A e ka vrare veten ne te vertete Hitleri?

A e ka vrare veten ne te vertete Hitleri?
Historia shpesh është shumë më e ndryshme nga ajo që na është servirur, apo na serviret. Por shpesh duhet të kalojë kohë që e vërteta të dalë në dritë. Gjithsesi ajo një ditë del. Së fundi disa pretendime të reja thonë se Adolf Hitler nuk e vrau aspak veten, sikurse thotë historia, por iku në Argjentinë ku jetoi deri në moshë të moçme. Bëhet fjalë për pretendimet e hedhura në një libër të ri me titullin “Arratia e Adolf Hitlerit”, në të cilin besojnë se dëshmia për vetëvrasjen e Hitlerit është e rreme dhe se në fakt ai arriti që të shpëtonte në vitin 1945 për të nisur një jetë të re me gruan e tij Eva Braun.

Megjithatë këto pretendime janë quajtur qesharake nga një historian i famshëm që i ka cilësuar tërësisht broçkulla. Ikja e Hitlerit me Braunin nga Berlini jepet shumë e detajuar në librin e ri. Autori i librit refuzon në mënyrë kategorike faktin se Fyhreri u vetëvra në bunkerin e tij në Berlin në vitin 1945 dhe se më pas Braun gjithashtu u vetëvra e helmuar. Sipas autorit të librit të ri, përmes fakteve sugjerohet se çifti u arratis në fund të Luftës së Dytë Botërore për të filluar një jetë të re në enklavën argjentinase të kontrolluar nga nazistët në Argjentinën fashiste.

Autori i librit, që e ka bërë atë në bashkëpunim me një tjetër gazetar, vazhdon duke thënë se Hitleri dhe bashkëshortja e tij sollën në jetë tri vajza para se Hitleri të vdiste në moshën 73-vjeçare në vitin 1962. Historiani, autor i librit, në një intervistë të fundit në televizionin britanik, deklaroi se ai nuk kishte aspak për qëllim që të rishkruante historinë, por, sipas tij, nuk ishte e drejtë që të injoroheshin të gjitha provat e reja që ta kishin zbuluar për fatin ndryshe të Hitlerit. Ai pretendon se nuk ka asnjë provë mjekoligjore për vdekjen e Hitlerit, apo të Eva Braunit dhe se rrëfimet e dëshmitarëve okularë që e kanë parë çiftin në Argjentinë janë befasuese. Libri gjithashtu thotë se Shërbimet Sekrete Amerikane janë bashkëpunëtore në largimin e Hitlerit nga Gjermania dhe mbulimin e këtij fakti me vetëvrasjen e tij të sajuar dhe se mes tyre dhe Hitlerit pati një marrëveshje për akses të amerikanëve në teknologjinë shumë të zhvilluar që kishin nazistët. Autori i librit dhe bashkëpunëtori i tij madje thonë se edhe fragmenti i kafkës që pretendohet se ishte i Hitlerit dhe që aktualisht ndihet në duart e rusëve është pjesë e kafkës së një gruaje të re të moshës 40-vjeçare. Hitleri ishte 56 kur supozohet se vrau veten.

Historiani dhe gazetari që kanë punuar për librin në fjalë e kanë zhvilluar kërkimin e tyre në terrenin e Argjentinës duke intervistuar gjithë dëshmitarët okularë që e kanë parë Hitlerin dhe kanë qenë në dijeni të pranisë së tij atje.

Sipas tyre, vetëm tani që Argjentina ka nisur të marrë frymë dhe të marrë më shumë formën e një demokracie, kanë nisur të dalin në shesh gjërat dhe të vërtetat e fshehta. Megjithatë, sipas tyre, pavarësisht hapjes së Argjentinës, dy nga dëshmitarët e tyre kishin marrë kërcënime me vdekje, pasi u mor vesh se po dëshmonin për Hitlerin. Pretendimet e jashtëzakonshme janë marrë me të tallur nga historianët, nga ata që kanë studiuar prej vitesh historinë e nazizmit dhe të personazheve famëkëqij të tij dhe që kanë shkruar libra të tërë në lidhje me luftën.

Ata thonë se ideja që Hitleri nuk e vrau veten dhe se ka jetuar në Argjentinë është jo vetëm qesharake, por edhe një mashtrim i madh me historinë, pasi provat e marra, sipas tyre, janë marrë nga burime të dorës së dytë dhe të dyshimta. Për ta të gjitha teoritë se Hitleri nuk është vetëvrarë, por ka ndërtuar jetën në Argjentinë, janë shpifje fund e krye. Megjithatë, në lidhje me kafkën u jepet e drejtë autorëve të librit, pasi ka shumë mundësi që duke qenë se në bunker kishte shumë kufoma, të jetë bërë ndonjë ngatërresë. Një nga burimet më të sigurta te të cilat historianët mbështesin pretendimin e vetëvrasjes së Hitlerit është rrëfimi i një njeriu të afërt të tij, që ende jeton sot në moshën 94-vjeçare, i cili thotë se e ka parë me sytë e tij ekzekutimin e Fyhrerit dhe helmimin e Eva Braunit më pas. Ndërkohë, në pretendimin e tyre autorët e librit të fundit bazohen në ditët kyçe të vitit 1945, ndërsa aleatët po i afroheshin bunkerit të Hitlerit. Sipas autorëve të librit, në vend të Hitlerit ka qenë një sozi e tij dhe në vend të Eva Braunit ka qenë një aktore.

Pikërisht në këtë moment çifti i vërtetë mundi që të ikte nga Berlini fillimisht në Danimarkë para se të ktheheshin në Travemunde në Gjermani. Prej aty, pretendohet se ata fluturuan në një bazë ushtarake spanjolle të Reus, në jug të Barcelonës, para se gjenerali Franko t’u jepte një avion që do ta çonte çiftin në ishujt Kanari në Fuerteventura. Një ditë më pas të arratisurit hynë në bordin e një nëndetëseje dhe ndërkohë zëvendësuesit e tyre në Berlin u ekzekutuan dhe mbetjet e tyre u dogjën për të humbur të gjitha gjurmët. Libri në fjalë citonte edhe dokumente të klasifikuara të FBI-së, të cilat flasin për arratinë e çiftit nga Berlini drejt Amerikës së Jugut për të filluar një jetë të re. Në të përfshihet edhe dëshmia e pilotit që mendohet se ka drejtuar avionin, në të cilin ndodhej Hitleri dhe Eva Brauni kur ikën nga Europa në Argjentinë në Mar de Plata. Aty thuhet se çifti jetoi në një shtëpi prej druri në një fshat shumë të largët, ku jetuan me paratë e fituara nga shitja e bizhuve të vjedhura dhe arit të marrë me forcë.

Libri i referohet një numri të madh burimesh si kuzhinierëve, apo mjekëve që pretendojnë se e kanë njohur liderin nazist para se ai të vdiste në moshën 73-vjeçare, më 13 shkurt të vitit 1962. Janë ata që pretendojnë se ADN-ja e Hitlerit vazhdon të jetojë te dy vajzat që ai dhe Eva Brauni sollën në jetë. Nëse kjo histori e Hitlerit është e vërtetë, atëherë ai nuk ka qenë i vetmi që ndoqi këtë rrugë, pra strehimin në Argjentinë, duke qenë se të njëjtën gjë bënë edhe disa prej njerëzve të tij të afërt, si Mengele, Eichmann dhe Barbie, të gjithë kriminelë nazistë që u strehuan dhe jetuan për një kohë shumë të gjatë në Argjentinë. Një film dokumentar i realizuar pikërisht mbi provat e mbledhura dhe parashtruara në këtë libër nga të dy autorët e tij është duke u përgatitur dhe do të transmetohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Në fakt nuk është hera e parë që dëgjohen histori të tilla për shpëtimin e Hitlerit dhe strehimin e tij gjetkë me një tjetër emër. Zakonisht kanë qenë teoritë konspirative ato që e kanë mbështetur një ide të tillë për njeriun që çoi botën në çmendinë dhe kasaphanën e Luftës së Dytë Botërore. Të njëjtin pretendim përmes një libri e ka pasur edhe autori Abel Basti në vitin 2003. Ai thoshte të njëjtin variant, që Hitleri vazhdoi jetën e tij në Argjentinë. Sipas variantit të tij, Hitleri dhe Eva Braun shkuan në Argjentinë me një nëndetëse dhe jetuan për shumë vjet në afërsi të San Carlos-it në Bariloche, një vend turistik për ski rreth 100 kilometra larg Buenos Airesit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama