A do te ktheje Pompei shqiptar faqen e historise ne trashegimine tone arkeologjike?

A do te ktheje 'Pompei' shqiptar faqen e historise ne trashegimine tone arkeologjike?

A do gjejmë forcën dhe aftësinë të zbërthejmë deri në fund këtë masakër trashëgimie duke nxjerrë përgjegjësinë juridike e morale të aktorëve të saj, për tu shkëputur një herë e mirë nga korrupsioni e degradimi, apo do vazhdojmë të zvarritemi në frustrimin që sjell ky degjenerim institucional e moral?

Durrësi  si qendër urbane ka ekzistuar që gjatë periudhës arkaike, pra që në shekujt e 7-6 para k. por përveç tempujve mbi kodrat përreth, e nekropolit, fatkeqësisht të dhënat nga qyteti vetë, janë të rralla. Leon Rey, i cili bëri disa gërmime të vogla në Durrës para se të fillonte gërmimet arkeologjike në Apoloni në 1923, dëshmonte se shtresat arkaike në Durrës gjenden gjashtë metra thellë. Dhe ato u gjendën mirë e bukur gjatë gërmimeve të realizuara në sipërfaqen prej 5000 m2 në lulishten 1 Maji.


I jetuar nga ilirët Parthinë, sipas autorëve antikë, Durrësi themelohet si koloni njëherazi korkyrase e korinthase në vitin 627 para k. duke u shndërruar kështu në një prej porteve më të rëndësishëm të botës mesdhetare. I tillë vazhdon ta përjetojë historinë e tij qyteti, gjatë gjithë periudhave historike e deri në ditët tona. Edhe përsa i takon organizimit të tij urban gjatë periudhës helenistike të dhënat janë shumë të pakta. Njihet një fragment i murit rrethues, i zbuluar në 2002 tek ish « Shtëpia e Pionierëve » si dhe një rezidencë private tek kompleksi Gora, e gërmuar dhe zhdukur në 2007. Edhe në këto raste, pavarësisht se bëhej fjalë për dëshmi të rralla e të rëndësishme për Durrësin e periudhës helenistike, rezultati ishte ndërtimi i pallateve mbi to.


Si një nga portet kryesore të Adriatikut lindor, Durrësi hyri shumë shpejt në kontakt me Romën, që në fund të shek. 3 para k. duke u vënë nën patronazhin e Ciceronit dhe shndërruar në bazë kryesore për trupat e Pompeut. Kolonia romake themelohet në 31 para k. nga Oktavian Augusti, duke u quajtur Colonia Iulia Augusta Dyrrachinorum. Të periudhës koloniale janë dhe monumentet kryesore të njohura sot në qytet, sikurse i famshmi amfiteatër (i vetmi monument ku sot kryhen gërmime të mirëfillta shkencore në gjithë qytetin e Durrësit, drejtuar nga arkeologia italiane Sara Santoro) dhe disa terma të gërmuara gjatë viteve 1980. Ndërsa nga mbishkrimet njohim edhe prezencën e një ujësjellësi dhe të një biblioteke të ndërtuara gjatë të njëjtës periudhë. Falë Via Egnatias, Durrësi kthehet në portën hyrëse të Perandorisë Romake drejt Lindjes, si për tregtarët perëndimorë ashtu dhe për ushtrinë romake. Punishtja monetare e Durrësit vihet në shërbim të Romës dhe me monedhat e qytetit që janë zbuluar në gjithë Ballkanin, paguheshin ushtarët romakë. Megjithëse për periudhën helenistike e romake monumentet e gërmuara njihen apo ruhen shumë të fragmentuara, janë mbishkrimet ato që ndërtojnë kuadrin e jetës qytetare dhe të fizionomisë urbane të Durrësit antik. Pesëdhjetë përqind e mbishkrimeve latine të gjetura në territorin shqiptar vijnë nga Durrësi. Shumë prej tyre, në greqisht e latinisht, përshkruajnë institucionet publike të qytetit, flasin për shumë ndërtime monumentesh sot të humbura, si dhe për jetën shpirtërore dhe fetare të popullsisë së qytetit, duke rindërtuar kështu jetën e banorëve Dyrrahas. Dyrrachium Hadriae tabernam (Dyrrahu taverna e Adriatikut…) e cilëson autori antik Katuli Dyrrahun e shekullit të I p.e.s.


Me ndarjen e Perandorisë Romake në atë të Lindjes dhe të Perëndimit, Durrësi bëhet kryeqendra e provincës lindore të Epirit të Ri dhe nuk rresht së përfituari nga programet ndërtimore perandorake. Duke filluar që nga Anastasi, i cili i lindur në Durrës, e mbrojti qytetin me rrethim të ri dhe e zbukuroi me hipodrom. Të shumtë janë perandorët e Bizantit që e konsideruan qytetin si « fasadën perëndimore » të Perandorisë së lindjes. E njëjtë mbetet rëndësia e Durrësit përgjatë gjithë periudhave të mëtejshme historike.


Por çfarë kemi bërë ne me gjithë këtë pasuri historike e cila na u dokumentua edhe arkeologjikisht kaq e kaq herë, gjatë viteve të shpërthimit urban? Murit rrethues nga ai helenistik e deri tek ai osman, iu zu fryma. Banesat ekzistuese ngjitur, u shumuan e u shtuan, pallatet e reja i thyen muret (ndërtim ekzemplar të Antikitetit të vonë) dhe iu ndërtuan përsipër. Fari helenistiko-romak (zbuluar në 2007) sot është gropë me ujë, me gjithë modifikimin e zonifikimit arkeologjik pikërisht për ti lënë mundësi ndërtimit të pallatit mbi të. Bazilikës civike me mozaikë, iu mbivendos një vilë tre-katëshe. Ngjitur me forumin rrethor të ndërtuar nga perandori Anastas me mermer Prokonezi, në vitet 2000 u ndërtua një pallat. Edhe muzeu arkeologjik i denjë për arkeologjinë e një qyteti të tillë, u mbyll në 2011 për ti hequr lagështirën dhe me gjithë milionat e investuara, sot s’po arrin të rihapet dot ende. Qyteti antik i Durrësit, gjetjeve të të cilit i referohet gjithë bota shkencore arkeologjike, sot është pa një plan të saktë urbanistik për qytetin antik. Ai luhatet jo pa qëllim, midis identifikimit të gjetjeve sporadike, duke e lënë zonifikimin arkeologjik si një çështje subjektive në dorë të marrëveshjeve të interesave private personale.


Në këtë kontekst, pra shkatërrim monumentesh të izoluara në tërësinë e shtrirjes së qytetit antik, u paraqit rasti i mundësisë së gërmimit në 2010 të një sipërfaqe rreth 5000 m2 (e gjitha brenda zonës arkeologjike B), destinacioni fillestar i së cilës ishte lulishte publike, pra e padëmtuar nga ndërtimet dhe zonë që i shërbente të gjithë banorëve. Normalisht një rast i tillë, pas sondazheve të realizuara nga ASHA (të cilat verifikuan potencialin e madh të trashëgimisë arkeologjike) duhej të trajtohej si një gërmim i programuar, i cili do të shërbente për studimin shkencor të jetës së banorëve të Durrësit gjatë periudhave të ndryshme historike. E gjithë sipërfaqja me shtresëzimet e lagjes antike më pas duhej të ruhej në vend, e vizitueshme. Bëhet fjalë për një lagje të banuar gjatë disa periudhave historike (nga ajo arkaike deri në mesjetare), me rrugët e kanalizimet, me punishtet prodhuese zejtare e me mjetet e prodhimet nga më të larmishmet si dhe me banesat, që shtriheshin në plot 5000 m2, pra një pjesë shumë e rëndësishme e qytetit romak.


Normalisht një zbulim i këtyre përmasave duhej të gruponte të gjithë studiuesit arkeologë e restauratorë më të mirë, të vendit apo dhe të huaj. Duhet të shterroheshin mendimet e gjithë specialistëve për të propozuar zgjidhjen më të mirë të mundshme për studimin dhe konservimin e kësaj pjese të qytetit romak, që jo më kot për nga ngjashmëria dhe rëndësia është krahasuar me Pompein. Një rast i tillë normalisht duhej të përbënte « ngjarjen festive » për trashëgiminë turistike të qytetit të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë. Pushteti lokal dhe Ministria e Kulturës duhej të ishin të interesuarit kryesorë në ruajtjen e kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme dhe kthimin e saj në një park arkeologjik urban.


Por si rëndom në Shqipëri, ndodhi krejtësisht e kundërta, ku ASHA një zbulim të tillë e trajtoi si gërmim shpëtimi, i predispozuar të gërmohej me shpejtësi në mënyrë që të ndërtohej. Për më tepër një zbulim i tillë unikal, iu besua një firme private të panjohur deri atëherë dhe e paeksperimentuar në arkeologjinë shqiptare. Gërmimi u realizua me « dyer të mbyllura », ku me ç’po paraqitet në shtyp, edhe vizitat e arkeologëve duhet të ishin të autorizuara nga instancat e Ministrisë së Kulturës. Në përfundim të këtij gërmimi, zbulimet e të cilit më në fund do të mund të materializonin në mendjen e njerëzve, pamjen e « tavernës së Adriatikut », propozohet të shkatërrohet barbarisht së pari, nga vetë shoqëria arkeologjike që e gërmoi, e më pas nga grupi i punës i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë kryesuar nga Ministri i radhës. Ja përse shkatërrimi me ndërgjegje të plotë i një lagje të tërë urbane, e cilësisë dhe rëndësisë unikale, përbën qartësisht krimin më të madh të realizuar ndonjëherë në trashëgiminë arkeologjike të viteve post-komuniste.


Gjithë sa paraqita më sipër tregon qartë se në shkatërrimin e trashëgimisë arkeologjike të Durrësit janë përfshirë jo vetëm ish-drejtues të lartë të shtetit, por edhe ish-drejtues të trashëgimisë kombëtare dhe deri në specialistë të mirëfilltë apo dhe pseudo-specialistë të trashëgimisë. Gjykoj se çështja e lagjes së lashtë të Durrësit është kthyer sot në simbol të “kthimit të faqes” në trashëgiminë shqiptare nga vetë shoqëria shqiptare. Për herë të parë shoqëria civile po reagon në vazhdimësi duke ngritur zërin e denoncuar pa reshtur. Tashmë pritet reagimi i institucioneve shtetërore.


A do gjejmë forcën dhe aftësinë të zbërthejmë deri në fund këtë masakër trashëgimie duke nxjerrë përgjegjësinë juridike e morale të aktorëve të saj, për tu shkëputur një herë e mirë nga korrupsioni e degradimi, apo do vazhdojmë të zvarritemi në frustrimin që sjell ky degjenerim institucional e moral ???


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama