A ekziston gruaja perfekte?

A ekziston gruaja perfekte?

Këtë të fundit ua ofron doktor George W. Crane, psikolog në Universitetin Northwestern dhe krijuesi i testit "gruaja perfekte" (pas pak kohësh do të publikohet edhe testi i burrave perfektë), në të cilin fiton më shumë pikë gruaja që nuk ankohet kurrë, preferon pizhame, në vend të këmishës së natës, nuk e kundërshton kurrë bashkëshortin dhe të dielën e lë të pushojë, ndërsa ajo del shëtitje me fëmijët për të mos e shqetësuar.

Testi në fjalë lindi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1939. Në atë kohë, depresioni i madh filloi të ndihej kudo, madje kjo valë po shkonte edhe përtej Atlantikut. Sot fryti i shkencës së doktor Crane, themeluesi i një prej agjencive të para të martesave në Shtetet e Bashkuara, u zbulua krejt rastësisht në arkivat e Shoqatës Psikologjike Amerikane dhe u publikua në revistën psikologjike "Monitor", shoqëruar nga pyetja: sa aktuale janë ato kritere gjykuese?

Nuk kanë lidhje absolutisht me femrën, thonë njëzëri gratë përballë thirrjeve të burrave: "Ato gjejnë çdo lloj justifikimi për të mos ardhur në krevat, deri sa ne (burrat) të na ketë zënë gjumi", apo e kundërta "reagojnë me xhelozi dhe gëzim kundrejt propozimeve tona", "gjithashtu nuk dinë të qepin as kopsa e as të arnojnë çorape dhe përdorin manikyr të kuq". Megjithatë, pas gjithë këtyre ankesave, më aktuale duken këto të fundit, si për shembull: "hyjnë në krevat me këmbë të ftoha dhe i ngrohin ato te këmbët e burrave", "e shtrydhin në mes tubetin e pastës së dhëmbëve", apo "harrohen me muhabet, duke lënë pas dore punë të rëndësishme".

Gjithsesi, psikologët amerikanë kanë reflektuar gjatë mbi këto ankesa dhe ja çfarë mendojnë: "Sigurisht që marrëdhëniet mes meshkujve dhe femrave kanë ndryshuar, edhe pse mjaft nga këto kritere përdoren ende për të lidhur shumë martesa. Mënyra e gjykimit ka ndryshuar, por njerëzit nuk e kanë harruar ende zakonin për t‘i dhënë një votë pozitive ose negative sjelljeve të njëri-tjetrit".

Nga ana tjetër, doktorit amerikan nuk i pëlqen të jetë sipërfaqësor. Për të përgatitur testin e tij ka këshilluar plot 600 femra dhe meshkuj (bashkëshortë), me qëllim që të nxirrte në pah ankesat më të zakonshme. Opinionet janë ndarë në "të drejta" dhe "të padrejta". Çdo pyetje vlen nga 1 deri në 5 pikë (10 për të dyja temat e besnikërisë dhe reagimeve ndaj propozimeve të burrit). Rezultati final tregon nëse zgjedhja e gruas ishte një dështim apo shumë e arritur. Në "Scientific Marriage Foundation", fondacioni që doktori themeloi në 1957-ën dhe që nën vëzhgimin e tij ai formoi 5 mijë çifte, psikologu i nënshtronte pacientët kundrejt një testi. Më pas përgjigjet e tyre ia jepte një llogaritari, me qëllim që ky i fundit të krijonte kombinimet më të mira.

"Testi i referohej një familjeje borgjeze në Amerikën e viteve ‘30 dhe brenda përmbante pikëpamje qesharake", thotë një psiko-seksologe amerikane, që më pas shton: "Megjithatë, nuk duhet nënvleftësuar shumë. Te shumë çifte ekzistojnë probleme të cilat nuk ndryshojnë, edhe pse koha evoluon. Këtu e kam fjalën për xhelozinë dhe tradhtinë, ndërhyrjen e familjeve të burrit dhe gruas, edukimin e fëmijëve dhe luhatjet ekonomike. Në punën time kam parë shumë martesa të shkatërrohen, për shkak të këtyre faktorëve".

Në krahasim me testin e gruas perfekte, ai i menduar për burrin nuk bie dhe aq në sy. Që në lashtësi thuhet se burri ka dhënë ndihmesë në punët e shtëpisë, e ka përkrahur gruan në lidhje me shumë probleme dhe gjithmonë e ka lënë pa fjalë, duke i bërë surpriza nga më të ndryshmet.

"Duke e krahasuar me vitet ‘30, roli i femrës ka ndryshuar jashtëzakonisht, sidomos në këndvështrimin seksual", thekson psikologia, që përtej disa pyetjeve komike këshillon: "Edhe sikur të jetë lojë, është mirë që vajzat dhe djemtë të cilët kanë dëshirë të bashkëjetojnë, t‘i hedhin më parë një sy testit të doktor Crane".

 

Testi i gruas perfekte

Defektet

Bie vonë për të fjetur, me qëllim që burrin ta ketë zënë gjumi

Nuk i do fëmijët

Nuk di të qepë kopsa e as të arnojë çorape

Vesh rroba të pista, të zhubrosura, ose në shtëpi mban përparëse

Përdor manikyr të kuq për thonjtë

Vjen shpesh me vonesë në takime

I qep shtrembër palat e pantallonave

Shtrihet për të fjetur me bigudina në kokë, ose krem në fytyrë

Natën, këmbët e ftohta i ngroh tek ato të burrit

Në makinë i jep mendime të pavlefshme burrit dhe kritikon guidën e tij

Flirton me burra të tjerë në festa ose restorante

Është xheloze dhe dyshon për gjithçka


Cilësitë

Është një zonjë shtëpie e mirë, edhe me miqtë që vijnë papritur

I shërben vaktet në orar

Bën biseda interesante

Di të luajë të paktën me një vegël muzikore, siç është violina apo pianoja

Shtëpinë e mban pastër dhe të rregullt

Çdo natë i dërgon fëmijët për të fjetur në orar

Para se të shtrihet për të fjetur nuk është kurrë nervoze dhe kryesorja bën pak tualet

Kërkon mendimin e bashkëshortit lidhur me zgjedhje të rëndësishme, ose blerje të ndryshme

Ka një sens humori të jashtëzakonshëm, është alegro dhe e gjallë

Është besimtare dhe çdo të diel i dërgon fëmijët në kishë

Të dielave ose gjatë pushimeve e lë bashkëshortin të pushojë deri vonë

Nga Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama