A e sollen Majat vete fundin e tyre? Ja cthone shkencetaret

A e sollen Majat vete fundin e tyre? Ja cthone shkencetaret
Për 1200 vite me radhë, Majat dominuan Amerikën Qendrore. Në kulmin e perandorisë së tyre, diku rreth vitit 900 para Krishtit, qytetet e Majave ishin të tejmbushur me më shumë se 2.000 persona për milje katror – të krahasueshme me Kontenë moderne të Los Anxhelosit. Edhe në zonat rurale, Majat numëronin 200-400 vetë për milje katror. Por krejt papritur, pllakosi në qetësi totale. Dhe heshtja e thellë dëshmoi një nga katastrofat më të mëdha demografike në parahistorinë e njeriut – “zhdukjen” e shoqërisë dikur shumë të gjallëruar të Majave.

Çfarë ndodhi? Disa studiues të financuar prej NASA-s mendojnë se e dinë mirë çfarë ka ndodhur. “Ata ia bënë vetvetes”, thotë arkeologu veteran Tom Sever.

“Majat janë përshkruar shpesh si njerëz që kanë jetuar në harmoni të plotë me mjedisin e tyre”, thotë Dr Robert Griffin. “Por si shumë kultura të tjera, përpara dhe pas tyre, ata përfunduan duke shpyllëzuar dhe shkatërruar peizazhin e tyre, në përpjekjet për t’u shtuar në kohë të vështira”.

Një thatësirë e madhe pllakosi pikërisht në kohën kur Majat filluan të zhduken. Dhe në kohën e rënies së tyre, Majat kishin prerë shumicën e drurëve nëpër hapësira të mëdha toke, për të pastruar fushat me qëllim që të rrisnin misër për të ushqyer popullsinë e tyre në zhvillim. Ata prenë gjithashtu pemët për t’i bërë dru zjarri si dhe për materiale ndërtimi.

“Atyre u duhej të digjnin 20 pemë për të ngrohur gëlqeren për të prodhuar vetëm 1 metër katror suva gëlqereje që e përdornin për të ndërtuar tempujt e tyre të mëdhenj, rezervuaret dhe monumentet”, shpjegon Sever. Ai dhe ekipi i tij përdorën stimulime kompjuterike për të rindërtuar modelin se si shpyllëzimet mund të ketë luajtur një rol në përkeqësimin e thatësirës. Ata i izoluan efektet e shpyllëzimit duke përdorur disa modele kompjuterikë klimaterikë të provuar: Modeli i qarkullimit të mesëm atmosferik UVP/NCAR, i njohur si MM5, dhe CCSM.

“Ne modeluam skenarët e rastit më të keq dhe më të mirë: 100 përqind shpyllëzim në zonën e Majave dhe aspak shpyllëzim”, thotë Sever. “Rezultatet ishin befasuese. Humbja e të gjitha pemëve shkaktonte një rritje 3-5 gradë në temperaturë dhe një ulje 20-30 përqind të reshjeve”. Rezultatet janë domethënëse, por nevojiten më shumë hulumtime për të shpjeguar plotësisht mekanizmat e rënies së Majave. Të dhënat arkeologjike tregojnë se ndërsa disa qytet-shtete të Majave ranë gjatë periudhave të thatësirës, të tjerë mbijetuan e madje lulëzuan.

“Ne besojmë se thatësira ishte ndier ndryshe në zona të ndryshme”, shpjegon Griffin. “Ne supozojmë që rritja e temperaturës dhe ulja në shira e shkaktuar prej shpyllëzimeve lokale ka shkaktuar probleme serioze të mjaftueshme për të shtyrë disa, por jo të gjitha qytet-shtetet, drejt buzës së greminës”.

Një cikël vdekjeprurës thatësire, ngrohjeje dhe shpyllëzimi mund të ketë sjellë fundin e Majave. Majat e kryen shpyllëzimin përmes bujqësisë pri dhe digj – një metodë që përdoret sot ende në ish-tokat e tyre, kështu që studiuesit e dinë se si funksionon. “Ne e dimë që për çdo 1-3 vite që mbjell një copë tokë, duhet ta lësh ugar për 15 vite që të rimarrë veten. Gjatë asaj kohe, pemët dhe bimësia mund të rriten sërish atje, ndërkohë që ti pret dhe djeg një tjetër zonë për të mbjellë”. Por, po nëse nuk e lë tokën djerrë për aq kohë sa është e nevojshme për t’u “rimbushur”? Apo sikur të pastrosh gjithnjë e më shumë fusha, për të plotësuar kërkesën në rritje për ushqim? “Besojmë se pikërisht kjo ka ndodhur”, thotë Griffin. “Majat prenë dhe dogjën hapësira shumë të mëdha të tokave të tyre për t’i mbjellë”.

Jo vetëm që thatësira e bëri të vështirë rritjen e sasisë së mjaftueshme të ushqimeve, por gjithashtu do të kish qenë e vështirë për Majat që të siguronin ujë të mjaftueshëm për t’i mbijetuar stinës së thatë. “Qytetet përpiqeshin të ruanin një furnizim 18-mujor me ujë në rezervuarët e tyre”, thotë Sever. “Për shembull, në Tikal kishte një sistem rezervuarësh që mbanin miliona gallonë ujë. Pa shira të mjaftueshëm, rezervuarët u thanë”. Etja dhe uria nuk është se bëjnë shumë për të bërë të lumtur popullsinë. Pjesa tjetër, siç thuhet, është histori.

“Në disa prej qyteteve-shtete të Majave, janë gjetur varre masivë që përmbanin grupe skeletësh me zbukurime nefriti në dhëmbë – diçka e rezervuar për elitat e Majave – ndoshta në këtë rast aristokraci e vrarë”, spekullon ai. Asnjë faktor i vetëm nuk gjunjëzon një qytetërim, por shpyllëzimi që dha një dorë në afrimin e thatësirës mund të ketë shkaktuar acarim të problemeve të tjerë si trazira, luftë, vdekje prej urisë dhe sëmundje.

Shumë prej këtyre konkluzioneve vijnë si rezultat i imazheve të nxjerra nga hapësira, vëren Sever. “Duke interpretuar të dhëna satelitore infra të kuqe, ne kemi lokalizuar qindra qytete të vjetër e të braktisur që më parë nuk dihej që ekzistonin. Majat përdornin suva gëlqereje si themele për të ndërtuar qytetet e mëdha me tempuj të zbukuruar, observatorë dhe piramida. Me kalimin e qindra viteve, gëlqerja depërtoi në tokë. Si rezultat, bimësia përreth është e dallueshme me rrezet infra të kuqe edhe sot e kësaj dite”.

“Teknologjia hapësinore është duke e revolucionarizuar arkeologjinë”, përfundon ai. “Ne po e përdorim për të mësuar rreth telasheve të të lashtëve, me qëllimin për të shmangur një fat të ngjashëm në kohët tona”.

Studiuesit: Kalendari Maja, i keqinterpretuar,  fundi i botës nuk është 21 dhjetori i 2012-ës

Historianë dhe studiues të kulturës maja, fisit që ka populluar Amerikën Qendrore qindra vite më parë, zbuluan vizatime të reja të tyre në Guatemalë, vizatime që tregojnë se fundi i botës nuk është 21 dhjetori i 2012-ës. Majat njihen për aftësinë e tyre të organizimit të kohës, që nga kalendari (shkruar diku rreth 1300-1521) e deri tek përpikmëria e parashikimit të eklipseve diellore. Në vendgërmimin arkeologjik të Xuntunit në Guatemalë, arkeologët zbuluan kalendarin hënor të pikturuar në faqen e një muri mesjetar. Mendohet se vizatimet i përkasin shekullit të IX pas Krishtit.

Një pjesë e tyre janë të dëmtuara, ndërkohë që ka nga ato që janë të ruajtura shumë mirë. Studiuesit thanë se kalendari i mëparshëm është keqinterpretuar dhe se ai nuk bën fjalë për fundin e botës, por për fundin e një cikli në kalendarin maja, që s’ka kurrëfarë lidhje me fundin e botës sonë. “S’ka asnjë shenjë që bota do të përmbyset në vitin 2012, është thjesht përfundimi i njërit cikël të kalendarit të majave”, thotë zbuluesi i vizatimeve të reja dhe studiues i kulturës së majave, William Saturno nga Universiteti i Bostonit në Shtetet e Bashkuara. Pra rrini të qetë. Më 21 dhjetor 2012 nuk do të ketë asnjë ndryshim rrënjësor…dhe në 22 do të vazhdojmë jetën, po njësoj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama