Që nga koha kur liderët europianë emëruan politikanin belg, Herman Van Roumpy si President të Këshillit Europian një vit më parë, kanë qenë të paktë ata që kanë vënë re rezervimin e rajonit të Flandrës në Belgjikë. Por, ky perceptim ndryshoi të premten e kaluar, kur Van Roumpy doli në të gjitha mediat e kontinentit pas një vërejtjeje të bërë publikisht. “Ne duhet që të punojmë së bashku në mënyrë që të mbijetojmë brenda Eurozonës, sepse nëse nuk do të mbijetojmë brenda Eurozonës, nuk do të mbijetojmë edhe me Bashkimin Europian”, - tha Presidenti në një panel diskutantësh. Me komentet e veta ai shprehu atë që shumë njerëz në Bruksel ka kohë që e çojnë nëpër mend, pa guxuar që ta artikulojnë publikisht.
Ndoshta edhe vetë Van Roumpy nuk ka dashur që të thoshte atë që tha. Kjo doli qartë dy ditë më pas, kur sërish publikisht ai deklaroi se ishte keqkuptuar. Por gjithsesi, kjo nuk ndryshon faktin se deklarata e tij ishte e saktë. Qeveritë e Eurozonës kanë kaluar muaj të tërë në përpjekje për t’i dhënë fund krizës me të cilën po përballet monedha e tyre e përbashkët, por rreziku ka qenë i pamundur që të shmanget. Në të kundërt, takimet e krizës janë bërë tashmë një fakt i zakonshëm dhe miliarda të tjerë në fonde emergjence kërkohen nga shtetet problematikë. Dhe, çka është më e keqja, krizës nuk i duket fundi...
Liderët evropianë u përpoqën që të merrnin çdo lloj mase dhe të bënin çdo lloj përpjekjeje në tentativë për të shpëtuar euron. Ata aprovuan programet e shpëtimit financiar për Greqinë dhe krijuan edhe një fond të madh shpëtimi për të gjitha vendet anëtare të Eurozonës. Fshikulluan ligje nga parlamentet e vendeve të ndryshme dhe çuan në limitet e tyre ligjet e Traktatit të Lisbonës. Banka Qendrore Evropiane arriti madje që të dhunonte dhe një tabu të vjetër të saj: blerjen e bonove të vendeve problematike, në një tentativë për të stabilizuar çmimet e tyre.
Por, këto hapa sollën vetëm një “lehtësim” të përkohshëm të situatës, që zgjati deri në shfaqjen në horizont të lajmit të keq të radhës. Në fillim të vitit ishte Greqia dhe tani është situata e keqe e bankave irlandeze, që përbën një kërcënim për qëndrueshmërinë e euros. Çdo lajm i keq i ri është një nxitje për krijimin e bindjes se zgjidhjet aktuale të problemeve mund të jenë momentale, por për ndreqjen afatgjatë të situatës nuk do të pijë ujë metoda e marrjes së vazhdueshme të borxheve. Frika ekziston se kjo krizë mund të çojë në dështimin financiar të shteteve problematike, madje edhe të vetë Eurozonës. Aktualisht Europa është e ndarë më dysh mes dy grupimeve që kanë një këndvështrim të papajtueshëm me ngjarjet dhe me mënyrën e zgjidhjes së problemit. Kancelarja gjermane, Merkel kryeson njërin grup, i cili përbëhet kryesisht nga vendet e Europës Veriore. Merkel personalisht e sheh veten si një mbrojtëse të kulturës së stabilitetit, të atij lloj stabiliteti që Gjermania ka pasur që nga ditët e monedhës së saj, dojçmark. Qëllimi i Merkelit është parandalimi i shndërrimit të bashkimit monetar në një bashkim transfertash.
Grupi i dytë përbëhet nga të ashtuquajturit shtetet PIIGS, që kanë grumbulluar borxh në të shkuarën dhe janë duke kërkuar aktualisht ndihmë. Vende të tilla janë Italia, Portugalia, Irlanda, Greqia dhe Spanja. Ata duan të arrijnë atë që Merkel kërkon që të parandalojë: një bashkim në të cilin vendi i fortë paguan për vendin më të dobët. Institucionet europiane janë aktualisht duke manovruar mes këtyre dy grupeve. Akti i parë i krizës aktuale nisi në resortin bregdetar francez të Deauvilit, në mesin e muajit tetor. Merkel dhe Sarkozi njoftuan fundin e qëllimit të tyre ambig, për të zbatuar një paketë më strikte stabiliteti, me sanksione automatike për vendet që thyejnë rregullat e lojës, pra rregullat e deficitit. Në këmbim Sarkozi mbështeti idenë e Gjermanisë, për të vënë një pjesë të barrës së detyrimeve të krizave financiare edhe në supet e biznesit privat. 27 vendet anëtare të BE-së e miratuan këtë marrëveshje në takimin e tyre në fund të tetorit. Planet dhe historitë e frikshme në lidhje me bankat irlandeze shkaktuan një turbullirë në sistemin financiar. Merkel dhe Sarkozi me sa duket nuk kishin menduar për një akt të dytë. Dhe, akti i dytë është Irlanda. Në kundërpërgjigje të akuzave se plani gjerman shkaktoi edhe krizën irlandeze, qeveria e Berlinit ka bërë të ditur se propozimi gjerman për të përfshirë në përgjegjësi edhe sektorin privat nuk ka ndikim, sepse ai përqendrohet në treg pas vitit 2013.
Për sa i përket situatës së Irlandës, ndryshe nga grekët të cilët ishin ata që e kërkuan ndihmën financiare të komunitetit ndërkombëtar, irlandezët rezistuan shumë, sepse e kanë të qartë që një ndihmë e tillë do të thotë dobësim i sovranitetit të tyre. Kjo është pak a shumë e vërtetë. Problemet e Irlandës nuk janë financat qeveritare, por bilancet negative të bankave të saj. Megjithatë, të dyja sferat janë ngushtësisht të lidhura, sepse qeveria lëshoi një garanci për bankat e saj pas krizës financiare, pa dyshuar se sa i madh do të ishte problemi. Javët e fundit ka pasur një eksod miliardësh nga Irlanda. Një pjesë e madhe e investuesve të huaj nuk kanë më dëshirë që t’u japin hua bankave irlandeze. Tashmë vetëm bankat qeveritare japin hua. Aktualisht, i tërë sistemi bankar irlandez është në prag të kolapsit.
Pas marrjes së miratimit të paketës financiare u shpresua që ky vendim do të qetësonte tregjet financiare, të paktën për disa kohë. Por, çfarë ndodhi pas kësaj? A do të kthehet vallë vëmendja e tregjeve tek Portugalia, në këtë rast? Edhe vetë ministri portugez i Financave nuk e ka përjashtuar faktin e një ndihme të mundshme financiare që mund të kristalizohet ndoshta së shpejti, si në rastin e Greqisë dhe të Irlandës. Por, ka edhe më. Ministri i Jashtëm portugez ka folur, edhe pse kalimthi, edhe për mundësinë e daljes së vendit të tij nga Eurozona. Paketa e shpëtimit financiar për vendin në krizë u konceptua dhe u hartua me qëllimin e qetësimit të tregjeve financiare. Ekzistenca e kësaj pakete pritej që të reduktonte tensionet, deri në atë shkallë sa vendet në fakt të mos kishin nevojë që ta përdornin. Në vend të kësaj, situata u tensionua shumë dhe për shumë vende të tjera.
Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar krijuan një fond prej 750 miliardë eurosh për të mbrojtur anëtarët e brishtë të zonës euro. Këto para do të ishin mjaftueshëm për Irlandën dhe Greqinë. Po në rast se kriza do të përfshijë edhe Portugalinë e ndonjë vend tjetër, kjo do të ishte një situatë shumë e vështirë. Kur u vendos për paketën, u supozua se problemet e borxhit dhe deficitit buxhetor do të zgjidheshin dhe se brenda pak vitesh vendet me borxhe do t’i kishin “pastruar” financat e tyre dhe do të ishin aftësuar për të marrë sërish hua me përqindje të arsyeshme. Tani qeveritë e Europës duhet që të përballen me një realitet ndryshe.
Për sa i përket Merkelit, ajo po tenton që të parandalojë shndërrimin e këtij fondi shpëtimi në një zgjidhje të përhershme. Ajo nënvizoi se fondi duhet të zëvendësohet me një mekanizëm të përhershëm të zgjidhjes së krizave. Për këtë gjermanët janë duke hartuar edhe një plan, i cili do të ketë në bazë të tij një mekanizëm që do të synojë një balancë më të madhe interesash mes vendit borxhli dhe kreditorëve të bonove, në mënyrë që të shmanget efekti ‘domino’ në tregjet financiare dhe vetë bashkimin monetar. Gjermanët janë duke u konsultuar me francezët, por ndërkohë vende të tjera kanë një këndvështrim të ndryshëm për këtë çështje, si për shembull emetimin e eurobonove. Ka bono qeveritare, ripagesa e të cilave nuk garantohet nga vendi që i emeton, por nga i gjithë bashkimi monetar. Vendet e jugut të Eurozonës mendojnë se është një ide shumë e mirë. Gjermanët dhe austriakët janë kundër saj. Ky lloj projekti do të penalizonte ata që janë të aftë që të menaxhojnë mirë financat e tyre, në përfitim të atyre që nuk kanë qenë në gjendje që të bëjnë mirë “detyrat e shtëpisë”.
Ndërkohë, të gjitha propozimet e zgjidhjes së krizës së euros kanë një problem të përbashkët: ato kanë potencialin e përkeqësimit të gjërave.