Politikanët asnjëherë nuk janë konsideruar si një pjesë e shoqërisë, krejt e pandjeshme ndaj ndershmërisë. Në rastin më të mirë, ata u thonë njerëzve atë që populli do të dëgjojë dhe ajo merret nën dritëhijet e së vërtetës, duke përzgjedhur faktet, ekzagjerimet, fjalët lajkatare dhe vërtitjet e frazave me të njëjtin kuptim. Në më të shumtën e herës, kemi qenë dëshmitarë kur politikanët u kanë qëndruar larg apo afër disa kufijve që mund t’i quajmë norma të moralit të tyre personal dhe jo të partive që ata përfaqësojnë. Siç ishte rasti i dorëheqjes dinjitoze të Sokol Nakos nga posti i ministrit të Integrimit vite më parë, pas një aksidenti fatkeq, në mënyrë që të hetohej e të gjykohej si një njeri i thjeshtë, dhe jo si një ofiqar me imunitet.
Arsyeja pse politikanët gënjejnë është se kryesisht njerëzit nuk para kanë qejf të dëgjojnë të vërtetën. Njerëzit në përgjithësi dhe shqiptarët, në veçanti duan të dëgjojnë atë që ua ka ënda të dëgjojnë, gjysmë të vërteta të veshura nganjëherë me lule-lajka. Kur dy kandidatë janë përballë njëri-tjetrit në sheshin e mejdanit dhe njëri thotë të vërtetën, ndërsa tjetri përfshihet në atë kategori që thotë ato që do të donte publiku të dëgjonte, atëherë kandidati i dytë e ka të fituar betejën. Dhe thelbi i dyluftimit mes tyre mund të përkufizohej vetëm me këtë fjali: Nëse i pari do pushonte së thëni gënjeshtra për të dytin, atëherë edhe i dyti do pushonte së thëni të vërteta për të parin.
Sa me vend do ishte shembulli ilustrues i Presidentit Klinton, kur i erdhi radha t’u përgjigjej akuzave për marrëdhënie jashtëmartesore dhe tradhti bashkëshortore! Deri në ato çaste, shumicës së amerikanëve as që i ishte bërë vonë fort se cilat ishin Xhenifer Flauersi apo Monika Levinski apo se çfarë dreqin kishte bërë Presidenti i tyre i gjithëpushtetshëm me to.
Deri atëherë, ajo ishte një çështje vetëm mes Klintonit, të shoqes, dhe Zotit të plotfuqishëm e të gjithëditshëm. Vetëm në çastin kur Klintoni doli në televizor dhe i tundi gishtin botës mbarë duke thënë me vendosmëri se me atë grua apo gra nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie seksuale, çështja u bë publike dhe njerëzit u përfshinë emocionalisht dhe ligjërisht në të, sepse u ndien të fyer nga gënjeshtra ashiqare. Ai mohim apo gënjeshtër ishte një gabim, që për pak rezultoi fatal për kolltukun presidencial të Uilljam Xheferson Klintonit. Për ligjshmërinë amerikane, marrëdhënia jashtëmartesore konsiderohet një shkelje, aq më shumë po të marrësh parasysh puritanizmin dhe të ashtuquajturin moral të panjollosur të shoqërisë amerikane dhe elitës së saj drejtuese. Pra, kur ne e dimë që personi përballë nesh, i cili mban një post shumë të rëndësishëm apo që kandidon për një ofiq publik, e ka shkelur të paktën një herë në jetën e tij ligjin, a do të donim vallë që ky person të zgjidhej dhe të na përfaqësonte në hierarkinë e ushtrimit e të zbatimit të shtetit ligjor?
Do ta kapërdija më kollaj idenë se është më njerëzore të pranohej që dikush edhe mund ta ketë shkelur ligjin, sepse në të kundërtën do të provonte që është një njeri që nuk ka guxuar kurrë në jetën e vet të shkelë ligjin. Pak e çuditshme kjo, sepse çdokush nga ne e ka marrë të paktën nga një gjobë nga polici i trafikut, por ky fakt nuk mund kurrsesi të ndalojë një kandidat që të zgjidhet President apo ministër. Kur merr përsipër të vërtetosh e të provosh pastërtinë e një figure politike, ta hajë dreqi ta hajë, më mirë pranoje që ke tymosur ndonjë cigare me marijuanë dikur në rininë tënde apo që i je vardisur ndonjë çupëline kur në gisht ke pasur unazën martesore, se nuk është fundi i botës. Bob Dilani ka shkruar se duhet të jesh vërtet një njeri i ndershëm që të jetosh si i jashtëligjshëm. Nga ana tjetër, Erih-Maria Remarku, e ka përcaktuar qartë te “Tre shokët” se mënyra më e mirë për t’u përballur me shkeljen e ligjit dhe për t’ia hedhur paq, është paturpësia, ose më mirë gënjeshtra e vendosur dhe e palëkundur.
Është njësoj si puna e marrëdhënieve seksuale. Librat e shenjtë thonë se në kontekstin e martesës së virgjër, marrëdhënia seksuale është më se normale dhe e domosdoshme, dhe ne duam që udhëheqësit tanë të jenë njerëz të virtytshëm e me moral deri diku të pastër. Jemi pasardhës të tre miliardë vjetëve të mbushura me veprimtari seksuale. Çdo krijesë mbi tokë do të marrë atë që meriton. Ajo që të dhemb më shumë në këtë histori është se gjithë këta gënjeshtarë politikanë janë duke thënë të vërtetën, në njëfarë mënyre. Një kulturë gënjeshtre i ka përfshirë ata, dhe çdo parti ka elementet e saj në këtë kulturë të re, me një shtrirje më të gjerë apo më të ngushtë. Kur vjen ora e zgjedhjeve dhe e fushatës zgjedhore, kjo gjë vërtetohet katërcipërisht, sikur të gjithë të kishin lindur më 1 prill. Apo ndoshta, këta politikanë bëjnë pushim vetëm një ditë në vit, ditën e gënjeshtrave...
Shembulli i ish-ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, përbën rastin e pastër të tundimit dhe dobësisë së një njeriu me pushtet dhe autoritet. Kryeministri menjëherë e shkarkoi nga detyra, sepse Kryeministri vetë do të qëndrojë mbi një piedestal personal të pastër moral. Kështu që Kryeministri atë natë, pa u menduar gjatë, duke e shkarkuar ministrin Pango i bëri njerëzit të dëgjonin atë që donin të dëgjonin me ngulm: JEMI NJË SHOQËRI, E CILA NUK MUND TË PËRBALLET ME TERMIN SEKS DHE POLITIKANËVE TANË U KËRKOHET TË GËNJEJNË PËR TË. Nëse ministri i Kulturës do kishte dalë duke thënë: “Po! Është e vërtetë! Unë doja të bëja seks me atë vajzë, pavarësisht se kishte një palë mbërthecka si të kyçura me dry...!”, shumë kanale televizionesh do ta kishin censuruar atë lajm. Medias dhe publikut i intereson dhe i tërheq më shumë e kundërta. Nuk mund të presim që politikanët tanë të jenë të përsosur. As Zoti vetë, kur e krijoi këtë botë, nuk u tregua i përsosur... Tashmë jemi në demokraci, ku kemi të drejtën legjitime edhe të kërkojmë llogari. Ne i zgjedhim njerëzit me ndërgjegje të plotë që të bëjnë një punë, për të cilën edhe paguhen, shumë më tepër nga ç’duhet madje. Mirëpo udhëheqësit tanë nuk janë dhe aq sa duhet në shërbim të popullit!
Në parim, ata punojnë për ne duke qenë shërbëtorë të popullit, por në realitet ndodh krejtësisht e kundërta. Pikërisht tani, unë njeriu pa pushtet e pa autoritet po gënjej, por në një mënyrë tjetër. As ata e as unë nuk kemi poste të përjetshme dhe nuk kemi fituar imunitet absolut për të mos thënë të vërtetën. Bob Dilani, edhe njëherë, ka vënë në dukje se “Çdokush, prapa syve fsheh dhe maskon, atë që në të vërtetë mendon”! Po kush e tha gënjeshtrën e parë fare? Vetëtimthi përgjigjja që të vjen në majë të gjuhës, do të ishte: “Njeriu i parë”! Jo! Në Kopshtin Hyjnor, kur Evës dhe Adamit, pasi kishin bërë atë që më vonë u quajt mëkati fillestar, iu afrua gjarpri duke iu thënë: ‘A nuk ju tha Zoti që të mos ta preknit atë pemë?!’” Pavarësisht se ajo ishte një pyetje retorike në historinë njerëzore, gjithsesi, ajo qe njëkohësisht edhe pyetja e parë, pyetja e bërë nga gjarpri.
Tani, se çfarë përfaqëson gjarpri në historinë që rrodhi më tej, e dimë të gjithë, por që nga ai çast, Eva dhe Adami, për të mbuluar turpin e tyre, u veshën me tesha për të fshehur e mbuluar organet e tyre të dukshme gjenitale dhe ja ku zuri rrënjë gënjeshtra. Njeriu i parë, pasi murmuriti një gënjeshtër, mësoi që trupin e vet ta mbulojë me lloj-lloj gjethe fiku apo hardhish dhe gënjeshtra sikur zuri ngrohtë njëherë e përgjithmonë brenda qenies njerëzore. Dhe akoma më ngrohtë e mbajmë tani, në ditët e sotme, kur kemi dhe mjetet e duhura për ta ruajtur më së miri, për ta fshehur e për ta nxjerrë në pah vetëm atëherë kur na intereson. Këtë gjë e bëjnë mjeshtërisht politikanët tanë të dashur e të pazëvendësueshëm. E kanë bërë e do të vazhdojnë ta bëjnë me kënaqësi dhe pa iu dridhur qerpiku fare. Dhe me po aq kënaqësi, madje akoma edhe më të madhe ne do të vazhdojmë t’i lejojmë, t’u besojmë dhe t’i votojmë.
Deri kur, nuk dihet... Ndoshta deri atëherë, kur asnjërit prej nesh nuk do t’i vijë më turp dhe nuk do t’i skuqet më faqja nga pranimi i të qenët thjesht njerëzor, me të metat dhe të mirat tona, sepse askujt, përveç popullit shqiptar, sovranit, nuk i lejohet të gjykojë. Kush nuk ka thënë deri më sot qoftë edhe një gënjeshtër, të bardhë apo të zezë, le të hedhë gurin e parë! Ose më saktë, le të mendohet mirë e mirë, para se të kërkojë llogari e të hedhë si ndëshkim votën e qartë e të saktë!