A e don Shkodra trashgimine e saj?

A e don Shkodra trashgimine e saj?
Kur vjen prej jugut për me hy në qytet të Shkodrës, nuk ekziston ma ajo panoramë e mrekullueshme, unike ndofta në gjithë Ballkanin, qi shfaqej dikur në beft t’atij qyteti. Nji sistem i tanë ujnash dhe kodrash përbanin nji pejsazh qi kish mbetë deri vonë i pandryshuem qysh prej kohnave të vjetra; qysh atëhere kur Genti, i ndrymun në kështjellë prej romakut Piperna priste më kot ilirët e Karavandit. E po ashtu edhe gjatë Bizantit, kur kështjella zbriste gjer buzë lumit, në rranxë të Dunuzit, asgja nuk kish ndryshue.

Ajo bukuri pat tërheqë edhe Bodinin qi e zgjodhi atë vend për kryeqytet, e ca ma vonë, ishte ajo qendër e bekueme qi e pat ngucë Lenë anzhuinen, të ashtuquejtunen Helenë të Rashës, për me e pasë në zotnim të saj. Arbneshët e krishtenë kërkuen shpesh ndihmën e pajtorit Shen Shtjefën për me e mprojtë rreziqesh at truell; e banë këtë njikohësisht me vllaznit a tyne, qi ende ruenin jehun e panteizmit, e po për me u mprojtë rreziqesh i’u faleshin kalibobave të shumta aty pari – pemë të shenjta ilirokelte, (qi ndonji linguist i guximshëm i përqas me verbin kerçile – tue eksplodue përbamësat e këtij të fundit në diagramë idoeuropiane).

Kështu pra, kur Shkodra mesjetare qe e strukun nalt, brenda mureve, dhe varoshi i saj varej teposhtë, në jug e jugprendim të kodrës së kështjellës, pak ma në veri, mes vijave të shumta të sheheve e prrojeve, ndodhej me gjasë ai pyll kalibobash (caracash) gjurmët e të cilit shiheshin ende në fillim të shek.XX pikërisht në vendin e urës Kerçile – sot e mblueme prej dheut. Qyteti i ri, ai i periudhës osmane, siç dihet, u shtri në veri. Këtë here jo ma në kambë të Dunuzit, porse 1,5-2 km ma larg – përtej ligatinavet e pyllit të masipërm, kalimi komod i të cilave, në rasat kur çoheshin ujnat, përbante nji problem më vete. Ky problem u pat zgjidhë dora-dorës me ndërtimin e nji sistemi të komplikuem urash, të mëdha e të vogla, të cilat vetëm në zonën e ngushtë prej daljes së pazarit e deri në hymje të qytetit, d.m.th në nji rreze prej vetëm 150m, numëronin dhetë syresh.

E këto ishin: Ura buzë liqenit (qi mezi shifet edhe sot), Ura e Xhabies në hymje të Udhës së Madhe, Ura në krye të Udhës Dukagjinit, Ura e rrugës së Lagjes Re, Ura në fill të rrugës Ndocej, Ura e qi lidhte rrugën Sokolej me Pazarin, Ura e rrugës Banjës, pranë rrugacës Gurej, Ura e rrugës Draçinit, Ura qi bashkonte Udhën e Madhe me Udhën Skanderbeg Ura Kerçile, qi ndodhej në nji ndër nyjet ma të randësishme të zonës, ku vinin e mblidheshin gjashtë rrugë nga drejtime të ndryshme: nga ura e masipërme (nr.9), nga rruga Serdarej, nga Udha Skanderbeg, nga rruga e Draçinit, nga rruga për Lugu-Çesme dhe nga rruga e Kor-Hasanit. Vetë ura Kerçile shtresonte në vetvedi dy ura: nji ma të vjetër, e cila kish dale prej përdorimit ngase ishte fort e ngushtë dhe nji ma e re, ajo e mirfillta, e ndërtueme ma vonë, me siguri aty nga vitet ’60 të shek. XIX kur filloi me u zgjanue qyteti modern – Shkodra e sotme.

Veç tjerash, kjo lidhte Ajasmën, përmes rrugës Kor-Hasan, me udhën e gjanë Skanderbeg qi çonte mandej për nga Kisha e Madhe e ma tej në vorret e Rrmajit. Ura e vjetër Kerçile gjasonte shumë me urën e Tabakëve në Tiranë me dy harqet e saj të shek. XVIII, por silueta e shtyn ma tepër në kohë se ajo e Tiranës; në nji burim, kjo e fundit del 430-vjeçare, d.m.th e fundit të shek XVI. Ndërsa ura “e re” u ndërtue me katër harqe e me nji trase fort të gjanë, qi mundej me i shërbye jo veç kambësorve e kafshëve, por edhe karrocavet. Megjithkëtë, randësia e urës Kerçile nuk duhet kërkue vetëm tek motnia e saj, pasi me at’ urë janë të lidhuna edhe disa fakte inxhinierike e etnologjike, sakur edhe legjenda të ndryshme urbane.

Në pikpamje inxhinierike tregohet se shërbente si etalon për urat e tjera të qytetit, si ma e randësishmja e e qindrueshmja në to, e si “urë qi nuk u thye kurr prej vërshimeve të Kirit sikur të tjerat”. Veç kësaj, ndonëse e ndodhun mes prumjeve të Kirasit, Tepes, Ksarit e Draçinit, tregohet se shpina e saj nuk tejkalohej prej ujnavet (për shkak të një sistemi efikas kanalizimesh), gja qi ndodhi vetëm në dimnin e pazakontë të vjetit 2010-2011 (kur uji mbërriti rreth 40 cm mbi të). Por edhe në kandvështrimin e zhvillimit rrugorurban, kjo nyje e randësishme mund të thuhet se ka përcaktue trajtat e profilit urbanistik të krejt kësaj zone të qytetit; e në këtë pikëpamje, pesha kuptimore e kësaj trashëgimie bahet dyfishe, e për pasojë e paneglizhueshme.

Pikërisht për shkak të këtij pozicionit, ura qe në nam të madh për ngjarje qi heraherës e kanë tronditë Shkodrën. Kush donte me sfidue dikend “zente uren Kerçile e kërkush s’mundej me kalue për pa u vra a për pa e vra” sfidantin. “Kanë zanë uren Kerçile!” ish nji mallkim për Shkodrën, mbasi, pas kësaj, dihej se “gërsiste pushka”. Dramaturgu i njoftun Fadil Kraja këto episode i ka përdorë me sukses në letrat e tija; ndërsa shkodranë të vjetër diftojnë se aty zhvillohet episodi tragjik i kangës së famshme “Fryni era, u çil taraba”. Por tej fakteve historike, për atë urë, sikuse për të gjitha simotrat e saja të vjetra në rajon, tregoheshin gojdhana të përçueme brez-pas-brezi. Nana jeme, nji shkodrane e leme në Parrucë, por e martueme në Tiranë, tashma 71-vjeçe e me nji kujtesë të admirueshme, më diftoi para pak kohësh se “kur kemi kenë të vogjël, prindt na porositshin mos me u avitë në muzg tek ura Kerçile, se ka xhind ndër pemë e pehrri ndër ujna, e ban vaki ju ndodh ndoj gja e keqe!”.

Ajo mban mend në rini të sajë ujnat e kthjellëta qi shkonin kadalë nën harqet e urës dhe përfundi vërehej vegjetacioni i dendun nënujor qi valëvitej në trajtë flokësh, e ndonjiherë, edhe në shtjella të frikshme. Vështirë të thuhet sot nëse këto bestytni merrnin shkas prej xhamisë aty pranë apo qenë pasqyrime të vona legjendash të hershme ilirike – ku Zoja e Liqenit kish nji rol themeltar. Sot bash tek vendi ku asht ura Kerçile, pingul me pozicionin ku ajo ndodhet nëntokë, paksa në prendim, janë zbulue rastësisht struktura murale, ende të pasqarueme. Zbulimi erdhi si rezultat i punimeve për ndërtimin e unazës’ qytetit, por ndonëse ka mbi dy muej qi rrënojat kanë dalë në dritë, asnji interesim serioz nga ana e institucioneve të specializueme nuk ka pasë.

Meritës së mediave qi e kanë përhapë lajmin, nuk i asht bashkangjitë ajo e arkeologëve apo restauratorëve të cilët çuditnisht kanë heshtë tue ngjallë dyshime të arsyeshme, se strukturat e zbulueme kanë me u vorrue definitivisht nën betonin e unazës qi po bahet, pa u sqarue kurrnjiherë se çfarë janë e për çfarë kanë shërbye ato dikur. Askush nuk mundet me e thanë ende sot nëse rrënojat pranë urës Kerçile, 7 metra të gjana, janë “mure të kalasë që përshkruen Barleti”, “kolektori i vjetër (sa i vjetër?) i ujnave të bardha të qytetit”, mur argjinature qi përcjell ujnat drejt urës, apo çfarë?

Dy forume, njani stabël qi merret me problemet e trashigimisë (nga Tirana) dhe tjetri si rrjet social tepër aktiv (nga Shkodra), por edhe mjaft dashamirës shkodranë prej jashtë vendit (kryesisht nga Gjermania e Italia), me shumë matuni kanë lançue idenë se për me marrë nji vendim të saktë për rastin në fjalë duhet me ba tri gjana: Me ndalue punimet në atë krah të unazës; Me pritë relacionin zyrtar të nji grupi ekspertash të trashigimisë (në përbamje të t’cilit me kenë edhe nji ekspert prej shoqnisë civile – mundsisht shkodran); Me redaktue, në përputhje me relacionin e masipërm, ndryshimet eventuale qi duhen ba në projektin e unazës së Shkodrës.

Natyrisht kjo kërkon reflektim të shpejtë dhe përkushtim të naltë ndaj qytetit, dhe kjo nuk asht nji fjalë gojet, por nji realitet qi ka ndodhë. Ky përkushtim fatmirësisht nuk pat mungue kur u spostue ura e re e Bunës për me shpëtue të vjetrën (ndonëse projekti, për me ulë kostot, parashikonte prishjen e saj). E poashtu, si shembull i fundit i një përkushtimi të tillë, kësaj rradhe në Tiranë, asht edhe heqja dorë prej gjurmës së unazës’ vogël të kryeqytetit, në krejt traktin e Rrugës “Murat Toptani”, me rasën e zbulimit të rrënojave të kalasë së Tiranës.

Kështu, pas relatimit të ekspertëve, u mor vendim për me e suprimue unazën në atë trakt – ndonëse kjo sillte komplikim të madh në trafik. Unaza u spostue dhe rrënojat shpëtuan. Sot gjithkush mund t’i shohë ato rrënoja, për shkak të t’cilave, përmes nji ndërhyrjeje rivlerësuese mbresëlanëse, Tirana fitoi nji ndër rrugët ma të bukura të saj. “Po nuk dhe ate qi t’dhemb, nuk e merr ate qi don” thotë nji shprehje – e kështu çashtja reduktohet në pyetjen: A e don Shkodra trashigiminë e saj?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama