A kane zbuluar vertete greket varrin e Aleksandrit te Madh?

A kane zbuluar vertete greket varrin e Aleksandrit te Madh?

Arkeologët në Greqi kanë zbuluar një varr të lashtë, afër Amfipolit, për të cilin dyshojnë se i përket Aleksandrit të Madh. Mbreti luftëtar – i cili ka sunduar në shekullin 4 para Krishtit – besohej se ishte varrosur në Egjipt, por tashmë ekspertët janë shprehur të entuziazmuar pas zbulimit të një muri të madh mermeri që daton në të njëjtën kohë me të.

Struktura e zbuluar me përmasa 500 metra gjatësi dhe 3 metra lartësi ka formën e një piramide mermeri në krye të të cilës është vendosur një luan, simbol karakteristik i mbretërisë maqedonase, çka i bën studiuesit të besojnë se në të mund të jetë varrosur vetë Aleksandri i Madh ose më e pakta, ai është një varr mbretëror. Lajmi për zbulimin e këtij varri ka rizgjuar imagjinatën dhe shpresën e grekëve për të zgjidhur misterin e varrit të Aleksandrit të Madh, heroit maqedonas, i cili duke qenë nxënës i Aristotelit deri në moshën 16 vjeçare u ushqye me kulturën greke, të cilën e përhapi deri në Lindje gjatë përpjekjeve të tij pushtuese për të arritur deri ‘në fund të botës’.

Aleksandri III i Maqedonisë, që njihet më tepër me emrin Aleksandri i Madh ishte mbret i Maqedonisë, një shtet që shtrihej në veri të Greqisë antike. Ai u lind në vitin 356 para Krishtit, dhe pati mësues Aristotelin e madh grek deri kur u bë 16 vjeç. Në moshën 30 vjeçare ai kishte arritur të krijonte perandorinë më të madhe të botës antike që shtrihej nga deti Jon deri në Himalaja.

Mendohet se Aleksandri i Madh vdiq në Babiloni në vitin 323 para Krishtit, përpara se të arrinte të pushtonte edhe Arabinë dhe ekzistojnë versione të ndryshme të historisë së vdekjes së tij, kur ishte vetëm 32 vjeç. Disa thonë se vdiq nga ethet gjatë një prej fushatave të tij të ekspansionit në Lindje, ndërsa të tjetër thonë se u helmua. Trupi i tij deri më sot mendohej se ndodhej në një varr të fshehtë në Aleksandri, Egjipt, por zbulimi i fundit në Greqi ndoshta mund t’i japë një drejtim tjetër historisë së lavdishme të Aleksandrit të Madh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama