A e dime se cfare interneti perdorim ne celular apo kompjuter?

A e dime se çfare interneti perdorim ne celular apo kompjuter?
Shumica e përdoruesve të telefonisë celulare kanë akses në internet përmes telefonit të tyre, por pak vetë e dinë se çfarë teknologjie përdorin konkretisht. “Internet me anë të teknologjisë 3G”, e dëgjojmë pothuajse çdo ditë, por çfarë është 3G-ja? Janë të paktë ata që e dinë. Gjithashtu edhe për ADSL-në, lidhjen e internetit në kompjuterin personal, pak vetë dinë të të shpjegojnë se çfarë është.

3G

Në hapësirën e telefonisë celulare, 3G do të thotë “Gjenerata e tretë” dhe tregon teknologjinë dhe standardet e teknologjisë së gjeneratës së tretë. Ky shërbim, arrin të japë një transferim të të dhënave “zanore” (telefonatat dixhitale), ashtu edhe të të dhënave “jo zanore” (shkarkimet nga interneti, e-mail dhe video-telefonatat). Kjo teknologji, mbi të gjitha bazohet në një shpejtësi maksimale të internetit. Me fjalë të tjera, kjo teknologji moderne e lidhjes direkte me internetin arrin të na sigurojë edhe telefonata me anë të videos. Një karakteristikë kjo e fundit e cila nuk ishte e mundur në rrjetin e mëparshëm. 3G është futur në Evropë për herë të parë në vitin 2003 në Angli dhe në Itali.

Më pas duke u mbështetur në një sugjerim të Këshillit të Bashkimit Europian, teknologjia 3G, duhet të mbulonte të paktën 80% të popullsisë deri në fund të vitit 2006. Ky mbulim duhet të ishte për popujt e BE, ndërsa në Shqipëri kjo teknologji është aplikuar vetëm një vit më parë dhe ende nuk ka arritur të ofrojë shërbimet e plota të saj. Shqipëria përdor tipin e rrjetit 3G, W-CDMA (Code Division Multiple Access) që është një evoluim i rrjetit 2G. Ky tip rrjeti arrin të japë një shpejtësi transmetimi të dhënash, më të lartë se rrjetet e mëparshme që operonin në Shqipëri si Edge, GPRS/GSM.

“Shërbimi 3G megjithëse shumë më i shpejtë se ai Edge/GPRS që njerëzit ishin mësuar deri më tani në celularët apo laptopët e tyre të kombinuara me “dongle’at” USB, përsëri nuk solli shumë ndryshime përsa i përket çmimeve, të cilat përsëri qëndruan të shtrenjta dhe e ulën pak entuziazmin e këtij shërbimi sikurse dhe problemet që patën si fillim (bateria e telefonit shkarkohet shpejt, shumë thirrje humbisnin gjatë kohës që 3G ishte në punë, etj)”, shpjegojnë specialistët.

Megjithatë ky është fillimi i këtij shërbimi, ndaj pritet më shumë, ndonëse besoj se në tregun e personave profesionistë dhe entuziastë të këtij shërbimi ky treg tashmë ka zënë vend, por dhe në sherbimet data të kompanive të ndryshme”, tregon për Shekullin Gentian Bajraktari, drejtor teknik i Abissnet.

3G në fushat e tjera

 Teknologjia 3G është e përdorshme edhe në mjekësi. Kjo teknologji quhet “Telemedicin” dhe përkon në një trajtim të pacientit në distancë. Gjithashtu shërbimi përdoret edhe për gjetjen e pozicionit të personave të ndryshëm. Kjo arrihet me anë të telefonit celular që kthehet në një mjet gjurmuesi. Por gjithashtu ai mundet të përdoret për të kërkuar objekte, për punë, për jetën personale, për gjëra sociale, etj. Një tjetër fushë ku mund të përdoresh rrjetin 3G janë video konferencat, transmetimi i videove me parapagesë si dhe në përdorimin e televizionit në telefonin celular. Këto tre fusha të fundit arrihen me anë të transmetimit të të dhënave të videove në një mënyrë shumë të shpejt.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama