A eshte Rama pas hetimit te Gjikes? Llalla ndryshoi per Gjiken pasi takoi Ramen

A eshte Rama pas hetimit te Gjikes? Llalla ndryshoi per Gjiken pasi takoi Ramen

Unë Dorian Tafili jam komanduar në krye të Prokurorisë së Vlorës më datë 22.01.2013. Për procedimin penal në ngarkim të shtetasit Shpëtim Gjika hetimet kanë filluar për dy çështje që i referohen ndërtimit të dy pallateve, njëri në vendin e quajtur “treracat”, tjetri në zonën e Portit Detar Vlorë. Njëra nga çështjet ishte regjistruar vitin e kaluar, ndërsa tjetra është referuar prej policisë gjyqësore në muajin shkurt dhe është regjistruar në Prokurori.

Hetimi është kryer me seriozitet e profesionalizëm. Në muajin prill 2013 u mblodhën të gjitha provat. Menjëherë është vënë në dijeni Prokurori i Përgjithshëm dhe me e-mail-in e datës 04.04.2013 i kam dërguar informacion Prokurorit të Përgjithshëm. Deri në qershor 2013 nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme nuk më kanë kthyer përgjigje për informacionin e dërguar. Më datë 12 qershor i kam dërguar përsëri Prokurorisë së Përgjithshme një informacion të dytë lidhur me çështjen.

Pas dy informacioneve që unë dërgova është analizuar çështja në Prokurorinë e Përgjithshme në fund të korrikut të vitit 2013. Të gjitha faktet e provat e mbledhura nga ana jonë ishin tërësisht të sakta dhe nuk pati asnjë kundërshtim. Në këtë periudhë është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës dhe sekuestrimi i këtyre dy pallateve objekt hetimi. Siç e shpreha, çështja ishte e përfunduar. Nga Prokurori i Përgjithshëm kjo çështje është mbajtur pezull deri në ditën e largimit tim më datë 23.09.2013.

Në artikullin e gazetës Shqip, datë 29 tetor 2013, është e pavërtetë se ka pasur sherr midis prokurorëve dhe drejtuesit të prokurorisë apo oficerëve të policisë gjyqësore. Në asnjë moment, në asnjë çast nuk ka pasur asnjë lloj debati. Çështja është hetuar rigorozisht brenda kritereve ligjore. Mirëkuptimi në hetim ka qenë i plotë midis grupit hetimor. Nuk ka pasur dhe nuk ka ekzistuar asnjë ndërhyrje nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm për gjoja mosmarrëveshje siç pretendohet në artikull.

Nuk është aspak e vërtetë se ka pasur lëvizje të prokurorëve të çështjes. Çështja është hetuar që nga fillimi deri në fund nga dy prokurorë dhe një oficer i policisë gjyqësore. Për këtë janë dëshmitarë prokurorët dhe oficeri i çështjes.

Në artikull aludohet për sherre e përplasje brenda prokurorisë. Një pretendim i tillë është tërësisht i pavërtetë. Jo vetëm nuk ka pasur absolutisht asnjë sherr e mosmarrëveshje brenda prokurorisë, por puna ka qenë në harmoni të plotë midis prokurorëve, oficerëve të policisë dhe drejtuesit të prokurorisë.

Për punën time 8-mujore në krye të prokurorisë nuk jam thirrur asnjëherë e nuk më është tërhequr ndonjëherë vëmendja për probleme negative. Përkundrazi nga Prokurori i Përgjithshëm jam lavdëruar për punë të mirë dhe rezultate të larta.

Rezultatet e punës së Prokurorisë së Vlorës gjatë kohës 8-mujore që unë drejtova kanë qenë si asnjëherë më parë në luftën kundër krimit dhe në ushtrimin me profesionalizëm të ndjekjes penale. Në asnjë prokurori tjetër të Republikës nuk është bërë ndonjëherë një punë e tillë perfekte. Të gjitha çështjet e reklamuara si pozitive nga Prokurori i Përgjithshëm janë çështjet e hetuara nga Prokuroria e Vlorës, në kohën që unë kam qenë drejtues. Rast tjetër të ngjashëm nuk ka dhe nuk mund të gjendet në botë, që gjithë Prokuroria e Republikës justifikohet vetëm me punën pozitive të një prokurorie distrikti apo rrethi.

Së fundi pretendohet se largimi im si drejtues i Prokurorisë së Vlorës lidhet me çështjen “Gjika”. Kurse në fakt ky pretendim nuk është i vërtetë. Largimi im lidhet me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të klaneve kriminale dhe të grupeve mafioze që iu prishën ekuilibrat mafiozë për aferat e tyre kriminale e korruptive. Këta elemente janë dhe autorët e veprimit për vendosjen e eksplozivit në datën 23 qershor 2013 në automjetin tim. Janë pikërisht këta faktorë mafiozë që kanë shërbyer si burim informacioni.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama