asgjë nuk do të ndryshojë", - thekson ai. Për këto lloj vizash, BE ka legjislacionin përkatës të unifikuar në të gjitha vendet anëtare. Por, nga na tjetër, secili vend gëzon të drejtën për të pasur veçoritë e veta kombëtare, lidhur me procedurat e dhënies së vizave afatgjata. "Çdo shtet ka specifikat e veta, që reflekton përmes legjislacionit të tij. Nëse flasim për parime të njëjta në aspektin e përgjithshëm, kur vjen fjala për detaje, aty pastaj është legjislacioni i secilit vend që vendos", - thotë Gazmend Turdiu. Zyrat konsullore dhe sektori i vizave në ambasadat e vendeve të BE-së në Tiranë do të vazhdojnë të përmbushin kërkesat e qytetarëve të Shqipërisë për viza të qëndrimit afatgjatë.

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha sqaroi sot se nuk ekziston asnjë kusht financiar për të lëvizur lirisht në hapësirën Shengen. "Çdo person që udhëton në rast se i kërkohet nga autoritetet policore duhet të bashkëpunojë në mirëbesim të plotë dhe të sqarojë motivet e lëvizjes dhe mënyrën sesi do të përballojë qëndrimin e parashikuar në vendet e zonës Shengen"-saktësoi Basha. Nderkohe vetem pak kohe me pare, u deklarua se në shtetas shqiptar nuk mund të qëndrojë në hapësirën Shengen më shumë se 90 ditë për 180 ditë kalendarike. Kjo do të thotë se për çdo shqiptar që duhet të lëvize jashtë vendit, duhet të ketë parasysh se nëse qëndron për 3 muaj në një vend të zonës Shengen, atëherë nga dita e hyrjes duhet të mbushen 6 muaj që të ketë mundësi të dalë përsëri. Sekretari i Përgjithshëm i MPJ, Gazmend Turdiu, sqaroi me heret se shuma që duhet të ketë një person ndryshon nga vendi në vend normalisht është 50-70 euro. "Kostoja ndryshon nga vendi në vend. Mbi shpenzimet për fjetur dhe në varësi të vendit, si rregull midis 50-70 euro në ditë quhen të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e tua ditore. Nëse personi deklaron se do të rrijë dhjetë ditë, duhet të ketë përveç fjetjes dhe 500-700 euro. Mund të kesh kartë krediti, nuk mund të kesh patjetër para në dorë", - shpjegon Turdiu.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama