A kena me u kthy ne Kosove?

A kena me u kthy ne Kosove?
Gjithë çfarë fotografoi në kampet e refugjatëve gjatë shpërnguljeve masive në Kosovë në vitin 1999, Mirela Oktrova, e ngarkuar asokohe me detyrën e specialistes për çështje të rajonit nga Ministria e Brendshme Gjermane, i sjell në ekspozitën “Fate në luftë” me 110 fotografi, e hapur këtë javë në Muzeun Historik Kombëtar. Nga prilli në qershor, Oktrova mbajti shënim ngjarjet që ndodhnin dita-ditës, numrin e të dëbuarve, atyre që shpërnguleshin për t’u strehuar në kampe, shënime për ata që lufta u mori jetën dhe përjetime vetjake. Siç shihet në ekspozitë, Oktrova edhe në rolin e reporteres u fokusua në fotografimin e portreteve të luftës, të grave dhe burrave në moshë të shtyrë dhe fëmijëve që shohin me frikë nga aparati. “Nuk e di as vetë sesi nisa t’i bëja ato fotografi.

Në ato ditë aq të ngarkuara, kur mbresat e ditës nuk i linin vend qetësisë së natës, vendosa të fotografoja gjithçka e gjithkënd, që s’donte e s’doja ta lëshoja. Janë foto dëshmi, janë foto të shkrepura shpejt, me ndjesinë e momentit, shpesh të marra larg, për të mos lënduar të fotografuarit, ndryshe do ishte dukur sikur po e përdorja vuajtjen e tyre”, u shpreh Oktrova në hapjen e ekspozitës, që e ka ndarë në katër pjesë: “Ikja nga ferri”, “Jeta në kamp dhe personalitetet njerëzore”, “Ikja nga Ferri i dytë (nga kampi)” dhe “Epilogu”. ‘Rrëfimi’ nis me ikjen nga Kosova, nga zona e luftës. Në ekspozitë shihen grumbujt e makinave të braktisura, rrobat dhe torba e ushqimit të hedhura përtokë. Më tej vijojnë fotot e asaj që mund të quhej jeta nëpër kampet Stenkovec, Neproshteno, atë të Çegranës, më i madhi i kohës, i ndodhur në afërsi të Tetovës, ku strehoheshin rreth 40 000 të shpërngulur. Cila ishte detyra e specialistes? “Bënim përzgjedhjen e atyre që evakuoheshin.

Sot e kësaj dite, sa herë e kujtoj atë kohë rrëqethem. Sytë më kanë parë njerëz të ndodhur në situatat më të vështira, gra shtatzëna që i mbanin dhimbjet e lindjes deri në momentin që do kalonin kufirin. Pleq që mallkonin veten sepse kishin humbur bijtë gjatë kalimit të kufirit. Kam parë të gjymtuar që nuk donin më të jetonin. Kam parë të përdhunuara me sy të shuar, kam parë fëmijë që nuk e kuptonin se ku ndodheshin, ose të tjerë që nuk shikonin dot më uniforma, aq të traumatizuar ishin”, i vë emër asaj që pa në tre muajt e qëndrimit Oktrova, kurse në ekspozitë këndi i titulluar “Njerëzit” flet vetë për vuajtjen dhe tmerrin e luftës. Pastaj vijnë dëshmitë e evakuimit në Australi, Austri, Kanada, Danimarkë, Francë, Irlandë, Norvegji, Portugali, Suedi, Turqi, Zvicër, ShBA. Ditari jep të dhëna edhe për shifrat. Listën e kryeson Kanadaja, ku janë evakuuar 1848 vetë, më tej Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1626 vetë, në Turqi 960 etj. Ja ç’thuhet në ditar në këtë kohë: Evakuimet vazhdojnë. Dje u transportuan për në Gjermani 22 fëmijë të plagosur, ndër të cilët një fëmijë 2-vjeçar, vëllai 7-vjeçar i të cilit ishte qëlluar për vdekje para syve të prindërve, pasi ishte dhunuar më parë disa herë prej trupave paraushtarake serbe.

Dëshmia fotografike e Oktrovës mbyllet me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Këtë moment reporterja e ka parë nga Bllaca. Ajo vetë ishte brenda tankut britanik. Në këtë kohë protagonistë u bënë personazhe të tjerë, xhenierët gurki, ushtarakët e tjerë të KFOR-it dhe pjesëtarët e UÇK-së. Kthimi ishte i çuditshëm, lufta kishte lënë pas shkreti, zona të tëra, shtëpi, automjete të braktisura. “Aty takuam edhe njerëzit. Ata që nuk takuam ishin ushtarakët serbë, të cilët menduam se kishin ikur, por në momentin që grupi ynë vazhdoi pak më tej, i pamë aty. Rreziku vazhdonte. Një tjetër përjetim i fortë është kur forcat ndërkombëtare hynë në Bllacë, ndërkohë që në një pikë tjetër kufitare, në Jazhincë, vazhdonte të ishte flamuri serb”, mbyll kujtimet Oktrova, kurse ekspozita “Fate në luftë” përfundon me “epilogun”, me fotot e mbërritjes së ndërkombëtarëve në Kosovë. Një fjali zor se harrohet nga komunikimi i specialistes me gjithë sa foli me vendësit, “S’kena dashtë me e lanë Kosovën! A kena me u kthy?” “Të nesërmen e ditës që pushuan bombardimet, zunë të ktheheshin edhe duke marrë me sy vdekjen.”

Oktrova në hapje të ekspozitës:

Lufta është vërtet dhimbja më e madhe që njerëzimi mund t´i shkaktojë vetvetes. Po vetëm ajo dhe vdekja e mësojnë njeriun të vlerësojë paqen dhe jetën. Vetëm lufta i mëson gazetarit se nga pena e fjala e tij varen jetë njerëzish. E hap këtë ekspozitë për të tërhequr edhe njëherë vëmendjen për njeriun – që fiton vërtet përmes luftës – po fiton akoma më shumë përmes paqes…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama