Endrju Koler Kamerun tregon me gisht në drejtim të hapësirës qiellore që rrethon "Mbretërinë Fife" dhe flet për një planet që gjendet shumë larg prapa reve. Kamerun ka mundur ta vërejë praninë e tij vetëm duke parë hijen e vogël që krijon kur kalon përpara yllit përreth të cilit orbiton. Ndodhet afërsisht njëmijë vjet dritë larg zyrës së tij në ndërtesën e fizikës së universitetit "San Endrju" të Skocisë.
Edhe pse ndodhet kaq larg, planeti i ka treguar disa prej sekreteve të tij. Bëhet fjalë për një botë që i tregon vetëm njërën faqe diellit rreth të cilit rrotullohet: gjysma e tij i është ekspozuar ngrohtësisë së përjetshme, ndërsa gjysma tjetër i është nënshtruar errësirës së përjetshme. Rrotullohet me aq shpejtësi rreth yllit të vet sa një vit në të do të zgjaste vetëm pak ditë tokësore. Është një gjigant që do të gëlltiste jo vetëm planetin tonë, por edhe vetë Jupiterin, më i madhi në sistemin tonë diellor, e megjithatë shumë më i lehtë se ai: dendësia e tij është sa ajo e një shelgu. "Do të mund të pluskonte mbi ujë", thotë Kamerun, duke hapur duart, "gjithnjë në rast se do të ekzistonte një enë aq e madhe sa ta nxinte".
Këtu, në Tokë, Kameruni dhe ekipi i tij bëjnë pjesë në një grup të ri astronomësh, të cilët po e këqyrin galaksinë në kërkim të botëve të panjohura dhe, gjatë viteve të fundit, suksesi i tyre mund të quhet pa frikë mbresëlënës. Ndërsa sistemi ynë diellor humbi një planet gjatë vitit të shkuar, falë daljes së klasifikimit të Plutonit nga lista e planetëve për të hyrë në atë të "planetëve xhuxhë", Kamerun dhe kolegët e tij kanë zbuluar më shumë se 250 botë të reja, që u përkasin sistemeve shumë, shumë larg nesh. Zbulime të reja bëhen thuajse për çdo javë që kalon. Dhe në fakt, pikërisht gjatë kësaj mbrëmjeje, disa gjuetarë planetësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të deklarojnë përmes një deklarate zyrtare të bërë nga NASA, zbulimin e një sistemi të ri diellor me ngjashmëri të fortë me tonin.
Secili nga planetët që zbulojmë i shtojnë një grimcë njohurive që kemi për galaksinë ku bëjmë pjesë përtej hapësirës qiellore që na rrethon. Por të marra së bashku, të gjitha këto zbulime, këto botë të shpërndara nëpër univers na çojnë drejt diçkaje tjetër e më të thellë. Aftësia e shkencëtarëve për të dalluar planetë të largët është përshpejtuar gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit me një ritëm që pak janë në gjendje ta imagjinojnë. Dhe, për herë të parë, ata po flasin tani seriozisht mbi kërkimet për një planet që të mund t‘i ofrojë kushte jete njerëzimit në univers: një Tokë e dytë.
"Te njerëzit gjendet një dëshirë e lindur shumë e fortë për të mësuar sa i veçantë është planeti ynë", thotë Kamerun. "Flitet gjerësisht për faktin se sa e përshtatshme është toka për jetën, por sa e veçantë është Toka. Sa e veçantë është jeta? Jemi të vetëm në univers? Janë këto pyetje që i kanë hedhur njerëzit drejt një sfide të tillë".
Deri tani, thuajse të gjithë planetët e zbuluar përtej sistemit tonë diellor janë gjigantë të stërmëdhenj të përbërë nga gazra, si Jupiteri ynë, vetëm se më të nxehtë e më të mëdhenj. Orbitat e tyre janë aq afër diejve përkatës sa një vit i tyre zgjat vetëm pak ditë tokësore, ndërkohë që sipërfaqet e tyre përballen me temperatura afër 2 mijë gradë Celsius.
Këto botë gjigante janë edhe më të lehtat për t‘u vërejtur, megjithëse prania e pjesës më të madhe të tyre zbulohet jo drejtpërdrejt, por duke iu referuar efekteve që luajnë tek yjet rreth të cilëve rrotullohen. Teknika më e frytshme për të kapur praninë e planetëve bazohet te efekti Dopler, i cili vërehet te të gjitha llojet e energjive - nga valët zanore tek ato të dritës. (Një shembull për të ilustruar efektin Dopler është ai i sirenave të makinës së policisë. Kur afrohet pranë krijohet përshtypja se ritmi i luhatjeve të tingujve shpeshtohet. Kjo ndodh pasi duke qenë se makina vjen drejt teje, valët e tingujve ngjishen, gjë që i bën të dëgjohen me ritëm më të lartë dhe kur makina nis të largohet, valët zgjaten, gjë që ul ritmin e tingujve).
Kur një planet vërtitet rreth një ylli, fusha e tij gravitacionale ndikon tek ylli: e detyron të bëjë një qark të vogël rreth vetvetes. Në rast se planeti është shumë i madh, astronomët mund ta kapin këtë vallëzim kozmik duke vërejtur dritën e yllit e cila e arrin sipërfaqen e Tokës dhjetëra, qindra, madje edhe vite më pas. Në rast se drita e yllit luhatet drejt një ngjyre më të kuqe, valët e dritës po zgjaten, duke treguar se ylli po largohet nga Toka. Në rastet kur ylli afrohet drejt nesh, drita që shohim është me nuanca blu, duke qenë se valët ngjishen pas njëra-tjetrës. Duke brejtur ndryshimin nga e kuqe në blu, e kështu me radhë, astronomët arrijnë të llogarisin masën dhe distancën e orbitës së planetit që po shkakton deformimin.
Kameruni e vërejti botën e tij të "shelgtë" falë një metode tjetër. Skuadra është pjesë e një konsorciumi të quajtur SuperWasp, inicialet e Super Wide Angle Search for Planets (Kënd super i gjerë për kërkimin e planetëve), i drejtuar nga Don Polako, në universitetin "Mbretëresha" të Belfastit. Së bashku operojnë dy teleskopë tokësorë, njëri i vendosur në majën e La Palma, një mal vullkanik në ishujt Kanarine, dhe tjetri në majën e një kodre të shkretëtirës Karu, pak orë me makinë nga Keiptaun.
Çdo mbrëmje mbulesat automatike tërhiqen nga skajet e teleskopëve, në mënyrë që të mundësohet observimi i yjeve, të cilët fotografohen çdo 30 sekonda teksa gjenden në qiell që nga perëndimi i diellit deri në çastin e lindjes. Në një periudhë prej 10 minutash, secili teleskop kap dritën e 3.5 milionë yjeve.
Gjatë këtij mëngjesi, imazhet e grumbulluara mbrëmë nga La Palma kanë mbërritur në Belfast përmes internetit. Ato nga Afrika regjistrohen në shirita magnetikë dhe dërgohen herë pas here me avionë.
Në laboratorin e Polakos, disa kompjuterë shpenzojnë 12 orë në ditë në ekzaminimin e imazheve të çdo ylli, në kërkim të luajtjes së thellësisë së dritës të shkaktuara nga ndonjë planet që i kalon përballë. Pas kësaj, kandidatët më premtues u kalohen studiuesve si Kameruni për konfirmimet përfundimtare.
Në vitin 2005, ekipi i "SuperWasp", falë kësaj teknike ia doli të zbulonte dy planetë gjigantë, "botën e drunjtë" në konstelacionin e Andromedës, dhe një më të vogël, e njëherësh me dendësi më të madhe që vërtitet rreth një ylli të konstelacionit të Delfinit. Para një jave, skuadra e shkencëtarëve bëri publikë zbulimet e fundit - tre planetë të tjerë gjigantë më shumë se 700 vite dritë larg, të cilët gjenden aq afër diejve të tyre sa sipërfaqet e këtyre planetëve ziejnë.
Teknika "SuperWasp", e njohur si metoda transite, megjithatë ka kufizimet e veta. Vetëm një përqindje shumë e vogël planetësh orbitojnë përreth yjeve përkatës në këndin e duhur, në mënyrë që hijet e tyre të mund të projektohen në tokë dhe vetëm ata me përmasa gjigante prodhojnë aq sinjale sa të zbulojnë praninë e tyre.
Por kjo është një fushë ku po vërehen ndryshime tepër të shpejta: përparimet dhe teknikat moderne po i afrojnë astronomët gjithnjë e më shumë me qëllimin përfundimtar për zbulimin e një Toke të dytë. Më herë gjatë këtij viti, disa shkencëtarë nën drejtimin e Stefan Udrit në Observatorin Jugor Evropian në Gjenevë zbuluan një planet që vërtitet përreth një ylli xhuxh në konstelacionin Libra, 20 vite dritë larg. Matjet e tyre sugjerojnë se planeti Gliese 581c është i vogël dhe me sipërfaqe shkëmbore. Orbita e tij ka bërë që disa shkencëtarë të spekulojnë se në sipërfaqen e tij ekzistojnë kushtet për praninë e ujit, gjë që i jep udhë edhe idesë se mund të jetë i përshtatshëm për zhvillimin e jetës.
Gjithsesi, për të kuptuar nëse në Gliese 581c ka aktualisht jetë, i duhet të gjenerojë aq aktivitet sa të mund të vihet re nga fqinjët e galaksive të tjera. Shkencëtarët e projektit kalifornian të kërkimeve për Inteligjencë Jashtëtokësore (Seti) kanë kërkuar për valë të mundshme radioje të emetuar nga ai sistem diellor dhe nuk kanë arritur të zbulojnë asgjë.
Vetëm tre muaj pas publikimit të suksesit të Udrit, një tjetër zbulim i realizuar nga Xhovana Tineti dhe ekipi i saj në Universitetin e Londrës bënë që të lindnin shpresa të reja te të gjitha ata që operojnë në këtë fushë. Skuadra e Tinetit përdori një teleskop të NASA-s për të vërejtur me më imtësi rrezatimet që vijnë nga një yll i quajtur HD 189733, i cili shtrihet 63 vjet dritë larg nga Toka. Kur një planet i zbuluar së fundmi kalon përpara yllit, shkencëtarët vërejnë një fluks mjaft të njohur rrezesh infra të kuqe. Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore "nature", shënoi provën e parë të pakundërshtueshme për praninë e ujit në atmosferën e një planeti përtej sistemit diellor (Motoja e NASA-s për zbulimin e jetës jashtëtokësore është "ndiqni ujin". Është përbërësi të cilin shkencëtarët e vlerësojnë si vendimtar për zhvillimin e formave që njohim ne të jetës).
Por në ambientet e universitetit "San Endrju", dosjet e pafundme me foto e të dhëna nga këto yje janë vendosur disi mënjanë dhe diskutimet janë përqendruar në një pikë tjetër, duke marrë trajta më filozofike. Gjatë viteve që do vijnë, mundësitë për gjetjen e një Tokë të re po rriten shpejt, të paktën duke iu referuar arritjeve të deritanishme. Dhe çfarë pas kësaj? Astronomët do t‘i përqendrojnë të gjitha mjetet dhe energjitë në kërkime të dëshpëruara për shenja jete. "A do të ndihemi më mirë po të dimë me siguri se nuk jemi të vetëm në univers? Një gjë e tillë do të na bëjë të ndihemi të privilegjuar e të veçantë, apo thjesht të vetmuar e të largët?", pyet Kamerun. "Ky do të jetë një zhvillim shumë interesant për kreacionistët", shton Alen Peni, një mik dhe koleg i tij.
Në rast se ky vit mund të vlerësohet si shumë i frytshëm për gjuetarët e planetëve, ka arsye të forta të besohet se shumë shpejt do të dëgjojmë për shumë zbulime të reja. Dhjetorin e shkuar, agjencia hapësinore franceze, CNES, lëshoi Corot-in, i pari teleskop hapësire aktiviteti i të cilit i është dedikuar tërësisht gjuetisë së yjeve. Që tani ka raportuar për zbulimet e para: bëhet fjalë për një planet me përmasat e Jupiterit 1 mijë e 5 qind vjet dritë larg nga Toka. "Përparësia e një teleskopi që gjendet në hapësirë është që nuk je i detyruar të vështrosh përmes atmosferës së Tokës, nuk je i detyruar të përballesh me ndërprerje për shkak të reve apo kohës së keqe dhe mund të observosh pa ndërprerje, pasi nuk ke as problemin që nuk mund të shohësh asgjë kur është ditë", thotë Suzan Aigren, një astrofizike në universitetin "Ekseter".
Skuadra "Korot" do t‘i përqendrojë kërkimet te planetët vetëm pak herë më të mëdhenj se Toka, për të kuptuar se sa të zakonshëm janë të tillë planetë në galaksi. Si edhe ata të projektit "SuperWasp", shkencëtarët e Corot-it janë në procesin e konfirmimit të zbulimit të një serie planetësh të rinj dhe presin t‘i shpallin publikisht gjatë muajve në vazhdim.
Edhe gjetiu shkencëtarët po ndërtojnë teleskopë të rinj dhe po i drejtojnë të tjerët, që ekzistojnë prej kohësh, duke iu bashkuar këtyre kërkimeve. Në shkretëtirën e Arizonës, një skuadër e drejtuar nga Deivid Sharbone, Qendra e Harvardit për shkencëtarët astrofizikanë, të cilët zbuluan të parin planet jodiellor në vitin 1999, po përgatit Mearth, një sistem i përbërë nga 8 teleskopë, edhe ky i projektuar për zbulime të kësaj natyre.
"Në qendër të interesit tonë janë planetët e vegjël e me sipërfaqe shkëmbore", thotë Deivid Sharbone. "Hapi i parë është zbulimi i planetëve me përmasa të përafërta me ato të Tokës dhe që të kenë sipërfaqe të ngurtë, ata që mund të ofrojnë kushte për zhvillimin e jetës".
Në vitin 2009, NASA po planifikon lëshimin e misionit "Kepler", një observues hapësinor, i cili do të dërgohet në hapësirë në kërkim të planetëve të ngjashëm me Tokën. Agjencia Hapësinore Evropiane po ngre në këmbë misionin e saj, Darvinin, i cili do jetë i pari që nuk do të ketë në qendër të interesit vetëm planetët, por edhe shenjat e jetës në atmosferat e tyre. Për shembull, mendohet se oksigjeni nuk mund të gjendet në atmosferën e një planeti, në rast se ndonjë formë jete nuk garanton prodhimin e vazhdueshëm të tij. Në mars, oksigjeni që dikur gjendej në atmosferë u absorbua nga shkëmbinjtë, duke i kthyer elementët në okside.
Duhet të pranojmë se jeta në këta planetë mund të jetë shumë më e ndryshme nga ajo që njohim ne, por duhet të fillojmë duke shqyrtuar ata planetë që janë të ngjashëm me tonin dhe më pas për shenja oksigjeni në atmosferë", shpjegon Sharbone. "Universi mund të gëlojë nga forma jete që janë të ndryshme nga e jona, por se si do të mund t‘i dallojmë nga kaq larg mbetet ende një pyetje e hapur. Ndryshimi i madh është që, po të thosha para dhjetë vjetësh se kërkoja shenja jete në hapësirë do më konsideronin për të marrë, por gjërat nuk janë më kështu. Tani kjo është kthyer në një pyetje më se legjitime".
Marre nga : Gazeta Shqip